Disidenca e fuqishme e poetit dëshmor

Nga Bujar LESKAJ

-Vështrim në ndërtekstin poetik të veprës së Vilson Blloshmit-

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin martirët e parë të zhvillimit të një letërsie moderne. Besoj se në asnjë vend tjetër nuk ka kaq shumë shkrimtarë të martirizuar sa pati gjatë sundimit të diktatures në Shqipëri. Tashmë që vepra e plotë e tyre ka parë dritën e botimit, duke i lexuar me vëmendje të madhe ato, jemi të bindur se metafora dhe alegoria politike në poezitë e tyre dëshmonte një fuqi të madhe paraprijëse për formimin dhe botëperceptimin iluminist të letërsisë dhe arteve në vendin tonë. Duke zhdukur fizikisht shkrimtarët dhe poetët, duke i burgosur dhe duke u djegur librat, diktatura zhdukte çdo shenjë identiteti dhe individualiteti (që s’duhet ta kishte Njeriu i Ri), e cila mund të shërbente si urë lidhëse me civilizimin dhe qytetërimin europian, të cilit populli ynë në shekuj i është dedikuar me gjakun, sakrificat, dijet dhe gjykimet e idealistëve, atdhetarëve ose intelektualëve të shquar, por edhe me vetë Rilindjen tonë Kombëtare.

Në panteonin e tyre të lavdishëm meritojnë të ngjiten dhe poetët e Librazhdit, Blloshmi dhe Leka. Xhelozia dhe ankthi i diktaturës për inteligjencën e tyre ishte paranojak. Ata ishin dy intelektualë të rinj, që po ecnin në jetë me kurajën për studime akademike dhe kulturore. Edhe pse jetonin në provincë, kultura e tyre, bibliotekat, interesi për gjuhët tregonte një nivel të lartë aristokratik. Ishin djem të rinj e të bukur, shtatlartë, fisnik, të mençur, të edukuar, punëtorë-simbol frymëzues i një rinie shqiptare gjithë shpresa dhe ëndrra për një botë të re.

Duke pushkatuar këto simbole, diktatura vrau ëndrrën e të gjithë rinisë shqiptare, varrosi bashkë me trupat e tyre perspektivën e krijimtarisë si dhuratë hyjnore . Tashmë rinia shqiptare në të gjithë vendin po e merrte mesazhin, ajo duhej të përulej, të bëhej shërbëtore e diktaturës dhe të mos guxonte të dilte nga “binarët” e parashikuar me ligj, ndryshe e priste hetuesi , burgu dhe vdekja .Regjimi komunist i ndëshkoi, duke ua prerë jetën në mes, si dhe rrugën që kishte nisur vepra e tyre letrare. Vilson Blloshmi ishte poet dhe shkrimtar i talentuar dhe Genc Leka ishte një studiues i zellshëm me të ardhme në botën akademike. Vetëm 15 jet më vonë, vepra e tyre u njoh falë punës së palodhur të vëllait tjeter hero, Bedri Blloshmit dhe iu hodh më shumë dritë prej zërit të intelektualëve të shquar, Ismail Kadare, Sadik Bejko, Sadik Spahija, Bardhyl Londo, Izet Shehu, Emil Lafe, Agron Tufa, etj, etj.

Pas daljes në dritë të veprës së Vilson Blloshmit në 2008-n, falë kontributit të madh të Bedri Blloshmit dhe studiesit Sadik Bejko, përfshirë dhe bashkëpunëtorët e sipërpërmendur, këtë vit u bë i mundur botimi i veprës së plotë të Genc Lekës. Intelektuali Genc Leka kurrë nuk u nda nga poeti Vilson Blloshmi, edhe pse e dinte që një ditë i njëjti zjarr ndëshkues do t’i digjte të dy bashkë. Leka pati të njëjtat pasione, letërsinë, përkthimin, poezinë, por ndryshe nga Vilsoni, si një punëtor mendjeje, si një studies skrupuloz punonte ditë e natë mbi idetë etnografike, gjurmimeve folklorike e të traditës. Cdo gjë që zbulonte përpiqej t’ia ofronte shkencës etnografike shiptare me arsyetim të shëndoshë dhe shkencor. Aty përmes asaj kaligrafie të artë, studimeve të shumta me shkrim dore, të mbledhura me vullnet të paepur, janë fshehur thesare të etnografisë sonë. Me brumin e tyre, profesorët që iu bënë akt-ekspertizën, kanë bërë dikur leksionet dhe dispensat akademike, duke kopjuar fshehtas veprën e “armikut të klasës”. Kur lexon veprën me studime etnografike të Genc Lekës, dallon një përpjekje për tu përshtatur me kërkesat e kohës në vepër.

Blloshmi e Leka ishin në çdo kohë bashkë, shpirtërisht e mendërisht, simbiozë e një mendjeje të ndritur, prandaj ata u martirizuan bashkë, por ngaqë i pari, Vilson Blloshmi, përfaqësohet me një vepër më të plotë letrare, aty kam ndjerë nota të një proteste inteligjente të këtij poeti ndaj sundimit diktatorial dhe izolimit nga bota e qytetëruar, edhe pse nuk u shpreh në një konfrontim të hapur, sy për sy, por në një konfrontim që vinte së thelli dhe së brendshmi, natyrshëm. Jo më kot, poezia e tij “Saharaja” iu nënshtrua një akt-ekspertize letrare në hetuesitë e të gjitha shkallëve, bashkë me blloqet e poezive dhe përkthimeve që kishte bërë Vilson Blloshmi.

“Saharaja s’di të ëndërrojë
Ajo bluan gurë me mend e saj
Saharaja s’ka këngë të këndojë
Saharaja s’ka as lot të qajë.”

Edhe pse poezia është e ndërtuar mbi një simbolikë klasike dhe të pastër, të vetëmjaftueshme për ta qasur Saharanë me çdo shkreti të kësaj bote, shpirtërore, mendore, morale, gjeografike dhe politike, fabula e saj nuk ka asgjë të ngjashme me Shqipërinë, por mjafton njëri prej elementeve të saj, muzikaliteti që përcjell kjo poezi, sa për ta mbartur përkatësinë origjinale dhe zanafillore të lindjes së simbolit letrar Saharaja, shkretëtira e Vilsonit, shkretëtira jonë.

“Në kohën që e shkrova kam pasur dëshpërim” , ka pohuar me gojën e tij në hetuesi. Muzikaliteti tradicional i vargëzimit shqip, nuk ishte dhe aq në stilin e poetit, por ka bërë gjithkënd të kuptojë se ky fakt rrëfen se simbolika e poezisë ka si pikënisje protestën për gjendjen e Shqipërisë, izolimin e saj, shkretimin intelektual e shpirtëror. Nuk ka pasur aspak qëllim propagandistik, sic e kanë akuzuar dhe për të cilin e ekzekutuan. Vilson Blloshmi si poet i mirëfilltë, nuk e konceptonte dot ta përfshinte artin e tij në një mision propagandistik. Gjatë gjithë pyetjeve që ka bërë hetuesia, duke e mbatur si të pandehur, merr të njëjtën përgjigje ; ai bënë një art që del nga shpirti, por edhe një art që e lejon atë dhe të tjerët të shikojnë se diktatura komuniste është dhuna më absurde ndaj njerëzimit. Tek idealisti dhe poeti Blloshmi kishte ngecur keq tehu i propagandës komuniste.

Sundimi i saj nuk do të zgjaste dot, nëse nuk shpëlante shpirtrat dhe mëndjet e njerëzve. Kur e shkroi “Saharanë”, Blloshmi duhet të ketë qenë në të njëjtën gjëndje që ka qenë Asdreni kur shkruante poezinë e tij “Lulëkuqja” .

‘”Lulëkuqe e mjera
Asgjëkund s’ka shtëpi
E shkon jetën në arrati…”.

Çdo kohë e zezë e Shqipërisë lind në një mënyrë ose në një tjetër Rilindësin e saj, fëmijën e saj të dlirë që qan për fatin e zi. Saharaja e shkretë e Blloshmit, ashtu si Lulëkuqja e mjerë e Asdrenit, mbartim fort në kontekstin e tyre kritikat e kundërvëniet më të ashpra ndaj realiteteve, shoqërore, politike dhe historike.

Që të dyja këto poema të krahasuara, nuk kanë vetëm elemente simbolike për gjëndjen dhe raportet metaforike brenda një individi. Shtëpia e humbur e Lulëkuqes së Asdrenit, arratia metaforike e saj, ndërkohë që në natyrë ajo ngul mirë rrënjë, është po aq simbol politik e social për fatin e Shqipërisë, sa janë edhe metaforat e Vilson Blloshmit tek “Saharaja” :

“Saharaja nuk ka miq e shok
Saharaja nuk ka bijë, as bir
Saharaja është një copë tokë
Thonë se dhe me natën nuk shkon mirë”. (Vepra I, fq. 85).

Pra, sic shihet në natyrë, Saharaja është vetëm një ranishte përvëluese, ndërsa miqtë, shokët e bijtë e bijat deshifrohen në një kontekst tjetër. Ky këndvështrim që jam duke përqasur ishte i lidhur ngushtë me një lutje për ta lexuar të gjithë veprën e Vilson Blloshmit, sepse leximi i kësaj vepre na bën të kuptojmë sesa i qëllimshëm, i rrezikshëm dhe kriminal ishte vënia në gijotinë nga komunizmi e kësaj mendjeje të ndritur, dhe sa i rrezikshëm ka qenë komunizmi për kulturën tonë. Nuk kam dëshirë ta quaj vrasjen e dy poetëve thjesht një veprim absurd të atij regjimi, sepse shoh tek vepra e plotë e Vilson Blloshmit një kompozim artistik e ideo-emocional aq të lartë, saqë ajo na sjell gjithmonë kuptime të nënujshme, fjalë të ushqyera në një habitat të pasur intelektual e shpirtëror.

Dhe ai e ka dëshmuar në vargjet e tij këtë pasuri:
“Njeriu me shpirt të vërtetë
Përfytyron në mënyrë fisnike
Dhe përfytyrimi në mënyrë fisnike
Zbukuron deri në idealizëm
Objektin e përfytyruar” (Vepra I, fq. 84,).

Vilson Blloshmi është njeriu që aspiron ndriçimin e mendjes dhe të shpirtit në veten e tij, e pastaj te të tjerët, banorët e Saharasë-Shqipëri, shkretuar nga komunizmi. Dhe i gjithë ky shijim estetik, jo “analizë’, e as “akt-ekspertize” na lë të kuptojmë e të mësojme se protestat janë thellësisht të vetëdijshme, prej alergjisë qe ai ka nga sistemi komunist, i kundërvihet. Vilson Blloshmi si zotërues i rallë i retorikës, stilit dhe figuracionit ka zgjedhur mjetet e shprehjes si art, pa i zhyer ato me përdorjen e qëllimtë.

Nëse ende s’kemi kuptuar se cilët shkrimtarë janë me të vërtetë disident, padyshim, nga vepra që ka lënë pas Blloshmi, mund të quhet, që nga sot, ai si përfaqësuesi më dinjitoz i disidencës në Shqipëri, të shpallur katërcipërisht në vepër. Blloshmi është disidenti i parë, zëri i parë, thirja e parë kundër rrezikut të sundimit dhe ideologjisë komuniste, bindja e parë për lirinë e individit për t’u realizuar sipas meritave dhe i vetmi shkrimtar që nuk u detyrua të bëj disidencë, pasi të ishte mënjanuar nga një post i rëndësishëm në pushtetin e diktaturës, as ta kishte ndihmuar më parë atë. Është nga të rrallët që qëndroi edhe kur e dinte se ç’farë e priste, nëse nuk përkrahte ideologjinë. Ai ka lënë edhe një testament poetik që e dëshmon këtë:

“Më mirë një jetë e zezë me faqe të bardhë
Se sa një jetë e bardhë me faqe të zez딑. (Vëllimi I, fq. 96).
“Nëse nuk mund brengës t’i bëj dot ballë
Zjarr përsëri kam në shpirt të djegur
Nëse i vdekur jam nga çdo i gjallë
Mirë pra, me i gjallë jam se çdo i vdekur”.. (Vepra I, fq. 80).

Në sallën e gjyqit Blloshmi ecte kundër çdo avokatie mbrojtëse, kundër çdo alibie që ti shpëtonte ndëshkimit të një gjyqi makabër. U thotë atyre se “ky trajtim nuk më pëlqen dhe ndaj jam pesimist”

Po ç’do të thoshte kjo, që ky trajtim s’duhej tu pëlqente as të tjerëve. Kjo ishte një akt-akuzë që përcillte zërin e pothuajse gjysmës së shoqërisë së goditur nga diktatura. Duhet edhe ky këndvështrim i ri, që të shihet poezia e Blloshmit si rrallë e ndonjë disidenti që kemi menduar se është.

Në gjyq, Vilsoni nuk harron të theksojë se edhe kur bën përkthime, nxitet nga protesta për jetën e tij, nga kundërshtia e tij e brendshme, më e vërteta kundërshti ndaj realitetit që e detyron atë të përzgjedh këta, ose ata autorë botërore, dhe asnjë autor të realizmit socialist. Gjyqi i Blloshmit, në 33-ditshin e tij, i ngjan një inkuizicioni të madh legjendar. Studiuesi Bejko me shkak analizën e përmbajtjes së veprës së tij thekson: “Krahasuar me brezin e tij, Vilson Blloshmi kishte pikëpamje të kundërta mbi artin dhe letërsinë, një përkushtim tjetër dhe të tjera shije letrare. Ai ishte i bindur se si letrar nuk do t’i takonte kurrë botës në të cilën jetoi . Ai hyn ndër ata qe në botë i quajnë poetë të mallkuar. Fleta e shkrimit kështu shndërrohej në altar dhe ai që shkruante, flijohej aty me gjithsej”. Edhe pse e vështron krijimtarinë si estet, protesor Bejko e ka vënë re se: ” jeta e tij dhe poezia shkrihen me njëra tjetrën. Poezia kështu ka peshën e jetës së tij, ka çmimin e kokës së tij të ekzekutuar nga tirania .

Edhe sikur të mos na mjaftonte koha për të analizuar me detaje të gjithë krijimtarinë e tij, mjafton akt-ekspertiza që iu bë asaj, për të pohuar pareshtur që çfarë Vilson Blloshmi e bëri vepër, ishte vërtetë disidente, por si një rast i rrallë kjo disidencë është e tjetër lloji, frymore, në mënyrë figurative dhe simbolike, e ngjashme me atë të Krishtit të kryqëzuar. Do të mjaftonte, e pse të mos mjaftonte, edhe fakti që tre kritikë të njohur të realizmit socialist, me karrierë më të lartë letrare se ç’vlenin veprat e tyre, e sulmuan veprën e Blloshmit, e sulmuan artin e tij, poezinë e tij, shpirtin e tij të dëlirë që nuk mund të ndotej nga ideologjia e as nuk mund të futej në sarkofagun e metodës krijuese socio-realiste. Pra, edhe sulmi ndaj veprës do të vetëmjaftonte për ta quajtur atë vepër disidente, sepse ajo u zbërthye deri në qelizë, ndaj u godit.

Analiza e kësaj vepre u bë nëpërmjet një autopsie makabër. Ishte ky shkaku. Ishte kjo e vërteta që krijimtaria e tij nuk mund të ishte as soc-realiste, as materaliste, as idhujtare e ndonjë “-izmi”‘, qoftë kjo edhe rrymë estetike. “Ky njeri kishte lindur për të derdhur energji të mëdha, dhe ai i kishte ato. Duke zotëruar realitetin e ashpër në saj të fuqive mbi normale fizike, duke e ndjerë veten të familjarizuar me disa nga poetët dhe mendimtarët e mëdhenj francez që kishte mundur ti lexonte, duke e ndjerë veten të fortë për çdo pengesë, ai jetonte sa në Tiranë, sa në minierë, sa në temën e shkrimit, duke pandehur se kjo energji prej rinie, prej shkrimtari aty nuk mund t’i merrej nga askush…”, shkruan S. Bejko. (fq. 71).

Nuk duhet krijuar bindja që Blloshmi bëri disa poezi lirike të thjeshta dhe “e kanë vrarë kot”. Komunistët, sigurisht, vrisnin edhe kot, por Blloshmin e kishin objektiv të piketuar shumë qartë. Tek-tuk, në mënyrë të pavetëdijshme, ndonjë studiuesi i ka rrëshqitur një hipotezë e tillë, që poeti u vra në mënyrë absurde, sepse bënte poezi “për vjeshtën, ose dashurinë”. Duhet të futemi në rrugën e njohjes së veprës së plotë të Blloshmit, ta njohim atë dhe të themi ashtu siç më tha një ditë vëllai i tij Bedri Blloshmi: “Këtu është Vilsoni!”

Vilson Blloshmin, persekutorët e kuq ata e ditën mirë pse e vranë. E ndiqnin, e përgjonin hap pas hapi, sepse e dinin mirë nga i vinte atij drita e diturisë. Komunistët ia mbyllën njëherë e përgjithmonë atë dritë, për të zezën e lirisë sonë, për të zezën e letërsisë sonë, që nuk e pati më rrugën aq të mbarë sa e kishte nisur një poet e përkthyes me dhunti gjeniu si Vilson Blloshmi. Vilson Blloshmi i kishte për zemër simbolet, sikur ta dinte se një ditë do të ishte simbol i të gjitha simboleve më të përparuara humane.

Marrëdhënia e Blloshmit me kulturën është e habitshme. Nëse lexon letrat e tij, ai duket sikur në asnjë kohë nuk ka jetuar në Shqipëri. Ai i donte të gjithë autorët, i kërkonte me ëndje shkrimet e tyre, nuk paragiykonte, justifikonte edhe ata që në pamje të pare dukeshin të urryer, ose që të prishnin humorin si puna e Bodlerit. Në vështrimin kritik dhe estetik që i bënte ai artit, letërsisë dhe shkrimtarit, ia kalonte një shkencëtari të madh. Në këto letra ndihet bërthama e postulateve të para estetike, të cilat dëshmojnë se nëse do të ishte gjallë, ai do të ishte bërë veç të tjerash dhe një studiues letërsie dhe kritik me vlera universale. Bota e tij, mendja e tij janë një urë fantastike e lidhjes me universin e kulturës botërore. Edhe kjo lidhje kaq e njësuar, kaq e ndjerë dhe universale me kulturën e përbotshme, ishte një tjetër shkak që diktatura t’ia merrte jetën. Nga kultura letrare Vilson Blloshmi e kishte konkurruar prej kohësh diktatorin Hoxha, qe edhe pse jetoi në mesin e kësaj kulture në Francë nuk ia nxunë trutë, ndërsa Blloshmi që nga Bërzheshta, e kishte botën dhe kulturën e saj në pëllëmbë të dorës.

Poeti, të madh e kishte dëshpërimin, sepse e pashmangshme ishte drama personale dhe ajo kolektive në komunizëm, por me mençurinë e tij, ai i jep kuptim e dinjitet çdo fjale të thënë, u jep kuptim dhe dinjitet edhe çasteve të mbrapme të jetës së tij. Kushërirës së tij artiste, Lumes, i dërgon një përkthim të Francis Carco:

“A është i vdekur, apo i gjallë,
ai që sjell erën?
Ai na ka folur shpesh
Duke ardhur bashkë me erën
Dhe ne e dëgjonim shpesh
Eshtë i vdekur, apo i gjallë,
ai që sjell erën?” (Vepra I, fq. 189).

Kjo njihet si letra e fundit që i dërgoi piktores dhe simbolika i bashkohet qartë asaj parandjenje të pareshtur se ai s’do të ishte më në jetë. Dënimi, vjen nga “helmi estetik” në hetuesi: “Në këto blloqe, ka shënime të ndryshme në formë proverbash, fjalë dhe shprehje të ndryshme të mbledhura andej dhe këndej, të përkthyera në gjuhë të huaja”‘. (fq 186). Dhe “eksperti letrar” duket sikur mezi ka pritur ta bëje akt-ekspertizën. Naivi i mjerë duhet të ketë qenë xheloz me kulturën e Blloshmit, sepse pa asnjë argument të fortë shkencor akuzon me fjalët më të përshtatshme që i duhen një gjyqi komunist për ta dënuar poetin: “poezitë flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën”, shkruan ai, dhe së fundi shkruan idiotësinë më të madhe që është parë në rrafshin estetik, që “poezitë e Blloshmit mohojnë kuptimin e punës së dobishme”. (Po aty). Ai duhet të jetë mahnitur nga antologjia e poezise frënge që kishte Vilsoni, por mezi ka pritur rastin ta quaj fajtor edhe për këtë. “Vjershat në frëngjisht janë të autorëve dekadent, regresiv, pesimist, reaksionar” ,thoshte dhe justifikohej se në Shqipërine komuniste “nga këta autor nuk është përkthyer asgjë, sepse kanë përmbajtje reaksionare” (Po aty).

Të lexosh veprën e Vilsonit, kupton motivin pse shteti, udhëheqësit dhe komunistët e këtij shteti e patën në shënjestër Vilsonin. Ai ishte një diell që u vriste sytë, nuk i linte të qetë të punonin në natën e zezë.

“Saharaja” edhe me
natën nuk shkon mirë””,

shkruante poeti. Ajo që të le pa mend, është cinizmi me të cilën, jo policia e shtetit, por vetë shkrimtarët e çuan Vilson Blloshmin drejt vdekjes. Gjuha e tyre në akt ekspertizën që i bënë “Saharasë” ishte e njëjtë, me shënime kopje të njëri-tjetrit, ishte gjuha e kërkuar, helmi i gatshëm që ua kishte lënë në dorë Sigurimi. Edhe “eksperti letrar”, Kosi Petriti, thotë të njëjtat fjalë.

“Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, ka përmbajtje reaksionare” (fq.190). E njëjta gjuhë është përdorur edhe nga shkrimtarja Diana Çuli, (për disa vjet rresht deputete e PS-s) në ekspertizën tjetër (në Arkivat e Shtetit duhet kërkuar edhe eksperti i katërt). Këta të tre ishin breshëria e parë e plumbave që ranë mbi shkrimtarin, përpara plumbit më të fundit që i mori jetën.

Mënyra sesi po ndëshkoheshin poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka na çon drejt zgjidhjes së “enigmës së kulturës shqiptare”, ku ka nisur të na drejtoj saktë studiuesi i njohur Sabri Hamiti. Në librin e tij “Albanizma” , në kapitullin “Diaspora shqiptare”, (fq. 43), Sabri Hamiti, pasi hedh një vështrim mbi krijuesit e diasporës dhe rrëfen momentin e ndritur kur krijuesit më të mëdhenj shqiptar vendosën të jetojnë e krijojnë në Shqipëri, njëherësh na tregon dhe fatkombin tonë, duke shkruar se: “Mirëpo Shqipëria nacionale e shekullit të 20-të mbeti e ndarë, e përgjysmuar, dhe ky përgjysmim (duke prodhuar karaktere ekstreme, apo egërsimin e kthyer në vullnet të çeliktë pushtetar), bëri që toka shqiptare të mos jetë ambient i përshtatshëm për shkrimtarët dhe dijetarët e vet të mëdhenj.”

Pasi rrëfen se në c’mënyrë të dhunshme Shqipëria kthehet në një shtet ideologjik “për të prodhuar karikaturën e fuqisë së pushtetit dhe përfundon me dhunë, në shpikje kundërshtarësh të brendshëm, të cilët duhet të kundërshtohen, madje të likuidohen…!”

Dhe unë do të shtoja që, të mos harrojnë se ky fenomen ka ndodhur jo rrallë herë për shkak të krimeve komuniste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përballje të përhershme me qëndresën antikomuniste kombëtare, e cila më së shumti shprehej nëpërmjet intelektualit, krijuesit, të cilit siç e dimë të gjithë, atij edhe i pritej me parë koka. Ndaj e kam theksuar dhe e ritheksoj, përfshi së fundi edhe pozicionin tim si politikan, se nuk ka Kujtesë Historike pa Dekomunistizimin e saj. Ketij “udhëtimi” në veprën e Vilson Bloshmit dhe Genc Lekës, desha t’i mëshoja me një indikacion me konkret dhe të drejtpërdrejtë në këtë auditor. Pra: Nuk ka Kujtesë Historike, pa Dekomunistizimin e saj.

Shënim:

Fjala e mbajtur më datë 06.05.2025, në promovimin e veprave: Vilson Blloshmi-Vepra dhe Genc Leka-Vepra, e organizuar nga Instituti I Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora”, në Muzeun “Kosova” në Vlorë.

About Redaksia

Check Also

Vilhelme Vranari Haxhiraj, shkrimtarja shumëdimensionale e persekutuar nga regjimi komunist

Shkkrimtarja e kombit, Vilhelme Vranari Haxhiraj ndonëse në moshë të thyer, ka qënë aktive në …