Juristi Franc Nuri, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, deklaroi gjatë një interviste në emisionin Task Force me Sonila Meçon në SYRI TV se PD ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në qarkun e Tiranës, duke e cilësuar këtë si kërkesën e parë dhe të dytë zyrtare.
Nuri theksoi se kërkesa e tretë lidhet me rivlerësimin dhe rinumërimin e votave, në rast se do të konstatoheshin parregullsi të rënda që do ta impononin një proces të tillë. Sipas tij, kërkesat janë bërë edhe për qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Fierit, nisur nga provat dhe indiciet që kanë sjellë kandidatët përkatës.
Ai u shpreh se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve nuk është pozicionuar ende për pavlefshmërinë, duke sqaruar se “do të shprehet në fund të gjithë procesit ankimor”. Megjithatë, për shkak të kërkesës për rivlerësim dhe rinumërim, PD kërkon që të hapen dhe të kontrollohen menjëherë kutitë përkatëse.
“Duam që çdo parregullsi të evidentohet në procesverbal. Kemi pasur probleme me vulat e sigurisë, që nuk përputhen me ato që ishin miratuar më parë. Janë gjetur kode të ndryshme sigurie dhe në disa raste mungon edhe procesverbali i hapjes,” deklaroi Nuri.
Ai shtoi se synimi i Partisë Demokratike është që çdo hallkë e procesit të skanohet dhe të shihet nga fillimi deri në fund, në mënyrë që të garantohet transparencë.
Duke komentuar përmasat e manipulimeve në zgjedhjet e këtij viti, Nuri tha: “Në zgjedhjet e 2025, kemi një shkallë manipulimi shumë më të madhe se në 2021 dhe 2023. Është një masakër. Farsa zgjedhore është më e madhe se kurrë, vetë rezultati e tregon”, tha Nuri.
Gjithashtu, ai kritikoi ashpër qëndrimin e KQZ-së në seancat e fundit, duke thënë se “po mbron atë që është e pambrojtshme”.
“Ne kemi kërkuar për qarkun e Tiranës, pavlefshmërinë e zgjedhjeve, përsëritjen e tyre, si pikë e parë dhe pikë e dytë.
Pika e tretë ishte rivlerësimi dhe rinumërimi eventualisht.
Pra nëse do të gjendeshin parregullsi të tilla, që do të kishte pastaj nevojë edhe për rivlerësimin e votave, do të kryehej ky proces.
Nisur edhe nga kërkesat e kandidatëve të ndryshëm që kishin sjellë prova dhe indicie për parregullsi të ndryshme, i kërkuam të dyja këto për qarkun e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit… pak a shumë këto zona.
Dhe për efekt të procesit, KAS nuk shprehet për pavlefshmërinë, por thotë: prit, dhe thotë do të shprehemi në fund kur ta mbyllim të gjithë procesin ankimor, por sot meqenëse ju kërkoni edhe rivlerësimin edhe rinumërimin, ne atëherë po e ndërpresim procesin ankimor, po i hapim këto kuti, po i shohim, po i këqyrim, në sajë të provave në lidhje me procesin ankimor.
Dhe ne duam si PD që të gjitha parregullsitë të mbahen shënim, të shënohen, të evidentohen në procesverbale. Për shembull, nuk janë vulat e sigurisë në rregull, kanë pasur vula të tjera, tani dalin vula të tjera, kode sigurie të tjera, ose kode sigurie të tjera, apo mungon procesverbali i hapjes.
Ne këtë e kemi si synim, që të gjitha kutitë të shihen dhe të skanohen, pra të shihet çdo lloj hallke nga fillimi deri në fund.
Në zgjedhjet e 2025, unë kam përshtypjen që kemi një shkallë manipulimi shumë më të madhe se në 2021, dhe në 2023.
Është një masakër, dhe farsa zgjedhore është shumë më e madhe në vlerësimin tim sesa në 2021, vetë rezultati e tregon.
KQZ në seancat e sotme ka mbrojtur atë që është e pambrojtshme”, u shpreh Nuri.