Tre kandidatët socialistë në zgjedhjet e 11 majit, Blerina Gjylameti , Xhemal Qefalia dhe Frrok Gjini, kanë tërhequr ankimimin e tyre në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas kërcënimeve të Ramës. Ata kërkuan në KQZ administrimin e pamjeve filmike nga procesi i numërimit.
Kërkesa e tyre vjen pas humbjes së një mandati me diferencë shumë të vogël votash nga kandidati fitues. Tërheqja e ankimimit vjen pas mesazhit “kërcënues” të dërguar nga kryeministri Edi Rama i cili një ditë më parë këshillonte që të mos e bëjnë diçka të tillë, duke u thënë se “humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën.”
Rama thotë në mesazhin e tij se ka marrë me trishtim njoftim për disa veprime të izoluara që synojnë kontestimin e rezultateve përmes kërkesave për rinumërim apo hetim të votave preferenciale.
Mesazhi i Ramës 1 ditë më parë
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge.
Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.
Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.
E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”, u tha Rama kandidatëve socialistë.