Në takimin e liderit të opozitës PD, Sali Berisha në Belsh me mbështetësit demokratë, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Elbasan, Tomorr Alizoti, mbajti fjalën e tij përpara qytetarëve të mbledhur.
Ai deklaroi se entuziazmi opozitar po rritet çdo ditë dhe se më 11 maj do të vijë çlirimi i Shqipërisë nga një regjim që e ka kthyer vendin në narkoshtet. Alizoti akuzoi kryeministrin Rama se udhëton në luks ndërkohë që fëmijët shqiptarë janë të paushqyer. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mobilizohen dhe të marrin pjesë masivisht në protestën e paralajmëruar.
“Entuziazmi po rritet dita ditë, imagjinoni ku ishim para një viti dhe ku jemi sot.
Imagjinoni si ishim para një viti, si jemi sot dhe si do të jemi pas 11 majit.
Kurrë në historinë e kombit shqiptar nuk ka ndodhur që drejtuesi i vet të dalë nëpër Shqipëri dhe t’u thotë njerëzve nga veriu në jug që ju jeni të marrë. Nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk ndodh në asnjë komb të botës.
Një kryeministër i cili shetit, i cili jeton në luks prej këtyre shqiptarëve, i cili i hipën avionit me paratë e shqiptarëve, i cili i hipën avionit për të parë Lazio, Inter, Roma, e të gjithë, kur fëmijët shqiptarë i ka të paushqyer, e në fund gjithë këtë muaj e gjithë këtë javë bredh nëpër Shqipëri duke thënë që ju jeni të marrë.
Miq të nderuar, demokratë, e jo demokratë, shqiptarë të gjithë, mblidhuni më 11 maj t’i themi Edi Ramës që i vetmi i marrë në Shqipëri je ti, dhe përfundimisht Shqipëria do të çlirohet nga një i marrë.
Ka 12 vjet që qeveris dhe ka lënë gjysmën e popullit rrugëve të botës. Ka 12 vjet që e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet.
Në radhë të parë emergjente për të çliruar Shqipërinë nga çbërja dhe kombin shqiptar është: do çlirojmë Shqipërinë nga bandat, do ketë Shqipëri që t’u përkasë shqiptarëve, do çlirojmë edhe mësuesit nga bandat.
Do lëmë fëmijët nëpër shkolla, sepse prindërit i çojnë fëmijët që t’i mësojnë, nuk i çojnë që të ndjekin kryeministrin nga pas.
Shqiptarë të nderuar, Shqipëria do të kthehet në një vend normal, këto 2 javë janë vendimtare.
Mobilizohuni, organizohuni, sepse çlirimi real i Shqipërisë është 11 maj, Shqipëria kurrë s’ka qenë në një ditë të tillë të keqe, Shqipëria kurrë nuk do të jetë kështu”, tha Alizoti.