Nga Arjan HOXHA
Ish-kandidat për kryetar Bashkie Kamëz, PD (2023)
Kandidat për deputet në Qarkun Tiranë (Kamëz), PD (2025)
Zgjedhjet e 2025-ës në Bashkinë Kamëz nuk ishin thjesht një garë elektorale. Ishin një akt drejtësie i qytetarëve kundër mashtrimit, manipulimit dhe arrogancës që u konsumua në vitin 2023 nga Rakip Suli dhe strukturat e partisë-shtet.
Në vitin 2023, Rakip Suli u vetëshpall fitues me një diferencë absurde prej mbi 11,500 votash. E kam denoncuar publikisht që atëherë – dhe sot faktet flasin vetë: ajo “fitore” ishte e fabrikuar me manipulim elektronik, me listat e fryra të patronazhistëve dhe me presionin e turpshëm mbi administratën, të gjitha të organizuara nga kupola e Rilindjes.
Në zgjedhjet e këtij viti, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të pushtetit për të ruajtur kontrollin në Kamëz, qytetarët thanë fjalën e tyre me zë të lartë dhe të qartë: PS humbi, dhe humbi keq. Kandidati i opozitës fitoi me mbi 1,500 vota diferencë, edhe pse në terren ishin lëshuar patronazhistët, drejtorët, drejtoresha, e deri te vetë Linda Nikolla dhe Elisa Spiropali që nuk lanë lagje pa vizituar. Kryeministri Edi Rama ishte kthyer në “banor nderi” të Paskuqanit – por as kjo nuk i shpëtoi dot nga humbja.
Ky rezultat është prova më e fortë që zgjedhjet e vitit 2023 u vodhën. Nuk ka mënyrë tjetër për ta shpjeguar këtë përmbysje masive të votës, në një qytet që i njeh mirë padrejtësitë, shtypjen dhe arrogancën e këtij pushteti lokal.
Unë, si kandidat për Bashkinë Kamëz në vitin 2023 dhe si përfaqësues i Partisë Demokratike në këto zgjedhje parlamentare, kam qenë pranë çdo banori të kësaj zone. Kam parë zhgënjimin, revoltën dhe mungesën totale të shpresës që Rakip Suli përçoi në dy vite qeverisje arrogante, klienteliste dhe të pashpirt. Por Kamza nuk heshti. Kamza foli.
Ky rezultat është aktakuza më e qartë publike që i bëhet Rakip Sulit. Ai sot është i rrëzuar politikisht dhe moralisht. Çdo qëndrim i tij në skenën publike është një fyerje për qytetarët që i thanë “Jo!” manipulimit, shantazhit dhe mashtrimit.
Rruga e vetme që i ka mbetur Rakip Sulit është dorëheqja morale dhe pranimi publik i fajit për vjedhjen e votave në vitin 2023. Historia nuk do ta harrojë dot si simbol të një pushteti të uzurpuar, të votave të falsifikuara dhe të arrogancës politike që më në fund mori goditjen e merituar nga qytetarët.
Kamza më 2025 e ktheu vendimin tek populli. Kjo është fitorja më e madhe!