Vlora, në gjendje të jashtëzakonshme!

Nga Rezenbrik Serjani
-Sekretar Funksional per Marredheniet me Publikun-PD Vlore

Jemi tashmë, në ditët më kulminante të sezonit turistik, ditë që Vlora dhe vlonjatët, sidomos bizneset e lidhura me sektorin turistik i presin me padurim dhe për të cilat investohet vit pas viti.
Por Bashkia Vlorë e mendon ndryshe shërbimin ndaj qytetarëve, menaxhimin urban të qytetit dhe zbatimin e ligjit.
U bën tash e dy vjet, që kryetari i Bashkisë Vlorë, e ka kolapsuar institucionin e Bashkisë Vlorë në një vatër keqmenaxhimi, mungesë transparence dhe llogaridhënie.
Asnjë punë nga Bashkia Vlorë, përgjatë gjithë vitit për t’i paraprirë një sezoni të mbarë turistik, dhe kjo si pasojë e një drejtimi mjeran, që nis nga Kryedrejtuesi i këtij institucioni, nga Kryetari i Bashkisë Vlorë, që për dy vjet akoma nuk e ka kuptuar se për cfarë ka nevojë ky qytet, në unison kjo me politikat antikombëtarë të keqqeverisësit Rama mbi Vlorën.
Ka më shumë se sa 1 muaj, që mbi 80% e qytetit të Vlorës nuk ka furnizim me ujë, edhe pse është kulmi i stinës së verës, temperaturave të larta dhe një sezoni turistik, që ka nisur i mbrapshtë me bekimin institucional të Bashkisë Vlorë.
Vlora është kthyer në thatësirë urbane, keqmenaxhim, kaos infrastrukturor dhe kolaps administrativ.
Cdo rrugë e rrugicë e qytetit është jofunksionale, e pakalueshmë, burim aksidentesh dhe totalisht nuk përmbushin asnjë parametër normal të përdorimit të tyre.
Kontenierët e mbetjeve urbane tejmbushen dhe shndërrohen në një pamje jo fort të këndshme për qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur bregdetin vlonjat për të kaluar disa ditë pushime.
Vlora sot i menaxhon mbetjet urbane në një vendgrumbullim, që sa herë kalon kapacitet grumbulluese, cuditërisht kthehet në një vatër të frikshme zjarri, duke performuar mbi panoramën e qytetit me shtëllunga të shëmtuara tymi kancerogjen.
Si kërpudha, taks-forcat bashkiake dhe qeveritare ushtrojnë presione mbi tur-operatorët turistik në qytet, duke ua vështirësuar punën e përditshme përgjatë sezonit turistik, si një tjetër simptomë e krizës. Trajtim i operatorëve turistikë si burim taksash, jo si bashkëpunëtorë zhvillimi. Në vend që Bashkia të jetë promotorr i një partneriteti serioz publik-privat për turizmin, ajo është shndërruar në një mekanizëm presioni dhe arbitrariteti ndaj bizneseve. Taksat rriten vit pas viti pa asnjë shpjegim bindës, ndërsa shërbimet mbeten në nivele skandaloze.
Tur-operatorët përballen me kontrolle selektive, gjoba të pakuptimta dhe mungesë të thellë bashkëpunimi, në një klimë ku administrata lokale nuk sheh turizmin si mundësi, por si “plaçkë financiare” për ta menaxhuar pa transparencë.
Kryetari i Bashkisë, që vazhdon të sillet si një figurant institucional, ka dështuar të kuptojë jo vetëm nevojat elementare të qytetit, por edhe të funksionojë si administrator i përditshëm i hapësirës publike. Ai është më i përqendruar në foto ceremonialë me personazhe televizivë, sesa në përballjen me realitetin konkret të qytetit.
Vlora është në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të drejtimit mjeran që ka kapluar sot Bashkinë Vlorë, ku Kryetari pret e përcjellë aktorë telenovelash dhe skuqt e zverdhet nga padroni i tij, dhe jo nga përditshmëria dhe jeta e këtij qyteti !

About Redaksia

Check Also

Binaj jep numrin e kontaktit/ Një lëvizje për ndryshim për ta shpëtuar Tiranën

Mesazhi: Me këtë video, dua të bëj një falënderim të sinqertë. Faleminderit të gjithë juve …