Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu lidhur me dënimin e tij me 10 ditë pa aktivistet sportiv pas një interviste live me gazetaren Beti Njuma në “Ora News”.
Meta paralajmëron se kryeministri Edi Rama po tenton të uzurpojë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shton se nuk është penduar që kandidoi në listën e hapur për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Zoti Meta, përsëri shtyrje të hetimit për ju. Si e shpjegoni?
Në regjimin e inceneratorit që nuk ekziston, por që vetëm Altini nuk e kupton, kjo është “normale”.
Sidomos kur ndodh vetëm një ditë pas përfundimit të hetimeve zyrtare, të cilat po ashtu ishin shtyrë 6 muaj vetëm në interes të izolimit tim ekstrem, me qëllim rrëmbimin e 83 mandateve në 11 Maj nga Kreu i Narkoregjimit.
Kështu që nuk jam fare i zhgënjyer nga SPAK, se ata kurrë s’më kanë zhgënjyer në partishmërinë e tyre të lartë.
Si mund të siguronin edhe ata vetë mandate të përjetshme në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin?
Duhet t’i mirëkuptojmë edhe ata.
Mos jeni i penduar tani që nuk hytë në listë të mbyllur për deputet?
Nuk pendohem kurrë për vendimet që i marr me bindje të plotë.
Fakti që ndodhem në një izolim ekstrem, ku as deputetët dhe eurodeputetë apo gazetarë nuk janë lejuar të më takojnë, nuk mund të më detyrojë t’i marr vendimet si një lider që ka bërë më të mirën për demokracinë e pluralizmin politik që nga Dhjetori ’90 me Lëvizjen Studentore e deri tani.
Unë kam bërë grevë urie kundër ndryshimeve kushtetuese të nxituara në vitin 2008, që pollën listat e mbyllura dhe vranë shpirtin e parlamentarizmit për të arritur deri këtu ku jemi sot.
Këto pasoja nuk u ndjenë shumë deri në vitin 2019 kur edhe LSI dogji mandatet apo edhe thërrisja popullin në mitingun historik të 2 Marsit për të ndalur ligjin e betimeve te Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Shikoni ç’po ndodh aktualisht! Duan të zerojnë çdo mendim pakice edhe në Gjykatën Kushtetuese, ndaj po e shkelin shumë rëndë Kushtetutën për të hequr edhe të vetmen gjyqtare të pavarur.
Jo se ajo mund t’i pengojë në Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në shërbim të regjimit, por se i tmerron e vërteta, argumenti, logjika, objektiviteti dhe integriteti se i nxjerr zbuluar të besuarit e “Rilindjes”.