Nga Boldnews.al
Në 22 Maj të vitit 2025, Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur përfundimisht për shfuqizimin e një gjobe me vlerë 63 milionë lekë të reja (mbi 600 mijë euro), të vendosur nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranë ndaj kompanisë “TDT & Partners”, e cila po ndërton kullën “Book Building”, pasi ka konstatuar ndërtimin pa leje të një kati shtesë me sipërfaqe 1800 m2 në parkimin e godinës në qendër të Tiranës.
Gjoba ishte vendosur në vitin 2022. E gjithë historia ka vënë në përplasje nga njëra anë Bashkinë e Tiranës, që drejtohej nga Erion Veliaj deri në arrestimin e tij, në shkurt 2025 dhe nga ana tjetër Këshillin e Rregullimit të Territorit, një strukturë që kryesohet nga kryeministri Edi Rama.
Është një nga ato përplasje ndërmjet dy njerëzve të fuqishëm, të cilat mundohen të fshihen nga sytë e publikut. Mes Ramës dhe Veliaj, në këtë rast, qëndron pronari i kompanisë ndërtuese, Dajlan Avdia, një ish-drejtues kompanish bastesh sportive, të shndërruar në biznesmen ndërtimi pas mbylljes së lojrave të fatit.
Kulla, 1800 m2 pa leje
Në bazë të këtij vendimi, Bashkia e Tiranë ka nxjerrë lejen e ndërtimit në dhjetor 2018, me subjekt zhvillues “Techno-Alb” dhe subjekt ndërtimor “TDT & Partners”, në pronësi të Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Punimet për ndërtimin e kullës në qendër të kryeqytetit.

Pas nisjes së gërmimeve, në momentin kur është arritur në nivelin (-3), të miratuar në leje, është konstatuar papërshtatshmëri e përbërjes gjeologjike. Bazuar në një raport ekspertize inxhinjerike, ndërtuesi vijon gërmimet deri në kuotën (-4), nën argumentin e sigurimit të një shtrese të mirë për mbajtjen e strukturës.
Këto punime, në një total prej 1800 m2 katrorë shtesë nga leja e ndërtimit, janë kryer në Prill 2020, kur e gjithë Shqipëria, si edhe pjesa më e madhe e botës, nuk lejohej të dilnit nga shtëpitë e tyre, për shkak të pandemisë Covid-19.
Përplasja Rama-Veliaj
Në dhjetor të vitit 2020, pas më shumë se 8 muaj nga kryerja dhe përfundimi i plotë i gërmimeve, kompania ndërtuese “TDT & Partners” aplikon në Bashkinë e Tiranës për leje për ndryshim projekti, duke kërkuar miratimin e katit shtesë të parkimit, në kuotën (-4).
Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Veliajt, në shkurt 2021, e refuzon kërkesën me argumentin se, nga dokumentacioni i vënë në dispozicion, rezulton se nuk plotësohen kriteret ligjore, si edhe për faktin që kërkesa i duhet drejtuar autoritetit që ka dhënë lejen, pra Këshillit të Rregullimit të Territorit (KKT).

Kompania ndërtuese i drejton KKT-së, e cila, me vendim e datës 10 qershor 2021 ka pranuar kërkesën e “TDT & Partners”, duke miratuar ndryshimin nga 3, në 4 numrin e kateve nëntokë.

Pas këtij vendim, shoqëria e Dajlan Avdias i drejtohet sërish Bashkisë së Tiranës në Tetor 2022 për “Leje për ndryshim projekti gjatë ndërtimit me numër katesh nëntokë “4”.
Bashkia e Tiranës, e refuzon, me argumentin se “Tarifa e shqyrtimit të aplikimit nuk mund të përllogaritet pasi mungon preventivi i punimeve të sipërfaqes shtesë”.
Kompania e ndërtimit dërgon disa dokumenta shtesë dhe Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj e refuzon kërkesën për herë të dytë, me argumentin “preventivi i punimeve nuk është hartuar konform udhëzimit nr. 2/2003”.

E gjithë kjo histori duket se ishte kthyer në një përplasje mes Edi Ramës, që miratoi shtesën e katit për kullën “Book Building” dhe Erion Veliajt që refuzonte lejen e ndërtimit për atë shtesë.
Gjoba
Pas dy aplikimeve të refuzuara, në 14 nëntor 2022, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës, i drejtuar në atë kohë nga Mariglen Qato, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryebashkiakut Erion Veliaj, paraqitet në kantierin e “Book Building”, i cili gjendet fare pak metra nga godina e Bashkisë së Tiranës.
Inspektorët ndërtimor konstatojnë 1800 m2 në kundërshtim me lejen e miratuar në katin e katërt nëntokë të kullës dhe morën vendim për gjobitjen me 63.350.000 lekë të reja, si edhe vendim “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm”.

Me lejen e Ramës nga njëri xhep dhe me gjobën e Veliajt në xhepin tjetër, shoqëria “TDT & Partners” i drejtohet Gjykatës Administrative Tiranë, në të cilën kundërshton vendimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Gjykatat “e buta” me Kullën
Në tetor të vitit 2023, trupa e gjykatës administrative të Tiranës pranoi kërkesën e ndërtuesit dhe shfuqizoi gjobën mbi 600 mijë euro për kompaninë e Dajlan Avdias.
Sipas atij vendimi, të konsultuar nga “Boldnews.al”, gjykata ka vlerësuar se Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur gjobën përtej afateve ligjore.
Siç argumentohet në vendim, gjoba është vendosur “në kundërshtim me përcaktimet e nenit 17, të ligjit nr. 10279/2010 “Për kundravajtet administrative”, pasi shqyrtimi i kundërvajtjes është bërë në tejkalim të afatit të parashikuar nga ligji”.
Gjykata Administrative e Tiranës ka theksuar se ligji parashikon që “shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet brënda 30 ditëve nga data e konstatimit tësaj, por jo më vonë se 6 muaj pas kryerjes së kësaj kundërvajtjeje”.

Nga aktet e dorëzuara në gjykatë, rezulton se kati shtesë (kati i katërt nëntokë) është kryer në periudhën prill-maj 2020, ndërkohë që gjoba nga Inspektorati i drejtuar nga Mariglen Qato është vendosur në dhjetor 2022, pra më shumë se një vit e gjysëm pas kryerjes së shkeljes.
Bazuar në argumenta të ngjashme, edhe Gjykata e Apelit Administrativ ka lënë në fuqi vendimin për shfuqizimin e gjobës për kompaninë e Kullës, në 22 Maj 2025.
Kati pa leje i kullës “Book Building” është aty. Janë rreth 1800 m2 shtesë në parkim, të cilat, natyrisht, shndërrohen në përfitim te konsiderueshëm për kompaninë ndërtuese. Por, e gjithë shkelja u legjitimua nga vonesa e gjobitjes nga ana e inspektoëve të Bashkisë së Tiranës.