Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, u shpreh se do të vazhdojë betejën e tij deri në rikthimin e të drejtës së votës së lirë për shqiptarët.
Berisha denoncoi ashpër atë që e cilësoi si vjedhjen më monstruoze të 32 viteve të fundit në historinë e zgjedhjeve pluraliste në vend, duke theksuar se kjo vjedhje ishte paralajmëruar dhe dokumentuar në rezoluta ndërkombëtare dhe raporte të vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Unë vazhdoj betejën kundër kësaj vjedhje më monstruozen e 32 viteve në historinë e zgjedhjeve pluraliste.
Këto vjedhje, kësaj here, kjo vjedhje monstruoze, ka qenë një vjedhje e paralajmëruar, pasi është e denoncuar paraprakisht në 4 rezoluta ndërkombëtare me forcën dhe fuqinë më të madhe.
Së dyti, kjo vjedhje është denoncuar në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ne vazhdojmë betejën tonë gjer në rikthimin e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve…
…Kjo pyetje e ka përgjigjen. Nuk do mund të ndodhë ndonjëherë ajo, dhe u siguroj se beteja jonë do vazhdojë gjer në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.
Të mos mendojë njeri se ne intimidohemi, as se ne impresionohemi, përkundrazi.
Çdo përpjekje për të përligjur vjedhjen, vetëm sa dëshmon amoralitetin dhe bashkëfajësinë e të gjithë atyre që e ndërmarrin.
Sepse vjedhja kësaj here ka ndodhur publikisht, me vendime qeverie, pa u fshehur fare. Ndaj dhe ne qëndrojmë të fuqishëm dhe kemi besim se do t’ia dalim”, tha Berisha.