E, ku mbetet shteti që Edi Rama përfaqëson?

Nga Alba KEPI

Kur veshja nuk është integritet: Edi Rama dhe gjuha e përfaqësimit ndërkombëtar. E ku mbetet shteti që ai përfaqëson?

Në një botë ku çdo gjest është komunikim, edhe veshja flet shumë – veçanërisht në kontekste ndërkombëtare.

Samitet shumëpalëshe nuk janë vetëm momente diskutimesh politike, por edhe skena simbolike ku forma përforcon përmbajtjen.

Në këto raste, kodi i veshjes është pjesë e protokollit: thjeshtësi, neutralitet, respekt për rregullat diplomatike. Me fjalë të tjera, diplomacia ka rregullat e veta të paraqitjes, dhe shpërfillja e tyre është një deklaratë në vetvete.

Është në këtë kontekst paraqitja e fundit e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, në një samit ndërkombëtar me një veshje dukshëm jashtë kornizave formale të pritura. Ndërsa liderët e tjerë ishin të veshur me kostume serioze dhe veshje solemne, Rama zgjodhi një stil të largët nga standardet diplomatike. Edhe bashkëshortja e tij ishte e veshur në mënyrë jo konvencionale për një ngjarje të tillë.

Pyetja që shtrohet nuk është thjesht estetike: çfarë mesazhi përcjell një zgjedhje e tillë?

Një formë narcisizmi politik, një vënie të individualitetit përpara detyrës përfaqësuese?!

Një akt arrogance institucionale, një provokim i heshtur që thyen rregullat e pathëna të diplomacisë ndërkombëtare?!

Në skenën e politikës globale, detajet kanë rëndësi. Veshja joformale, kur konteksti kërkon solemnitet, mund të perceptohet si mungesë respekti ndaj bashkëbiseduesve, ose më keq akoma, si një distancim nga parimet e rendit, autoritetit dhe bashkëpunimit. Në diplomaci, veshja nuk e bën njeriun, por e ndihmon ta përfaqësojë siç duhet shtetin që përfaqëson.

Edi Rama nuk është i panjohur për gjeste anti code dress me delirin  që personalizimi i tepruar i figurës publike të errësojë funksionin institucional, duke e kthyer një kryeministër në një performues, dhe një delegacion shtetëror në një shfaqje individuale.

Në kohët e sotme, kur tensionet gjeopolitike kërkojnë seriozitet dhe besueshmëri, edhe pamja ka peshën e vet. Sepse, ndonjëherë, forma është edhe përmbajtje.

Zgjedhjet individuale, kur vihen mbi standardet institucionale, janë simptoma të një personalizimi të pushtetit, ku lideri vendos të jetë figura qendrore e çdo narrative – edhe përtej kufijve të vendit të tij.

Në një botë gjithnjë e më të polarizuar, ku diplomacia kërkon gjuhë të përbashkët, besueshmëri dhe koherencë, devijimet nga normat nuk lexohen më si akte spontane, por si deklarata politike.

Dhe nëse lideri vendos që mesazhi kryesor të jetë “unë jam ndryshe”, atëherë lind pyetja: ku mbetet shteti që ai përfaqëson?

About Redaksia

Check Also

Ramaduro apo Rama duro?

Nga Ylli DYLGJERI Mendoj se pas shkrimit të Neshos në Fox News, Rama duhet të …