Shqipëria pa zë, pa balancë, pa shpresë…

Nga Aurela AGALLIU

Zgjedhjet e fundit nuk treguan vetëm se kush fitoi e kush humbi. Ato zbuluan një të vërtetë të hidhur për gjendjen shpirtërore dhe morale të shoqërisë shqiptare: një përulje kolektive përballë pushtetit, një normalizim i dhunës dhe një kompromis i heshtur me të keqen. U bë e qartë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë të gatshëm të bëjnë kompromis me moralin, të pranojnë të shtypen në këmbim të një vendi pune apo një sigurie minimale ekonomike.

Por çfarë vlere ka të jetosh në një vend ku nuk ekziston më opozita reale? Ku mazhoranca ka pushtet absolut dhe çdo institucion i pavarur është kthyer në zgjatim të vullnetit të pak njerëzve? Një vend pa opozitë nuk është më një demokraci. Është një sistem i rrezikshëm ku:

Llogaridhënia vdes.

Zëri i qytetarëve shuhet.

Institucionet zbrazen nga pavarësia.

Frika zëvendëson shpresën.

Demokracia kthehet në teatër.

Në këtë realitet, shumë qytetarë nuk votojnë për bindje, por për nevojë. Ata nuk besojnë, por pranojnë. Pranojnë të heshtin për një kontratë 3-mujore, të përkulen për një vend pune, të votojnë për një premtim që e dinë se nuk do të mbahet. Kjo nuk ndodh sepse shqiptari e ka “në ADN” dhunën apo nënshtrimin, por sepse për dekada është rritur në një sistem që e ka ushqyer frikën, varësinë dhe pasigurinë.

E megjithatë, kjo nuk është e gjithë historia. Ka ende njerëz që nuk janë dorëzuar. Ka zëra që sfidojnë, që denoncojnë, që refuzojnë të bëhen pjesë e lojës. Ata janë më pak, por ekzistojnë. Janë shpresa. Janë provë se dinjiteti nuk vdes – shtypet, poshtërohet, por mbijeton. Dhe kur ringjallet, mund të tronditë edhe sistemin më të pandryshueshëm.

Zgjedhjet nuk janë fundi. Ato janë pasqyra ku duhet të shohim fytyrën tonë të vërtetë si shoqëri.

About Redaksia

Check Also

Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!

Nga Enver BYTYÇ! Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. …