Berisha: Sipas raportit të OSBE-ODIHR janë thyer dhe dhunuar nene themelore të 15 dokumenteve kryesorë për zgjedhjet e lira

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi sot gjatë një konference shtypi se në zgjedhjet e 11 majit, “sipas raportit të OSBE-ODIHR janë thyer dhe dhunuar nene themelore të 15 dokumenteve kryesorë për zgjedhjet e lira”.

“Zgjedhjet i ka damkosur, në mënyrë përfundimtare misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Europës. Kjo është e vërteta.

E vërteta tjetër mendoj unë se SHBA-të bazuar në këto dokumente dhe natyrisht në informacionet e tjera që kanë vetë, nuk janë shprehur për këto zgjedhje, duke respektuar standardin ndërkombëtar në këto raste, i cili kërkon që raste si këto qëndrimet të shprehen pasi të finalizohet procesi me të gjitha problematikat e tij.

Ka patur për shkak të samitit, prononcime të avancuara në kohë, por besimi ynë i plotë është se qeveritë e këtyre vendeve, pasi të njihen me raportin ndërkombëtar të opozitës dhe vëzhguesve do të mbajnë qëndrim në mbështetje të votës së lirë të shqiptarëve, dhe jo farsës elektorale të Edi Ramës.

Qëndrimi ynë bazohet mbi të vërteta të pamohueshme, me asgjë nuk mund të mbulohet farsa elektorale dhe shkelja e të gjitha parimeve bazë. Shkelja e të gjitha parimeve bazë më themelore të zgjedhjeve elektorale të sanksionuara këto në raportin paraprak të OSBE-ODIHIR. Por ka persona që u intereson të lexojnë vetëm një frazë.

Ata mashtrojnë veten dhe të tjerët.

Raporti i referohet, dokumentit të Kopenhagenit për zgjedhjet, Kodit të Venecias, dokumentit të Këshillit të Europës për zgjedhjet, të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe një seri dokumentesh të tjera.

Sipas këtij raporti, janë thyer dhe dhunuar nene themelore të 15 dokumenteve kryesorë, që ekzistojnë sot për të drejtat e njeriut dhe zgjedhjet e lira.

Kështu që zgjedhjet, janë një kufomë e pakallur akoma, janë të vdekura.

Ti e pe vetë takimin si ishte, mortor. Merre e shife. Ata po të kishin mundësi as çerpikët nuk i lëviznin. Aq të ngrirë nuk kisha parë fytyra ndonjëherë. As në filma me narkos nuk kisha parë fytyra të atilla që nuk lëviznin”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Balluku është e pandehur, duhet të vijë vetë për të dhënë llogari për skandalin e Llogarasë

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, gjatë mbledhjes së Komisionit për Burimet Natyrore, kërkoi respektimin e …