Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi ka folur për procesin që nis javën që vjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rinumërimin e votave për kryeqytetin, pas kërkesës së dy anëtarëve të opozitës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.
Në një intervistë për MCN TV, Këlliçi u shpreh se fokusi i Partisë Demokratike në këtë proces është rikuperimi i mandatit të 14-të që i përket kandidatit Ilir Alimehmeti, i cili arriti të marrë 18 mijë vota preferenciale.
“Me rëndësi është që ne të mbrojmë e garantojmë votat e PD për kandidatët e PD. Ne disponojmë fakte që janë mbledhur nga deputeti Asllan Dogjani, administrimi i kamerave që ka poseduar është vërejtur tjetërsim i votave të PD në favor të PS në Babrru, Paskuqan e Kamëz”, tha Këlliçi.
Ai shton se, opozita ka humbur mandate nga votat e pavlefshme dhe për një grusht votash, PD-së iu mohua mandati i 14-të në kryeqytet.