Nga Iva V.GRILLO
Me kalimin e ditëve, kur shkalla e manipulimit masiv të zgjedhjeve të 11 Majit nga partia-shtet, po behet gjithnjë e më e pamohueshme, nuk mund te mos t’i kthehemi përsëri episodeve të ndodhura në datë 11 Maj, ku grupe patronazhistësh të drejtuar nga drejtues të administratës publike u kapën në flagrancë në mes të Tiranës.
Se çfarë i detyroi të mbulonin fytyrat e largoheshin me vrap, atë e dinë vetëm ata.
Por çdo dite që kalon të shton bindjen se ata janë pikërisht “vagona” të të njëjtit “tren bullgar”.
Zbulimi i materialeve të votimit në Peqin sot, nuk ndryshon shumë nga ajo që kamerat kapën mu në zemër të Tiranës.
Nëse policia e drejtësia do të merret me kryeplakun e një fshati në Peqin, ata duhet të merren edhe më seriozisht me funksionarët e administratës shtetërore dhe përfaqësuesit më të lartë të partisë socialiste të cilët janë lokomotiva e këtij “treni” famëkeq që duket që i ka rënë pash më pash gjithë vendit.