Berisha: Raportet paraprake i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi gjatë një konferencë shtypi nga selia e PD se raportet paraprake i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.

“Unë këtu shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake, të cilat defakto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet.

Por natyrisht jo vetëm në këtë parim, ka patur probleme të tjera po kaq të rënda, edhe më të rënda. Zgjedhje të kapura nga organizata kriminale më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit, të cilat disponojnë në kontot e tyre të nëndheshme, miliarda euro dhe që luftojnë këto zgjedhje për lëkurën e tyre, sepse siç e dini, i kisha garantuar dhe vazhdoj ti garantoj se ato me PD në pushtet, do të shpallen organizata terroriste, ç’ka do të thotë ligji do të jetë i tmerrshëm për to. Mos të kenë iluzion sepse ato janë bërë pengmarrës të demokracisë së një shteti dhe një kombi, me Edi Ramën.

Në këtë kuadër dënoj me forcën më të madhe terrorin policesk, ndaj numëruesve dhe komisionerëve tanë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina. E gjithë ngjarja është një kurth policesk i organizuar kundër tij. Ai mbahet në burg vetëm si qëndrestar dhe mbrojtës i votës.

Dënoj akte të tjera të falangave të krimit që kanë terrorizuar demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve.

Pra, ftoj demokratët dhe demokratet e mbarë opozitarët të vazhdojmë këtë mision, si misioni i të gjitha misioneve të një opozite, mbrojtjen, rikthimin e votës së lirë.

Asgjë në botë, asnjë fuqi politike nuk do mund të fshehë të vërtetat e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narkoregjimi i Tiranës.

Ata të cilët injorojnë se këto zgjedhje u grabitën, u plaçkitën në mënyrat më kriminale dhe antidemokratike, do të zhgënjehen më vonë, kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Europës dhe botës, shëmtinë e kësaj farse elektorale”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Rama me overdozë në spital? Denoncimi…

Gazetari Romir Saraçi ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me kthimin e kryeministrit …