Nga Pranvera SHEHAJ*
Dy qëndrime: Absurdi kolektiv dhe Nihilizmi naiv
Në nevojën për ta përballuar kolektivisht tronditjen shoqërore që prodhoi përvjedhja e një mandati të katërt të socialistëve, me shifra që thyejnë çdo ratio politike, dy janë qëndrimet mbi diagnozën dhe të ardhmen e vendit. Së pari, është qëndrimi ose shfryrës emocional ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj, ose i qëllimshëm propagandistik për ta latuar teatrin zgjedhor. Errur shikimi nga mllefi vetjak kamufluar me kinse helm të madh nga dështimi për rotacion politik në vend, kjo anë e gjyqësisë zhbën çdo provë për skenarin autokrat të zhvillimit të zgjedhjeve dhe ngre pretezën se me dikë tjetër, me disa të tjerë, demokratët do ta kishin marrë pushtetin.
Së dyti, është qëndrimi që pranon ndodhinë e një farse zgjedhore, duke qenë i bindur se përsa ishte e tillë, nuk ka asgjë që Partia Demokratike mund të bënte më mirë, paqtuar ky përfundim me logjikën se influenca e faktorëve të ndryshëm brenda PD ka valencë zero përballë mekanizmave ilegjitimë përmes të cilëve u blindua në mëtejësi pushteti.
Të dy gjykimet janë respektivisht: kolektivisht absurd dhe naivisht nihilist. Ndërsa i pari është vetëm freskues i propagandës së fortifikuar, e si i tillë në këtë emergjencë kohore nuk i jepet dot më shumë se sa një braktisje shpërfillëse, i dyti është ai çka në fakt dëmton më shumë dhe lë të hapur një plagë që ka mundësi për t‘u shëruar, ndaj vetëm ky qëndrim i dytë është mjaftueshëm i vlefshëm për t‘u kundërshtuar.
Nihilizmi është prehja e fundit që do të ngushëllonte sot vendin dhe të ardhmen e tij. Nëse do të pranonim se nuk ka asgjë që udhëheqësja e opozitarizmit në vend mund të përmirësojë, është njëjtë sikur të përligjnim pohimin se “shpresa nuk vdes kurrë, ne zgjedhim ta braktisim atë”. Në të tillë grackë fataliste demokratët nuk duhet asesi të bien.
Rimëkëmbja si detyrim dhe strategji
E ashtuquajtura “Rimëkëmbje e Sinqertë” është një teori e thjeshtë e përmirësimit në kushtet e pamundësisë. Nëse me mekanizma elektoralë Partia Demokratike e ka të pamundur triumfin mbi kundërshtarin, a mund ta ndihmojë atë një katarsis i vetes për ta tejkaluar ngecjen tek rregullat e pandershme të kundërshtarit, duke krijuar ura më të forta besueshmërie drejtpërdrejt me shqiptarët?
Rimëkëmbja duhet të vijë jo si vetëgjyqësi,por frymëzuar së pari nga detyrimi ndaj besimit dhe së dyti si rrugë drejt shumicës. A ka fuqi për t’u rimëkëmbur një forcë politike personifikuar me një trup njeriu, që merr nga çdo anë grushta të hekurt të bishës mekanike të pushtetit? Nëse me 500 mijë trupa, perandorët kanë besuar në fuqinë e pushtimit të kontinenteve, gjysmë milioni shqiptarë (529.354) janë mjaftueshëm për ta ushqyer fuqinë për rimëkëmbje. Ndaj ajo duhet të vijë së pari si përgjigje e detyrimit ndaj besimit të tyre. E megjithatë, për t’i çmontuar hekurishtet e bishës mekanike të pushtetit, gjysmë milioni shqiptarë nuk mjaftojnë. Ndaj rimëkëmbja duhet të vijë së dyti si strategji e zmadhimit të besimit, si rrugë drejt shumicës.
Rimëkëmbja e sinqertë si nevojë përmirësimi në kushtet e pamundësisë ka në thelb të saj kthjellimin në qëndrime, sinqeritetin me veten dhe mbështetësit, koherencën në fytyrë dhe veprim. Manifestuar si një doktrinë me dhjetë pika dhe ekzekutuar në kohë, do të guxoja të mos kisha hije dyshimi se ajo do të ndërtonte ura të forta me shqiptarët përtej atyre që tanimë besojnë tek PD me çdo kusht, kosto dhe rrethanë. Ura që do të largonin qindra-mijëra të tjerë nga ishulli i frikës dhe shitblerjes së votës.
“Rimëkëmbje e Sinqertë” në 10 drejtime
1.)Qartësimi i qëndrimit ndaj farsës zgjedhore
Nuk ka asnjë grimcë turbullie mbi qenësinë e një farse të guximshme zgjedhore, së paku tek ata që arsyen e kanë ende të shëndoshë dhe përjetimet të freskëta, por ka aktualisht një paqartësi lidhur me derivatet e qëndrimit të Partisë Demokratike ndaj saj. Duhet qartësuar me urgjencë “mosnjohja e zgjedhjeve” si skenar. Nëse nuk do të njihet ky proces zgjedhor, ka nevojë të menjëhershme për një deklaratë mbi atë çfarë pason, mbi njohjen dhe përvetësimin e mandateve të marra si dhe betejën parlamentare prej shtatorit. Zgjedhja e termave të gabuar për komunikimin e mesazhit shkakton konflikt mendimi në elektorat duke ulur besueshmërinë mbi një plan të qartë.
Në të kundërt, çka gjykohet si e duhura për një parti e cila ka zgjedhur të zhvillojë betejën e saj edhe brenda institucioneve, duhet pranuar me dorën në zemër ndaj elektoratit pamundësia për zhbërjen e tragjedisë politike të pritshme në autokraci, me qëllim nisjen e punës për rekuperimin e shpejtë të saj. Lëvizjet e paqarta dhe deklaratat ambivalente janë në preferencë vetëm të r-ED-aktorit të zgjedhjeve, për hise kundërshtar i demokratëve, por kurrsesi nuk ndihmojnë kampin opozitar.
2.)Qëndrimi i ndërkombëtarëve s’mund të jetë shpresë në vetvete
Demokratët nuk mund t’i dorëzohen varësisë nga pritja për bindshmërinë dhe ndërgjegjësimin e ndërkombëtarëve mbi zgjedhjet, aq më pak kur zgjimi nga hekurat burokratike të të cilëve, në të kaluarën ndonëse ka marrë edhe muaj për t‘u shprehur, sërish ka qenë zhgënjyes (kujtojmë 2021). Ndonëse duhet të mbesë një nga shtyllat paralele të vazhdimësisë së betejës politike, çka po dua ta pagëzoj si “antipropaganda transnacionale”, kjo pritje nuk mund të bëhet shkak i një vakumi në veprimtarinë e brendshme. Investimi tërësor dhe katërcipëror në dokumentim të farsës zgjedhore po ecën në vijë paralele vetëm me ngrirjen e strukturave në mbarë vendin, ndërkohë që në mënyrë të menjëhershme duhet zhvilluar së brendshmi mobilizimi për një katarsis organizativ.
3.) Përmirësimi për zgjerimin e bazës së votuesve
Partia Demokratike mori votëbesimin e 529.354 shqiptarëve, me bindje të plotë të tjetërsimit të vullnetit politik të qindra-mijëra të tjerëve. Një diferencë prej rreth 16% me zgjedhjet paraardhëse ndërkohë që ky mandat u kthye çdo ditë në një skenar traumatik për PD, ku iu desh të luftonte së brendshmi e së jashtmi për bashkim dhe legjitimim, ku iu kushtëzua edhe ora se kur do të duhej ta niste fushatën zgjedhore përmes arrestit dhe lirimit të liderit të saj, shtoji kësaj përshkallëzimin e emigrimit të opozitarëve, i pamundur për t‘u rikuperuar nga një votim i përdhosur i diasporës, – rezultati dëshmon se brenda pamundësisë, PD sërish mundi.
Së dyti, ka një tjetër domethënie, detyrimin për të zgjeruar bazën e votuesve, i cili nuk përmbushet me një lajm të mirë që vjen nga jashtë, por lyp nevojën e rigjenerimit të brendshëm me qëllim zgjerimin në 580 mijë, 620 mijë, 750 mijë e të tjerë. Si? Me një aksiomë të thjeshtë, duke qenë në të nesërmen e parë më mirë se dje përmes përmirësimit të gjithë aspekteve ku demokratët, referuar standardit të tyre, besojnë se çeduan.
Nëse lidhur me programin elektoral dhe shpalosjen graduale të tij, i majtë, i djathtë a neutral e sfidoi vetveten në të pranuarin se oferta politike e demokratëve ishte jo më pak se perfekte, i njëjti unison përfundimi nuk mund të thuhet për aspektin organizativ në terren, ashtu sikurse shpërndarjen dhe pozicionimin e ekipit kandidues. Në të dy këto drejtime fshihet“Eureka” për zgjerimin e bazës së votuesve, ndaj pikërisht këtu kërkohet rimëkëmbje në kushtet e së pamundurës.
4.) Rigjenerimi institucional
Propozime premtuese janë shpalosur prej kahditësh në aspektin organizativ. Ato duhen diskutuar dhe ekzekutuar me një ritëm që e sfidon kohën dhe t‘i paraprijnë mjaftueshëm garës së radhës, asaj për Bashkinë e Tiranës e për disa të tjera në vend. Filozofia që duhet të udhëheqë katarsisin organizativ duhet të jetë ajo me bazë reflektimin dhe ashpërsinë me veten, që zëvendëson justifikimin dhe ankesën. Rigjenerimi institucional duhet të jetë kryefjala e këtyre ditëve, ku nën guidën e liderit të demokratëve, ai duhet të konceptohet si një valë që nis prej këshillit kombëtar, kryesisë, kuvendit kombëtar, degëve dhe kryesive të tyre.
5.) Ndarja e betejës opozitare nga rekuperimi institucional i brendshëm
Mobilizimi institucional i partisë dhe pesha e tij për thithjen e votuesve përtej bazës militante, si dhe përtej frikës e pështjellimit kompromentues të pushtetit, nuk mund të zëvendësohen asesi nga beteja opozitare në Parlament apo vijueshmëria e punës për antipropagandën transnacionale (ndërgjegjësimin ndërkombëtar). Kjo nënkupton se ato duhen menduar si tre shtylla komplementare, por ç‘është më e rëndësishmja pamundësia e fitores për shkak të një gare të pabarabartë tash e disa vite, nuk mund të strehojë rrezikun për dështimin e aspektit institucional të partisë. Cilido qoftë përfundimi lidhur me fatin e rezultatit të 11 Majit, një tjetër raund zgjedhor do të pasojë, aty ku pesha e organizimit institucional të partisë rëndon më shumë se dy shtyllat e tjera.
6.) Parti e vlerave mirëfilltazi për të fituar betejën me historinë
Partia Demokratike ka qenë subjekt i një sulmi grotesk të gjyqësisë publike të disa shqiptarëve që ndonëse frymorë e përjetues të këtij vendi, vetëshiten si puritanë neutralë. Ajo është akuzuar vijueshmërisht si alibi e demokracisë, a thua se vetë ekzistenca e saj mbulon lakuriqësinë e mbretit. E kam shndërruar thuajse në filozofi jete bindjen se vetëm cinizmi e zvenit sulmin grotesk. Andaj, gjykoj se duhet përvetësuar një mendësi e këtillë në këtë aspekt, cinike, ajo e të qenurit alibia perfeksioniste e demokracisë.
Përtej cinizmit për ta heshtur sulmin grotesk, qëllimi është tjetërkund, ai i fitores së betejës me historinë. Ka patur disa raste kur oferta kandiduese e demokratëve ka qenë jo më pak se ajka që mund të prodhojë shoqëria shqiptare, por në kujtesën publike po dua të risjell kandidaturën e Doktor Halim Kosovës, përballë kryebashkiakut sot në burg, Erion Veliaj. Një krenari të cilën uroj ta ndiejë çdo demokrat, kur sot, me kokën pas nga historia përmbushet në drejtësinë që koha i dha. Është rasti kur në zhargonin popullor PD iu thotë votuesve atëherë e shqiptarëve sot: “Ju dola borxhit.”
A mund të përsëritet dhe amplifikohet ky shembull përmes ofertës së kandidaturave që nuk janë thjesht më të mirë se ata, por etalon i ajkës së shoqërisë shqiptare? Në çdo garë politike, oferta demokrate duhet të jetë mirëfilltazi ajo që pritet nga një parti e vlerave, – me standardin e saj, jo relativisht me standardin e kundërshtarit, – e tillë që kurdoherë e në çdo skenar, të mund t‘i thotë historisë: “Ja ku ishte alternativa”.
7.) Dritë mbi kontributorët produktivë për të shpërfaqur potencialin
Do të ishte ambicioze e ndoshta edhe frustruese të pretendohet puritanizmi në partitë politike, por ja që rrethanat e imponojnë edhe këtë pretendim. Një aspekt i vyer i rimëkëmbjes së sinqertë është domethënia e garës dhe meritokracisë në PD si e tillë. Çdokush që dëshiron të kontribuojë në betejën e saj për të ardhmen e vendit do të duhet të shtrëngohet në prangat e vyera të aftësisë dhe punës, jo asaj të simuluar, por asaj produktive në rezultat.
Ka nevojë për të lejuar dritën mbi figura dhe kontributorë në PD që deri më sot për shumë arsye, shpesh larg meritës, nuk kanë mundur të shpërfaqin potencialin e tyre. Për këdo që mendon se çelësin e kësaj drite e ka vetëm kryetari, gabon. Çelësin e ka ndërgjegjja e cilitdo që është pjesë aktive e kësaj partie dhe ka në dorë qoftë dhe fare pak vendimmarrje për dritësimin e njerëzve që vërtet mund ta çojnë betejën përpara. Të gjitha praktikat e pandershme, të cilat përmbledhur me një fjalë do t‘i quaja “primitivisht arkaike”, duhet t‘ia lënë vendin produktivitetit intelektual dhe politik. Nuk ka sukses pa garë, nuk gjen ndershmëri pa dhënë ndershmëri.
8.) PD në plotkuptimësinë e saj si antidot i socialistëve
Është e merituar vetënjohja e Partisë Demokrate si eksportuese e “modelit ndryshe” në shoqërinë shqiptare. Nuk ka dyshim se ajo solli modele të tilla përballë shqiptarëve më 11 Maj, por në këtë kontekst të rimëkëmbjes së sinqertë, nevojë për riformatim ka edhe ky përcaktim i modelit ndryshe. Së pari, karta morale, ndonëse e vyer në shoqëritë tradicionale si e jona, nuk mjafton, dhe së dyti nëse merret përsipër, mjafton një dhe vetëm një kundërshembull për t‘u përgjithësuar, duke krijuar perceptimin e saj si e pasinqertë. Përqafimi i vlerave që lidhen më së shumti me moralin është intuitiv në elektorat, sipas shumë studimeve. Politikani nuk i përforcon ato nëse i bërtet, por nëse me kohën, në komunitete kaq të vogla sa Shqipëria jonë, ku çdokush njeh gjithkënd, njihet si mbartës i tyre. Kjo sugjeron për distancim nga diskursi moralist.
Antidot i socialistëve dhe domethënës në modelin ndryshe, demokratët duhet të jenë në një tjetër dimension, atë të profilit në komunikim dhe identitetit profesional. Këtu, referuar figurave që ose rrezatojnë qytetari dhe lëvrojnë mjeshtërisht komunikimin publik, ose kanë një identitet të pasur profesional. Ka ardhur koha e distancimit nga protagonizmi i besnikëve me kohë të plotë të selive dhe orientimi drejt njerëzve që vërtet kanë ç‘thonë për veten si kontributorë në shoqëri, kush si sipërmarrës, kush si jurist i lartë, ekonomist, gazetar, mjek, profesor, etj., brenda a jashtë vendit. Antidoti është modeli i kontributorit në shoqëri, imun nga uria për shpërblime partiake. Kjo e tejkalon bazën militante.
9.) Kandidatët e listës së hapur: masivizimi i mbështetjes dhe pozicionimi në nivel lokal
Kandidatët e listës së hapur me rezultate të larta në vota duhet të mbajnë kontakt me zgjedhësit, lidhje të pashkëputur me elektoratin, duke i konsideruar votuesit e tyre pjesë të betejës së përbashkët. Më së shumti kandidatët e rinj në rrugëtim politik, të cilët ndonëse kanë performuar mirë, nuk ia dolën të konkretizojnë përfaqësimin në parlament, kanë një ambiguitet në perceptim. Ose ata kanë ngjallur shpresë se janë vetëm një mandat larg përfaqësimit, ose ata do të vuajnë sindromën fataliste të partive të reja: u besohet një herë, dhe nëse për një arsye ose një tjetër nuk ia dalin, votuesi ndjen vetëm keqardhje duke i parë si të pafuqishëm, e për rrjedhojë nuk i voton për të dytën herë. Kandidatët e rinj duhet të punojnë shumë për ta qartësuar këtë ambiguitet perceptimi në sytë e votuesve dhe zgjeruar bazën e tyre në nivel lokal.
10.) Besueshmëria e figurave që përcjellin mesazhin politik
Sinkronizimi i figurës me kritikën, denoncimin, premtimin apo mesazhin që përcjell, është një pikë delikate, mosrespektimi i së cilës çon lehtësisht në dekredibilizim. Ka nevojë për një “regji qëndrore” në diskursin publik të PD, për të shmanguar atë që fatkeqësisht edhe ka ndodhur, kontradiktën mes kritikës ndaj kundërshtarit dhe historisë politike mbi supe.
Post scriptum
Pse domosdoshmërisht e cilësuar si “e sinqertë”?Sepse nuk ka virtyt më të dëshirueshëm të shpirtit njerëzor se sinqeriteti, virtyti që na lidh dhe mban me njëri-tjetrin. E vërtetë që nuk ndryshon edhe në politikë. Sinqeriteti i një partie politike fillimisht me veten e rrjedhimisht me njerëzit, është virtyti që i thyen edhe ligjësitë e së pamundurës, ai rrënjos besimin, ndërsa besimi fiton mbi gjithçka, edhe mbi frikën.
Dr. Pranvera Shehaj – Politologe, Ekonomiste, Pedagoge e Politikave Fiskale, Berlin – Gjermani