Nga Sami MILLOSHI
Që ti do të ikësh, kjo është si një dhe një bëjnë dy. Por, që të ikësh me lavdi, duke lënë gjurmë në histori, bëje një vetëvrasje politike. Që do të thotë: dil para kamerave në zyrën tënde dhe jep dorëheqjen me 10 Maj 2025, në darkë.
Kështu do të mbahesh mend ndër shekuj. Do të lesh gjurmë. Se ti na e ke thënë vetë se e vetmja gjë që kërkon prej vetes është të lesh gjurmë.
A të kujtohet kur hipe në karriken e pushtetit me 2013 si kryeministër ? I the BBC se “…kam frikë nga vdekja, prandaj dua të le gjurmë…”
Nga vdekja nuk shpëton kurrkush në këtë Botën tonë. Po ti për ta mundur vdekjen ke zgjedhur të lesh gjurmë . Hiç mos kij merak, gjurmë do të lesh, dhe do të jenë, për fatin e keq të shqiptarëve, gjurmë që do të jetë tepër e vështirë të shlyhen apo të fshihen.
Ti iu ke humbur shqiptarëve plot 12 vjet kohë. Ka shkuar për dhjamë qeni. Nuk është e mundur të kthehet pas.
Ti ke përzënë plot një milionë shqiptarë prej trojeve të tyre vetëm që të plotësoje ëndërrën çubrilloviane të armiqve të tyre për shpërnguljen nga trojet etnike.
Ti i ke shkatëruar themelet e shtetit në atë farë feje që nuk ka enciklopedi ta shpjegojë se si dhe qysh. Të gjitha institucionet e shtetit kanë fytyrën e egos tënde, që nuk është gjë tjetër veçse egoja e një maniaku, të cilën edhe vetë Frojdi po të ngjallej do ta kishte cilësuar pikërisht si të tillë.
Për atë post që mban ti, të gjitha teoritë akademike në Botën e Qytetëruar kërkojnë me domosdo tre gjera:
- Knowledge (Njohuri)
2.Integrity ( Pastërti morale)
- Ego.
Nga të treja këto, dy të parat i ke, pothuajse zero. Ndërsa, të tretën e ke maksimale, tej normales, për arsyen e thjeshtë se ty çdo mjek psikiatër me lehtësinë më të madhe do të të kishte ekzaminuar si egomaniak.
Një egomaniak është barrë e madhe edhe në një familje, jo më ta kesh në krye të shtetit .Ta kesh në krye të shtetit, siç të kanë patur ty shqiptarët për pothuaj çerek shekulli ( kryetar Bashkie dhe Kryeministër) është e tmerrshme. Sepse të gjitha manualet psikiatrike thonë se egomaniaku është I papërgjegjshëm. Dhe ti të tillë e ke dëshmuar veten.
Gjithë ajo çka di dhe bën një egomaniak është të mburret me veten dhe ti vetëm këtë di të bësh. Dhe ti vetëm këtë ke bërë. Ti je mburrur për shembull, se je ” piktori më i mirë,midis kryeministrave piktorë,dhe kryeministri më i mirë midis piktorëve kryeministra”. Kjo, sipas teje, do të hyjë në Guinness.
O derëzi, ti nuk e ke as një grimë talent dhe je duke mashtruar edhe në këtë fushê.
George W. Bushi, filloi të merrej me pikturë, pasi mbaroi dy mandate presidenciale thjesht për hobby. Dhe mashtrimi yt del në dritë të Diellit. Në të vërtetë, gjithë tragjedia jote qëndron në faktin se ti je përpjekur, jo pa sukses, që mungesën e talentit si artist ta kompensosh duke lënë gjurmë, në fusha të tilla, si qeverisja, ekonomia, drejtesia, urbanistika etj, në të cilat je analfabet krejtësisht.
Ti do të lesh gjurmë, kjo as që ka dyshim. Por do të jenë gjurmët që le zjarri në një pyll që digjet, gjurmët që le tërmeti, në një qytet që rrafshohet duke zënë përfund pleq dhe fëmijë, gjurmët që le një përmbytje tsunami apo tornadoje. Sepse, janë gjurmët e një njeriu të papërgjegjshëm që sheh vetëm lavdi te vetja dhe që nuk mund t’i njohë vetes , qoftë edhe një gabim të vogël, si për shembull, thyerjen e një gote qelqi apo derdhjen e një filxhani kafeje.
Ti nuk mund ta pranosh derdhjen e filxhanit të kafesë, pavarësisht se ishe ti që e derdhe me dorën tënde, vetëm e vetëm që fallxhorja të të parashikojë ty një të ardhme të lavdishme, gjithmonë GJURMËLËNËSE…
TANI AS FALLXHORJA NUK DI Ç’TË THOTË MË…
Populli ka nxënë mend nga gabimet e tij.
Por, ti ji i qetë. Do të ikësh me lavdi…
Natyrisht, po të bësh një VETËVRASJE POLITIKE me 10 Maj 2025 duke dhënë dorëheqjen në darkë para kamerave…