CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Papunësia dhe varfëria/ Zheni Gjergji: Shqipëria larg standardit europian të dinjitetit njerëzor!

Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji e pranishme në  Komisionin e Stabilizim-Asocimit në Strasburg, ngriti shqetësimin para kolegëve për situatën alarmante të mbrojtjes sociale në Shqipëri, duke theksuar se mbrojtja sociale është themeli i barazisë dhe dinjitetit njerëzor që çdo vend anëtar i Këshillit të Europës duhet të garantojë. Ajo vuri në dukje se zgjedhjet e 11 majit dëshmuan mungesën e reformave të thella dhe keqpërdorimin e fondeve publike, që lanë qytetarët më të pambrojtur viktima të një sistemi që ende nuk vendos barazinë dhe dinjitetin në qendër të qeverisjes.

Gjergji shtoi se Shqipëria, pavarësisht disa hapave në letër, përballet ende me sfida serioze në zbatimin e politikave sociale, ku papunësia, varfëria dhe mungesa e mbështetjes për shtresat në nevojë tregojnë se reformat janë më shumë propagandë sesa politika efektive.

Fjala e deputetes Zheni Gjergji

Të nderuar kolegë,

Dua të nis këtë fjalë duke theksuar rëndësinë që ka për çdo vend anëtar i Këshillit të Europës mbrojtja sociale si themel i barazisë dhe dinjitetit njerëzor. 

Zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri dëshmuan se, përballë mungesës së reformave të thella në mbrojtjen sociale dhe keqpërdorimit të fondeve publike për përfitim elektoral, qytetarët më të pambrojtur mbeten sërish viktimat e një sistemi që ende nuk vendos barazinë dhe dinjitetin njerëzor në qendër të qeverisjes.

Shqipëria, ndonëse ka ndërmarrë disa hapa në letër për përmirësimin e politikave sociale, ende përballet me sfida serioze në zbatimin real dhe gjithëpërfshirës të këtyre reformave.

Nga pozita e një deputeteje opozitare dhe profesionisteje në fushën e shëndetësisë, nuk mund të mos evidentoj mungesën e një vizioni të qartë dhe të qëndrueshëm për zhvillimin social. 

Shifrat e papunësisë, varfërisë, shpërndarjes së padrejtë të ndihmës ekonomike, dhe mungesës së mbështetjes për shtresat në nevojë, tregojnë se reformat e ndërmarra janë më shumë propagandë sesa politika sociale efektive.

Papunësia, dhe veçanërisht ajo në radhët e të rinjve, mbetet një nga plagët më të mëdha sociale në Shqipëri. Megjithë deklaratat entuziaste të qeverisë për rritje dyshifrore në sektorë si turizmi dhe ndërtimi, realiteti në terren flet ndryshe. 

Mijëra të rinj po largohen nga vendi për mungesë mundësish, ndërsa vendet e punës që krijohen janë të pasigurta, me paga minimale dhe pa të ardhme. 

Ky kontrast midis propagandës dhe realitetit është dëshmi e mungesës së një politike të mirëfilltë për punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm social.

Vlen të theksohet se ekonomia informale vijon të mbetet në nivele shqetësuese në Shqipëri, duke ndikuar negativisht jo vetëm në të ardhurat publike, por edhe në klimën e biznesit dhe konkurrencën e ndershme. 

Ky fenomen cenon barazinë sociale dhe krijon pabarazi në aksesin ndaj mbrojtjes sociale.

Për sa i përket Kapitullit 19 të acquis, që trajton politikat sociale dhe punësimin, progres-raporti i fundit i Komisionit Europian tregon qartë një ngërç: prej vitesh situata mbetet e pandryshuar, ndërsa përgatitja e Shqipërisë për të përparuar në këtë fushë vlerësohet si vetëm pjesërisht e mjaftueshme.

Kjo tregon mungesën e një vizioni të qëndrueshëm dhe të qëllimshëm nga ana e qeverisë. 
Nevojiten përpjekje reale dhe të strukturuara për të forcuar sistemin e mbrojtjes sociale, për të rritur cilësinë dhe qasjen në shërbimet sociale, si dhe për të ndërtuar një dialog social të sinqertë dhe funksional.

Po ashtu, masat për rregullimin dhe dinamikën e tregut të punës duhet të jenë më të efektshme dhe gjithëpërfshirëse.

Nëse Shqipëria dëshiron të ecë me ritmet e duhura drejt integrimit europian, politikat sociale nuk mund të mbeten peng i premtimeve boshe dhe reformave të gjysmë-zbatuara.

Masat e ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024 nuk përmbushën rekomandimet e Komisionit Europian dhe për rrjedhojë, ato rekomandime mbeten ende të vlefshme për vitin aktual. Shqipëria përballet me një nevojë urgjente për:

→ miratimin e Strategjisë së re Kombëtare për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë 2023–2030, me fokus në forcimin e kapaciteteve zbatuese;

→ zbatimin e plotë të Planit të Veprimit për Garancinë për Fëmijë, përfshirë krijimin e një mekanizmi të indeksimit të përfitimeve të Ndihmës Ekonomike;

→ shtrirjen e projektit pilot të Garancisë Rinore në më shumë rajone të vendit;

→ rritjen e buxhetit për shërbimet sociale, sidomos për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, si dhe monitorimin efektiv të përdorimit të Fondit Social;

→ forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore për të siguruar fonde të mjaftueshme dhe ndërtimin e një sistemi të koordinuar referimi për shërbimet sociale.

Ndryshe nga rekomandimet e përsëritura të Komisionit Europian dhe konstatimet e raportimeve ndërkombëtare, mungesa e vullnetit politik nga maxhoranca aktuale për miratimin e minimumit jetik kombëtar ka sjellë që komunitetet dhe shtresat më vulnerabël të shoqërisë të vazhdojnë të përballen me mungesa të mëdha në shërbimet sociale, të cilat nuk përputhen me nevojat e tyre reale.

Kujtojmë se gjatë periudhës janar-maj 2025, qeveria, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, shpërndau plot 2.2 milion euro bonuse të maskuara si pagesa për paaftësi. 
Ndërkohë, shpenzimet publike për skemën e Ndihmës Ekonomike u ulën për vitin 2025, duke përjashtuar nga kjo skemë 500 familje dhe 2,000 persona me aftësi të kufizuara.

Në të njëjtën periudhë, po në shkelje të Kodit Zgjedhor, u punësuan 2,376 persona në administratën shtetërore, duke shkaktuar një kosto shtesë prej 7.2 milion eurosh në buxhetin e shtetit.

Një studim i publikuar nga Reporter.al tregon se gjatë një dekade, administrata shtetërore – qendrore dhe lokale – është zgjeruar me 20,000 punonjës të rinj. 

Nga këta, rreth 30% ose afërsisht 7,000 mbajnë pozicione menaxheriale ose drejtuese, duke udhëhequr dhe organizuar punën e rreth 11,000 specialistëve.

Ky raport, që evidenton gati 1 pozicion drejtues për çdo 2.5 specialistë, dëshmon qartë se zgjerimi i punësimit në sektorin publik nuk shërben rritjes së eficencës së administratës, por favorizimeve politike, siç është dëshmuar edhe këtë vit me shifrat e përmendura më lart.  

Në fund, kostoja financiare e administratës së fryrë në një vend ku popullsia është zvogëluar mbi 15% në të njëjtën dekadë, dhe ku e-shërbimet pretendohet se po dominon shërbimet publike, bie mbi shpatullat e qytetarëve, duke reduktuar burimet për shërbimet sociale dhe programet efektive për nxitjen e punësimit dhe aftësimit profesional.

Sa i përket shëndetit dhe sigurisë në punë, legjislacioni është vetëm pjesërisht i përafruar me acquis-në e BE-së.

Kapacitetet institucionale dhe proceset e inspektimit mbeten të dobëta dhe të pamjaftueshme.

Gjithashtu, Shqipëria ende nuk ka miratuar strategjinë kombëtare për shëndetin dhe sigurinë në punë, e cila duhet të jetë në përputhje me kornizën strategjike të BE-së 2021-2027 për këtë fushë.

Lidhur me dialogun social, Këshilli Kombëtar i Punës nuk është mbledhur gjatë periudhës së vlerësuar. Bashkëpunimi trepalësh midis Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale, sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve mbetet i dobët dhe joefektiv.

Monitorimi i Planit Kombëtar të Veprimit për personat me aftësi të kufizuara vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.

Varfëria relative mbetet në nivele të larta, duke prekur mbi 46.6% të popullsisë, ndërsa varfëria absolute përfshin afërsisht 29.6% të saj.

Kjo situatë prek jo vetëm grupet vulnerabël, por në mënyrë të veçantë fëmijët dhe gratë, ku niveli i varfërisë arrin deri në 27.5%.

Në këtë kontekst, Qeveria ka refuzuar miratimin e minimumit jetik, pavarësisht se opozita ka depozituar një projektligj në Kuvend që nga fillimi i vitit 2023.

Vendosja e minimumit jetik është propozuar zyrtarisht nga Avokati i Popullit në vitin 2019, dhe propozimi i opozitës e vlerëson atë në rreth 200 euro si nivel minimal jetese në vend.

Ndërkohë, pensionet e pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe pagesat e papunësisë apo ndihmës ekonomike mbeten ende nën këtë prag minimal.

Për vitin 2024, pensionet e pleqërisë ishin vetëm 183 euro, ndërsa mbi 600 mijë persona, ose rreth 25% e popullsisë, jetojnë nën minimumin jetik të papërcaktuar zyrtarisht.

Gjithashtu, më shumë se 50% e pensioneve të pleqërisë (rreth 300,000 persona) nuk marrin pension të plotë për shkak të mungesës së vjetërsisë së punës dhe përfitojnë vetëm pension social, i cili është nën 100 euro në muaj.

Raporti midis pensionit mesatar dhe pagës mesatare është rritur duke u përkeqësuar; aktualisht ky raport është mbi 1 në 4, ndërsa 12 vite më parë ishte pak më shumë se 1 në 3.

Regjistri Elektronik Kombëtar i Shërbimeve të Kujdesit Social nuk funksionon plotësisht dhe kërkon përmirësime urgjente.

Në lidhje me mosdiskriminimin në punësim dhe politikat sociale, përputhja me legjislacionin e BE-së, veçanërisht me Direktivat për Barazi në Punësim (2000/78/KE), mbetet ende e paplotësuar.

Sistemi për monitorimin e punës së fëmijëve dhe formave të tjera të shfrytëzimit, si dhe koordinimi midis Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Inspektoratit të Punës, vazhdon të jetë i dobët.

Siguria dhe shëndeti në vendin e punës vazhdojnë të hasin sfida të konsiderueshme, pasi legjislacioni është vetëm pjesërisht i harmonizuar me acquis-në e Bashkimit Europian.

Kapacitetet institucionale dhe mekanizmat e inspektimit mbeten të dobësuar dhe jo të efektshëm.

Për më tepër, Shqipëria nuk ka miratuar ende një strategji kombëtare për shëndetin dhe sigurinë në punë, e cila do të duhej të përputhej me kornizën strategjike të BE-së për periudhën 2021-2027.

Sa i përket barazisë gjinore në punësim dhe politikat sociale, pabarazia mbetet evidente, me shkallën e punësimit të burrave që në tremujorin e katërt të vitit 2023 ishte 72.5%, duke tejkaluar atë të grave me 10.4%.

Së fundmi dua të theksoj se: Në mungesë të veprimeve konkrete dhe përkushtimit të duhur, këto sfida sociale dhe ekonomike do të vazhdojnë të thellojnë pabarazitë dhe do të dëmtojnë shoqërinë shqiptare në tërësi.

Pa një përkushtim të sinqertë për reforma thelbësore dhe zbatim efektiv të politikave sociale, sfidat aktuale do të vazhdojnë të rëndojnë mbi shtresat më të prekshme, duke penguar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

About Redaksia

Check Also

Malaj: Me Ramën më ndau babëzia e tij për pushtet të përjetshëm

Postimi i Arben Malajt Para 2005 na bashkonte Sheqerja, shitsja e urte dhe embel e …