Pedagogu: Partia dhe pushteti popullor, vodhën vota sipas parimit “realizimi i planit është detyrë, tejkalimi është nder”!

Pedagogu dhe përkthyesi Edvin Cami ka mbajtur fjalën e tij në protestën e Partisë Demokratike dhe opozitës në Bulevardin Zogu i Parë, kundër masakrës zgjedhore të 11 majit nga ana e partisë-shtet të Edi Ramës.

Cami theksoi se ‘në zgjedhjet e 11 majit, Partia dhe pushteti popullor, me patronazhistët e tyre duarartë, vodhën vota sipas parimit “realizimi i planit është detyrë, tejkalimi është nder’.

Edvin Cami: Të nderuara zonja dhe zotërinj, të dashur qytetarë e bashkatdhetarë,

Jemi mbledhur prapë këtu së bashku, vetëm pak ditë pas tubimit përmbyllës të një fushate elektrizuese zgjedhore. Sot, ndoshta, jemi më pak se atë ditë. Po ne e dimë se në dasmë të vjen gjithkush, ndërsa miku i mirë të qëndron pranë në ditë të vështirë. E sot, Partia Demokratike ka sërish nevojë për ne.

Ndërsa realiteti tashmë rutinë i zgjedhjeve të vjedhura na ka bërë aq realistë, sa të mos na habisë aspak ajo që ka ndodhur edhe me zgjedhjet e 11 majit, nuk na habit tashmë as kakofonia e ligjërimeve publike që kanë si strategji të mbrojnë e të fshehin grabitësin duke mësyrë e pështyrë mbi viktimën. Jemi mësuar dhe me këtë, ndaj dhe as kjo nuk na bën më përshtypje.

Fakti është se në çastin që flasim, opozita “antiberishë” e ish-kryetarit dhe ajo e ish-zëvendëskryetarit kanë rezultuar të refuzuara e të lëna pa asnjë mandat përfaqësimi nga zgjedhësit demokratë. Ndërsa ndër të ashtuquajturat parti të reja, përfaqësimin më të lartë e ka arritur më e vjetra prej tyre, partia e Tom Doshit.

Në këto kushte, pohimi se edhe për 11 majin “fajin e ka Saliu”, nuk tregon asgjë tjetër, veçse përputhje të ligjërimit të të ashtuquajturës “opozitë të re” me pushtetin e vjetër.

Ndërkohë, nga kampi i pushtetit të rilindur popullor, duket se entuziazmi për rezultatin e këtyre zgjedhjeve që, si në 1975-ën, manifestuan unitetin e çeliktë Parti-Popull, duket se entuziazmi mungon krejtësisht. Dhe a e dini pse? Sepse katër vjet më parë, ata kishin përfytyruar një tablo krejt tjetër për ditën e sotme. Ata kishin pritur që sot të kishin përballë një opozitë të copëzuar, të asgjësuar e të zëvendësuar me një opozitë tjetër, me “opozitën që duam”; një opozitë partiçkash e OJQ-rash si ato organizatat e masave të 31 marsit 1991.

E pra, nuk ia kanë dalë. Sërish, pushteti i Partisë së Punës me emër të ri, njëlloj si në 1991-shin, ka përballë as më shumë e as më pak sesa Partinë Demokratike, demokratët dhe Sali Berishën.

Gjithsesi, kujdes! Pushteti i rilindur popullor nuk ka hequr dorë nga projekti i asgjësimit dhe i zëvendësimit të opozitës. Me gojën e Udhëheqësit të lavdishëm të Partisë dhe të popullit, shokut Edi Rama dora vetë, pushteti i veteranëve dhe i narkomanëve, i komunistëve dhe i mallistëve, na përcolli dje mesazhin se “populli nuk do ta ndërrojë qeverinë për sa kohë që nuk do të ketë opozitën që do”. Pra, Partia e Punës me emër të ri nuk i dorëzon çelësat e pushtetit popullor te “populli demokrat” pa vënë në jetë edhe projektin për “opozitën që duam”.

E pra, të dashur miq, ne jemi sot këtu për t’iu përgjigjur pushtetit të rilindur popullor se njëlloj si katër vjet më parë, ashtu edhe sot, oferta e tyre nuk na intereson. Ne nuk jemi si etërit e tyre, që pasi brohoritën me dekada se “edhe bar do të hanin dhe parimet nuk do t’i shkelnin”, në fund i shkelën e i hëngrën edhe barin, edhe parimet.

Në zgjedhjet e 11 majit, Partia dhe pushteti popullor, me patronazhistët e tyre duarartë, vodhën vota sipas parimit “realizimi i planit është detyrë, tejkalimi është nder”. E pra, nëse u duhet se s’bën një (me nder) “opozitë që duan”, atëherë le ta bëjnë atë me votat e tyre, që me aq sa kanë vjedhur, u dalin e u teprojnë. Ndërsa me votat e demokratëve, nuk do të kenë kurrë përballë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa Partinë Demokratike dhe demokratët.

Rrofshi ju! Rroftë Partia Demokratike!

About Redaksia

Check Also

“Duart e pastra” dhe heqje imuniteti/ Ish-ministri socialist paralajmëron largimin e Ramës nga Shqipëria

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i ftuar në A2CNN, deklaroi se Shqipëria sot ngjan me …