Për Ilir Metën, ish-president, aktualisht i burgosur në burgjet politike të Edi Ramës

Nga Ndriçim KULLA

Ilir Meta hyri në Presidencën e Republikës pasi kishte provuar të gjitha postet e mundshme në politikë, duke përfshirë dy postet e tjera më të larta të shtetit: kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Vetë fakti që politikani i majtë Ilir Meta është i pari njeri nga ky formacion politik në politikën shqiptare, i cili ka mbajtur të tria postet më të larta të shtetit, ka një kuptim të veçantë. Shkurt, nëse kishte njeri për momentin, një njeri që e njihte shtetin dhe që dinte ta bënte detyrën e Presidentit, ky ishte Meta. Njeriu që do të mbante postin e Presidentit duhej t’i rezistonte presioneve që i bëheshin nga krahët e ndryshëm të politikës, veçanërisht nga qeveria.

Si politikan, ai ka treguar se ka këtë aftësi të madhe. Së paku dy herë, në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese, dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, pamë se ai i rezistoi presionit të dyanshëm të ushtruar nga të dy krahët e politikës.

Është e vërtetë që për Metën si President ka pasur paragjykime, të cilat kanë ardhur në një masë të madhe nga lufta politike që i është bërë atij prej kundërshtarëve të tij politikë, një luftë që nuk është veçanti në politikë. Për aferat për të cilat është akuzuar, Meta është përballur me drejtësinë dhe ka fituar pafajësinë. Mund të thonë çfarë të duan për mënyrën se si janë zhvilluar këto gjyqe, por Meta është lider që iu nënshtrua gjyqeve për akuzat ndaj tij, duke mos përdorur pozitën e tij për të shpëtuar me arsye procedurale apo duke përdorur ndikimin politik që çështjet e ngritura ndaj tij për afera korruptive të mos shkonin në gjykatë. Meta pra, ishte një hap para të tjerëve këtu. Çuditërisht, Meta me këtë veprim ka marrë koston e paragjykimeve.

Disa njerëz shprehën dyshime për performancën e tij në Presidencën e Republikës, pikërisht për shkak të këtyre paragjykimeve. Por ku e mbështesin kundërshtarët e Metës imazhin e keq që kanë krijuar për të? E para, te vjedhja e floririt të thesarit të shtetit në Kërrabë, në kohën kur Meta ishte kryeministër. Por procedura për verifikimin e thesarit ishte e tillë që kryeministri mund të vinte në dijeni vetëm pasi të kishin kryer inventarizimin bashkërisht tre zyrtarë të lartë të ngarkuar nga ligji për këtë gjë: ministri i Financave, ministri i Brendshëm dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Të tre këta e kishin neglizhuar detyrën dhe kishin firmosur shkresa pa kryer verifikimet e duhura. Kryeministri nuk mund të shkonte vetë në tunelet e Kërrabës dhe të bënte revizionin. Në çastin që u njoftua se kishte një problem, kryeministri urdhëroi një kontroll. Një deputet i dikshëm i PS-së ka akuzuar me emër Fatos Nanon si hajdut të floririt të thesarit të shtetit.

E dyta, ky imazh i keq i Metës mbështetej te videoja e Dritan Priftit me bllokun e famshëm, që solli 21 janarin. E kam parë atë video kur u shfaq, e kam riparë edhe tani që po shkruaj këta rreshta dhe sinqerisht shikoj që vetëm një gjë del qartë: Kryetari i partisë i kërkon llogari ministrit të partisë së tij për një qytetar biznesmen që ankohet për pagesën e 700 mijë eurove ose dollarëve për pranimin e një kërkese që ka bërë. Sapo u shfaq videoja, Meta dha dorëheqjen, gjë që me sa duket nuk po e bën sot Edi Rama i inceneratorëve, i McGonigalit, i nuses së Bilalit, i grabitjes së Gjipesë, i supervilës së Surrelit, i mjaftë aferave korruptive me thjeshtërzën e gruas së tij, etj. Meta me dorëheqjen e tij tregoi se kishte siguri, jo te gjyqtarët e blerë, siç e akuzuan kundërshtarët e tij, por te sjellja e tij. Më thoni, ku ka ndodhur që të dënohet një kryetar partie, i cili i kërkon llogari ministrit të partisë së tij për ankesën e një qytetari që flet për një pagesë prej 700 mijë eurosh apo dollarësh për të fituar një aplikim në një zyrë shtetërore?

Fakti që ata që i bënë një luftë të madhe politike Metës për ta përlyer si hajdut, më në fund e zgjodhën President, me 87 vota, i hedh poshtë më mirë se çdo gjë akuzat ndaj tij.
Megjithë ndryshimet e sforcuara kushtetuese që Edi Rama u bëri kompetencave të Presidentit, duke i zvogëluar ato, unë kam qenë nga ata njerëz që kam menduar gjithmonë se Meta mundi ta ridimensionojë dhe ta rritë shumë rolin e Presidentit duke përdorur kompetencat që zotëronte. Një president si ai mendoj se i përdori me shumë efektivitet ato kompetenca që i jepte Kushtetuta për të kërkuar nga ministritë dhe institucionet e ndryshme raporte për çështje që kanë të bëjnë me punën e tyre dhe sidomos për çështje për të cilat opinioni publik ka shumë interes. Në respekt edhe të institucionit të Presidencës, unë përsëri isha njëri prej atyre që iu drejtova publikisht me besim presidentit Meta për kulturën dhe problemet e lirisë së fjalës që ka shoqëria e sotme shqiptare, duke mos përjashtuar edhe problemet e tjera. Qartësisht, ai si President e konceptoi detyrën e tij si partneritet të drejtpërdrejtë me publikun, ashtu siç imitoi ta bënte, por dështoi realisht në çdo përpjekje kryeministri Rama.

Ilir Meta duhet gjykuar me të mirat dhe të këqijat e tij si një politikan shqiptar i guximshëm, që ka shërbyer në një tranzicion të gjatë, të vështirë dhe mjaft kompleks të Shqipërisë.

Sot, Ilir Meta, ish-President, ish-kryeministër dhe Kryetar i Partisë së Lirisë, ndodhet i burgosur në burgjet politike të Edi Ramës. Ashtu si Sali Berisha, ish-kryeministër, ish-President dhe kryetar i opozitës, i akuzuar pas tetë vjetësh i larguar nga pushteti dhe me një akuzë të gjykuar njëherë si i pafajshëm, akuzohet në të njëjtën akuzë, me një gjyq që e provoi si të pafajshëm. Kështu edhe Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.

Nga politika botërore kemi shembuj të figurave politike të ngjashme me Metën, të cilët kur kanë arritur në stadin e tyre, kanë menduar për historinë, pra që të lënë një emër të mirë në historinë e vendit të tyre. Meta tani është në fazën më kritike të provës me sfidën e madhe të karrierës së tij politike. Ai ka mundësinë energjike ta bëjë detyrën në këtë drejtim dhe ta kthejë si shembull në politikë, se e vërteta mbrohet edhe brenda mureve të qelisë së një regjimi, i cili e rrëmbeu në mënyrë banditeske në rrugë.

Unë jam i prirur pozitivisht të besoj në politikë për Metën, se do t’ia dalë të jetë dhe të mbetet një luftëtar i fortë, dhe që do të lërë gjurmë të thella në betejën për të vërtetën, sepse besoj plotësisht se ka vullnet për ta bërë këtë gjë.

About Redaksia

Check Also

Ramaduro, koka në Fox News e trupi në ertv-të e Tiranës

Nga Basir ÇOLLAKU Tre ngjarje rreth një individi, u kryqëzuan jo rastësisht në SHBA, kur …