Lideri i opozitës, Sali Berisha në konferencën me gazetarët rikujtoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga drejtimi i Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve, duke theksuar se ndryshe nga të tjerët, ai e ka dëshmuar me vepra aktin politik të përgjegjësisë.
Berisha theksoi se ka lënë hapësirë për një brez të ri në politikë dhe ka mbështetur procesin demokratik brenda PD-së, pa imponuar trashëgimtarë politikë.
“Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë.
Unë e kam bërë realitet.
Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen.
Dhe një i ri erdhi pas meje.
Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD.
Pasi u zgjodh, unë e mbështeta sepse unë isha thjesht një anëtar partie luajal i forcës time politike.
Por nuk mund të mos thuash se nuk ishte i ri.
Ishte i ri. Është tjetër problem se çfarë përfaqësimi bëri ai për gjeneratën e vet. Nuk ishte përgjegjësia ime ajo.
Të tjerë ka me mijëra sepse unë kurrë nuk besoj në të pazëvendësueshëm.
Por pyetja që më bëtë, unë jam njeriu që e kam provuar dhe e kam faktuar.
Dhe kam vepruar shumë drejt.
Unë nuk udhëhiqem nga paragjykimi. Mendova se një gjeneratë e re do ishte një shans i madh për forcën politike”, tha Berisha.