Balliu: Shteti i kapur nga Hajri dhe Troplini, SPAK nuk shikon paratë që i shkojnë krimit prej qeverisë e cila është bashkëpunëtore

Deklarata e shefit të organizimit në PD, Klevis Balliu:

Nëse ka një emër që mjafton për të kuptuar gjendjen e mjerueshme të drejtësisë në Shqipëri, ai është Altin Hajri, një nga figurat më të errëta të botës së krimit të organizuar në vend, i shpallur në kërkim ‘me letra’ nga SPAK.

Në realitet ai vijon aktivitetin i lirë dhe i papenguar.

Pavarësisht se është zyrtarisht në kërkim për përfshirje në vepra të rënda penale, Altin Hajri, duke përdorur emrin dhe firmën e bashkëshortes, përfiton leje ndërtimi përmes të cilave pastron paratë e krimit dhe shton milionat.

Është i njëjti person që, siç zbulojnë komunikimet e SKY EÇ, ka ndikuar drejtpërdrejt në përpilimin e listave të deputetëve të Partisë Socialiste në Durrës. Altin Hajri e ‘ngjiti’ Ergys Çyrben nga vendi i pestë në të tretin. Ky ishte shpërblimi  për faktin se Çyrbja e kishte fshehur gjatë kohës që ai kërkohej për një vrasje që dyshohet të ketë kryer.

SPAK që ka shpallur në kërkim burrin, nuk e vë dot re se gruaja bën ‘biznes’ e pashqetësuar?

Në zgjedhjet e fundit, SPAK dërgoi me bujë ‘task-forca’ në 12 qarqe, por nuk pa asgjë, nuk pa blerje votash, nuk pa presione, nuk pa dosje që prisnin arrestime.

Madje fletëarrestet për një tjetër ‘padrino’ në Durrës, Troplinët e shumënjohur, u shpallën pasi zgjedhjet përfunduan.

Sot Ergys Cyrbja ndodhet në burg, por krimi ka përfaqësues të tjerë në Partinë Socialiste. Ndaj edhe paratë e krimit nuk preken, por u lejohen kanale që t’i pastrojnë, siç është rasti i gruas ndërtuese të Hajrit.

Kjo është një situatë alarmante për sigurinë kombëtare.

Janë pikërisht këto raste, Altin Hajri dhe Troplini – që tregojnë se krimi nuk është thjesht një problem në Shqipëri. Krimi është një strukturë paralele pushteti, e mbështetur dhe e ushqyer nga qeveria dhe drejtësia e kapur.

Partia Demokratike denoncon me forcë këtë bashkëpunim të hapur midis krimit të organizuar dhe pushtetit politik. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve strategjikë të mos heshtin përballë këtij procesi të rrezikshëm të kriminalizimit të shtetit shqiptar.

About Redaksia

Check Also

Nesho: Së shpejti PD do të raportojë në nivelet më të larta të administratës Trump për 11 majin

Diplomati Agim Nesho, ka treguar se brenda një kohe të shkurtër, drejtues të lartë të …