Hordhitë e bandave në këto zgjedhje ishin një terrorizëm i gjallë kundra demokracisë

Nga Ndriçim KULLA

Vjedhja e zgjedhjeve është një e thënë e tejkaluar për ne.

E riprovuar kjo ishte pardje tërë ditën e zgjedhjeve.

Rezultati i saj i paradeklaruar nga sondazhet e porositura, duket se ishte kalibruar saktësisht me skemën patronazhiste të blerjes së çdo vote, orientimit të organizuar të votës nga administrata shtetërore dhe presione nga më të ndryshmet.

Duhet të kujtojmë se disa kohë më pare nisi një lëvizje e fortë nga ana e opozitës me kërkesën e një qeverie teknike. Ishte ide e mire në fakt, e provuar dhe stërprovuar dhimbëshm, se zgjedhje me kryeministër Edi Ramën nuk mund të bëheshin kurrë.

Nuk jam i qartë pse u braktis.

Nuk pati as  transparencë të qartë, se çfarë u bë, pse nuk u çua më tej, çfarë  ndodhi me këtë strategji  të mirëmenduar politike të opozitës?!

Më vjen të hamendësoj se për vërtetësinë politike të kësaj nisme, në analet e politikës mund të ketë qenë një faktor ndërkombëtar që ka ndërhyrë ndoshta  me një ide më të mire, duke qenë i bindur se do impononte presion mbi Edi Ramën për ta detyruar që të bënte zgjedhje, së paku, afër standardeve minimale  politike të cilat i njehë dhe i respekton gjithë Evropa.

Por kjo  nuk ndodhi.

Madje ndodhi e kundërta.

Sot ne evropianët dhe miqtë amerikanë kemi më shumë problem ne sa kishim me regjimin e Ramës.

Arena e batërdisë elektorale  të grabitjes së këtyre  zgjedhjeve ishte shumë herë më pranishme se të gjitha zgjedhjet e bëra më parë që ka bërë narkodiktatori shqiptar. Është e filmuar dhe fotografuar në kufijtë e profesionalizmit.

Pavarësisht rezultatit përfundimtar që do deklarohet në vijim, ne pamë në të gjithë Shqipërinë një grusht shteti kundra zgjedhjeve të lira dhe demokracisë.

Hordhitë elektorale të bandave ishin një agresion i gjallë dhe i pa kufishëm.

A ka vend këtu të flitet më për zgjedhje normale me standarde demokratike si vendi i NATO-s, si vend kandidat për  Bashkimin Evropian dhe partner i besueshëm i fuqive të mëdha politike. dhe demokratike si SHBA dhe Gjermania, si Franca dhe Anglia apo Italia dhe Polonia etj ?!

Njollat e duarve të djallit në këto zgjedhje dolën përsëri në pasqyrë më të nxira. Çfarë nuk ka bërë ky mostër për të mbajtur pushtetin.

Gjithë opozitën e projektoi që ta fuste në burg dhe ta mbante me duart të lidhura varur në çengelat e drejtësisë që ka krijuar mëndja dhe dora e tij. Dhe e bëri.

Qëllimi kryesor ishin zgjedhje e 11 majit ku konkurrenca  duhej të ishte  fare e shkatërruar. Dhe e shkatërroi.

Shqipëria zien nga ky krimi zgjedhor sepse është goditur në thellësi besimi, ndërsa SPAK i veshur si një bukuroshe me buzë të kuqe shëtit vërdallë nëpër rrugët e  Shqipërisë për të bërë parade imazhi, se gjoja po ndjek krimin zgjedhor.

Kronikat e filmuara televizive po na e japin realitetin zgjedhor ashtu siç është për ta parë dhe për ta gjykuar më objektivisht.

Këtu  është arena e trafikut të drogës, e bandave që grabisin me dhunë votat e qytetarëve, e shtetit që ka dymbëdhjetë vjet që është ricikluar me dhunë  dhe represion politik.

A ka vend këtu të flitet më për zgjedhje normale me standarde demokratike si vendi i NATO-s , vend kandidat e Bashkimit Evropian dhe partner i besueshëm i fuqive të mëdha politike  dhe demokratike, si SHBA dhe Gjermania, si Franca dhe Anglia apo Italia dhe Polonia?!

Pamë edhe një here makinerinë elektorale e cila s’bën krenar Edi Ramën. Modelet e skemave të krijuara prej regjimit të tij i pamë me mirë dje në tërë ditën e votimeve te Rruga Marko Boçari Tiranë. Zyrat operative të Sigurimit të Shtetit të mbushura me para dhe lista votuesish që u shpërndaheshin në mënyrë operative votëshitësave nga sekserët deputetë, ku në rastin flagrant ishte Erion Braçe, e diku tjetër ende në pa mundësi për tu identifikuar nga opozita dhe denoncuesit. Dëshminë më të mirë se çfarë bën makina elektorale e Ramës na e jep mes shumë të tjerash një dëshmi e rrallë krimi. Një bandë nga hordhia e madhe elektorale e organizuar si ushtri më vete  e mbyllur në një zyrë pa logo elektorale shpërndante para nga rrjeti i narkoshtetit për viktimat e votës.

Natyrisht që regjimi i organizuar për të sunduar gjatë, i ka të gjitha institucionet ligjëzbatuese dhe ato të sigurisë në dorë dhe do bëjë çmos të  prangoset e vërteta. Por e vërteta e shkallmoi murin e mbrojtjes së krimit. Ne i pamë patronazhistët e këtij krimi të filmuar tek iknin nga zyra të llahtarisur me kapuç në kokë dhe çantat e parave në krahë, njëlloj sikur dilnin nga grabitja e një banke diku në një nga rrugët e qytetit.

Rruga evropiane është rruga e respektimit të parimeve të lirisë dhe demokracisë mbi të cilat  zhvillohen zgjedhjet të cilat domosdoshmërisht duhet respektojnë vullnetin e popullit.

Këto  zgjedhje janë të grabitura. Këto zgjedhje i ka vrarë grabitja dhe manipulimi tyre.

Muri i diplomacisë që kanë ndërtuar institucionet evropiane të akredituara në Tiranë, duke pohuar rezervimin e tyre për ti treguar Edi Ramës vendin me justifikimin,  se  po e nximë Shqipërinë që është vend kandidat do i bëjmë dëm, duhet rrëzuar. Dëmi më i madh që i behet Shqipërisë është pikërisht ky:  kur nuk i thuhet e vërteta dhe nuk i jepen ndihma në kohën e duhur.

Ka ardhur momenti që faktorit demokratik ndërkombëtar të ngrihet në nivelin e arrogancës ndaj këtij regjimi. Nuk duhet të ketë më iluzion mbi këtë regjim edhe prej tyre. Përtej gjuhës diplomatike dhe rezolutave, gjuha që do zinte vend më shumë ndaj këtij regjimi ishte ultimatum.

About Redaksia

Check Also

Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!

Nga Enver BYTYÇ! Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. …