Gazetarja Alba Kepi, e ftuar në emisionin “Task Force”, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me megaoperacionin ndërkombëtar antidrogë, duke theksuar rëndësinë e këtij aksioni dhe përmasat e tij ndërkombëtare.
Sipas Kepit, hetimet për këtë çështje kanë nisur nga prokuroria e antimafias së Barit, si rrjedhojë e disa sinjalizimeve të rëndësishme që çuan në një bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare. Ajo theksoi se një ndër momentet më të rëndësishme të këtij operacioni është ai i datës 18 maj 2024, kur u sekuestruan rreth 3 milionë euro në banesën e një prej personazheve kyç të dosjes hetimore në Durrës, të njohur si “Visi i Pojës”, ose Elvis Doçi.
Në vijim, gazetarja përmendi edhe disa episode të mëparshme që lidhen me këtë hetim të gjerë. Më 5 nëntor 2020, në portin e Kalabrisë u kapën rreth 932 kilogramë kokainë të fshehura në një kontejner që transportonte midhje të ngrira. Ndërsa një tjetër operacion i rëndësishëm u zhvillua në Bari, ku u arrestua një çift shqiptar me mbiemrin Gjini, të cilët kishin në zotërim 400 kilogramë marijuanë të fshehura në arka me qepë dhe hudhra, të importuara nga Spanja.
Sipas Kepit, këto elemente përbëjnë bazën e dosjes hetimore që ka mundësuar një bashkëpunim të thelluar mes prokurorisë së Barit, drejtorisë qendrore të antimafias në Romë dhe autoriteteve shqiptare, përfshirë SPAK dhe strukturat hetimore në vend.
“Është një hetim i cili ka nisur me prokurorinë e antimafias së Barit, por në bazë të disa sinjalizimeve të rëndësishme.
Operacioni i fundit është data 18 maj 2024, një operacion i koordinuar nga antimafia italiane në bashkëpunim me autoritet shqiptare kapin rreth 3 milionë euro në banesën në Durrës të një prej personazheve kryesorë të këtij operacioni, të ‘Visit të Pojës’, apo Elvis Doçi.
Ky është një nga elementet kyç të përfshirë në këtë dosje hetimore.
Më 5 nëntor të 2020, në portin e Kalabrisë kapen rreth 932 kilogramë kokainë në një kontejner i cili transportonte midhje të ngrira.
Më pas kemi një tjetër operacion, i ekzekutuar në Bari, ku arrestohet një çift shqiptar me mbiemrin Gjini, dhe ka në zotërim të 400 kilogramë marihuanë të fshehura në arka qepësh dhe hudhrash që eksportoheshin nga Spanja.
Këto janë elementet kyç të përfshira në këtë operacion të cilat kanë sjellë edhe këtë bashkëpunim mes antimafias së Barit, drejtorisë qendrore të antimafias në Romë dhe padyshim dhe autoriteteve të SPAK dhe gjithë hallkave hetuese në Shqipëri.
Dimë që ka një ndarje territorialiteti gjeografik, sa i takon hetimeve jo vetëm në territorin mes dy vende por edhe në faktin e ekzekutimit të urdhrave të tillë.
Fakti se sot ka zbarkuar edhe drejtuesi kryesor i antimafias italiane, jo vetëm kreu i prokurorisë së Barit po edhe i drejtorisë së përgjithshme së Romës, tregon jo vetëm rëndësinë e këtij operacioni por mendoj se ka qenë edhe një bashkëpunim apo kërkesë e autoriteteve shqiptare për të pasur pikërisht një mbështetje në ato kritika që lehtësisht edhe opozita shqiptare hedh.
Ky operacion ka këtë veçanti pasi janë dokumentuar 4.5 milionë euro të transportuara në mënyrë të paligjshme pikërisht duke përdorur këtë tranzitin e transportit mes Durrësit dhe Barit. Dhe mendoj se kjo është mjaft e rëndësishme për të kuptuar edhe territorin se ku është ekzekutuar ky operacion, kemi të bëjmë me qytetin e Durrësit, një nga problematikat edhe për atë çka ka ndodhur në javën e fundit sa i takon zgjedhjeve.
Sa i përket elementeve të përfshirë në këtë operacion, janë 40 shqiptarë, është kryer dhe në qytete të tjera problematike si është Fieri, Vlora dhe Shkodra”, tha Kepi.