Burime nga Policia e Dibrës konfirmuan se agjentët e BKH-së me urdhër të prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, kanë bllokuar makinën e Fiqiri Palit dhe kanë konfirmuar shumën e gjetur të parave brenda saj.
Automjeti është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Dibrës dhe po merret në pyetje një shtetas që drejtonte makinën e Palit.
Makina luksoze e biznesmenit ndodhet e bllokuar si provë materiale, dhe në varësi të hetimeve, do të vendoset nëse merret masë sigurie për shoferin që e drejtonte.
Gjithashtu po kryhen verifikime edhe për persona të tjerë, me dyshimet se ishin angazhuar në Maqellarë, por jo vetëm, për të ndikuar tek zgjedhësit përmes shumave monetare që të merrnin mbështetjen e tyre në votime për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj.
Drejtuesi politik i PD për Qarkun, Xhemal Gjunkshi ka ndaluar mbrëmë automjetin – i cili sipas informacioneve paraprake – dyshohet se po transportonte materiale zgjedhore dhe para për blerje votash në favor të Partisë Socialiste.
Në një lidhje live me SYRI TV, Gjunkshi sqaroi se ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin e Maqellarës, ku automjeti në fjalë është ndalur nga deputeti Gjunkshi dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kanë kërkuar verifikimin e menjëhershëm të përmbajtjes së mjetit.
Sipas burimeve në terren, dyshohet se në makinë ndodheshin zarfe me para dhe lista emrash, që mund të përdoreshin për manipulim elektoral në zonën e njohur për garë të fortë mes mazhorancës dhe opozitës.