Berisha: Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë të egër presioni në nivelet më të larta mbi vëzhguesit ndërkombëtarë!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se qëllimi i tij është të zbulojë farsën e 11 Majit dhe manipulimet e Edi Ramës. Ai akuzoi Ramën për ushtrim presioni ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë për të mbuluar të vërtetën.
Berisha theksoi se opozita ka fakte të forta që dëshmojnë manipulimin e procesit zgjedhor. Ai kërkoi angazhim për zgjedhje të lira dhe të drejta, duke rikthyer dinjitetin dhe votën e lirë në duar të shqiptarëve.
“Qëllimi kryesor im këtu është t’u faktoj shqiptarëve të gjithë farsën e 11 Majit.
T’i faktoj komunitetit ndërkombëtar të gjithë përmasat e kësaj farse.
Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë të egër presioni në nivelet më të larta mbi vëzhguesit ndërkombëtarë në Shqipëri dhe drejtuesit e tyre.
Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me këto trupa dhe ne u dërgojmë atyre të gjitha.
Edi Rama u ka shtruar një pyetje atyre: ku i keni faktet për ato që keni shkruar.
Faktet që ne kemi për 5 mijë qendra votimi janë një tërkuzë e gjatë mijëra e mijëra kilometra po të rreshtohen njëra pas tjetrës.
Por ne kemi gjithashtu synim të kthjellojmë shqiptarët, të qartësojmë shqiptarët, të motivojmë shqiptarët se qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira duhet të jenë beteja jonë me të gjithë potencialet.
Se tellallët, intelektualët e llumit, të lidhur me fije të panumërta me krimin e djeshëm dhe krimin e sotëm, me krimin politik të diktaturës e kam fjalën, dhe me krimin e bandave të sotme, që nga mëngjesi gjer në darkë, ku janë dhe ku nuk janë, përpiqen të përligjin farsën e Edi Ramës, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët se fajin e ka opozita, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët se Edi Rama vodhi, por i fitoi, duke treguar moralin e kalbur të tyre.
Pra, përballë kësaj propagande të kontrolluar plotësisht nga qeveria dhe të paguar nga qeveria, ne paraqesim çdo ditë fakte dhe dokumente që dëshmojnë, u provojnë shqiptarëve se çfarë ndodhi me 11 Maj dhe në fushatën elektorale në Shqipëri.
Pra, ky është qëllimi ynë.
Natyrisht e gjitha kjo është në funksion të motivimit të fuqishëm të shqiptarëve idealistë, të cilët besojnë se lufta për votën e lirë, është luftë për dinjitetin, është luftë për të ardhmen dhe janë të gatshëm për të gjitha sakrificat që t’i rikthejnë votën shqiptarëve”, tha Berisha.

 

About Redaksia

Check Also

Akuza të reja ndaj Ballukut, gazetarja: SPAK dhjetëra kontrolle te vartësit e saj!

Gazetarja Klodiana Lala foli në emisionin “Kjo Javë” mbi të rejat më të fundit lidhur …