Nënkryetar i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediat akuzoi SPAK-un për dështimin e tij në hetimin e krimeve elektorale dhe për hetimet e dobëta që lidhen me abuzimet zgjedhore.
Sipas Boçit, SPAK është shndërruar në një instrument të pushtetit dhe krimit, duke mos marrë masat e nevojshme për të hetuar akuzat që përfshijnë figura të rëndësishme të qeverisë dhe administratës lokale.
Boçi theksoi se, megjithëse Partia Demokratike ka bërë denoncime konkrete dhe ka ngritur akuza serioze për shkelje të ligjit zgjedhor, përfshirë presionet ndaj punonjësve të PD-së dhe abuzimet e kryetarit të bashkisë së Shkodrës, SPAK ka mbajtur qëndrim të pasiv dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hetim serioz për këto raste.
“Ne e kemi thënë edhe para fushatës, dhe edhe pas fushatës, që SPAK është në shërbim të pushtetit dhe krimit.
Nuk ka hetime për krimet elektorale, dhe shenimet e zotit Berisha lidhen me atë që SPAK ka shënuar në dosjet 184/339, dhe vazhdimisht është aktualizuar mosveprimi i SPAK-ut, apo veprimet nga ana e kundërshtarit.
Në Shkodër kemi pasur denoncime konkrete për kryetarin e bashkisë. Madje ka pasur edhe kallëzim nga PD kundrejt tij për të ndërmarrë hetime dhe ndëshkimin e tij, pasi ka shkelur hapur ligjin dhe Kodin Zgjedhor.
Ai ka bërë edhe presion ndaj kryetares së PD, duke e thirrur nga SPAK për kallëzimin e saj, duke e vënë në një situatë që mund të kthehej në kallëzim të rremë.
Ndërkohë, ndërsa asfalti zgjedhor vazhdonte, punimet ishin pa tabela orientuese, thjesht për të dëshmuar dëshirën që kishte kryetari i bashkisë për të bërë investime në Shkodër.
Ne kemi bërë edhe kallëzime të tjera vazhdimisht për presione reale që u janë bërë punonjësve, të cilët kanë qenë komisionerë të PD-së, por SPAK nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Kjo ndodh, sepse SPAK me dashje ngatërron informacionin që ne japim si parti politike me kallëzime që vijnë nga persona të caktuar. Këtë lojë e ka luajtur gjithmonë”, tha Boçi.