Berisha: Të gjitha strukturat e PD janë të angazhuara në identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e farsës elektorale

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se të gjitha strukturat e Partisë Demokratike janë të angazhuara në identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e asaj që ai e cilëson si “farsë elektorale”.

Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha akuzoi qeverinë dhe kreun e SPAK, Altin Troplini, për manipulim të zgjedhjeve dhe për përdorim të propagandës për të fshehur të vërtetën.

“Po kush ia sjell kryetarit këto? I mbijnë nga qielli?

Të gjitha strukturat e PD janë të angazhuara në identifikimin, në verifikimin dhe certifikimin e farsës elektorale.

Natyrisht, siç e keni konstatuar edhe ju, një mal gjigant propagande mashtrimi është ngritur me qëllimin e vetëm që të mbulojë farsën elektorale, por gjithçka po shkrihet si bryma para diellit, si bora para diellit, nga këto fakte të përditshme që flasin dhe akuzojnë Edi Ramën dhe Altin Troplinin më shumë se gjithçka tjetër.

Pra, kjo që po ndodh këtu është një përgjigje ndaj trillimeve, mashtrimeve, dezinformimeve që pseudointelektualë, mercenarë të paguar nga krimi, të lidhur me krimin edhe në të shkuarën e tyre më të largët, përpiqen çdo ditë të sfumojnë, përpiqen çdo ditë të mbrojnë farsën elektorale të Edi Ramës dhe të fajësojnë opozitën si përgjegjëse për farsën.

Nuk ka amoralitet mediatik më të madh se ky.

Imagjinoni këta njerëz se si zhvishen. Këta janë pengje të të shkuarës dhe të vetes së tyre që detyrohen të marrin pjesë në një fushatë të tillë avokatie të krimit më të madh elektoral që ka ndodhur në Europë pas rënies së Perdes së Hekurt.

Ju e morët vesh që Edi Rama me shtetërimin e votës së diasporës, u afrua dhe vetëm dy pikë e ndajnë nga Asadi. Në Fier ishte 93 përqind Rama, 95 përqind ishte Asadi para se të merrte avionin.

Kështu që këtu është Këshilli Kombëtar, anëtarësia e PD, këtu janë 600 mijë qytetarë që nuk votuan Edi Ramën, janë në këtë gjyq publik që i bëhet farsës elektorale”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

E vërteta e restaurimeve në ish-burgun e Spaçit, Lubonja zbulon prapaskenat e Ministrisë

Publicisti dhe ish-i burgosuri politik, Fatos Lubonja, ka reaguar me tone të forta nga ish-burgu …