Avokati Franc Nuri ka komentuar situatën paszgjedhore dhe procesin e rinumërimit të votave, duke theksuar se kërkesa për pavlefshmërinë e zgjedhjeve bazohet në një sërë parregullsish të dokumentuara.
Nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto” Nuri tha se, rinumërimi në qarqe të ndryshme, përfshirë edhe Tiranën synon të mbështesë kërkesat legjitime të kandidatëve të PD-së dhe të evidentojë manipulimet që siç u shpreh ai, janë vetëm “maja e ajsbergut”.
Nuri theksoi se farsa zgjedhore nuk ka nisur më 11 maj, por shumë më herët, përmes përdorimit të mjeteve të pushtetit, propagandës dhe shpërndarjes së parave publike si mjete për të ndikuar votën.
“Është një situatë e tillë që ne kemi kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe nisur nga ky fakt, rinumërimi i votave në qarqe të caktuara, përfshirë edhe qarkun e Tiranës, kishte si impakt që të plotësonte edhe kërkesat e kandidatëve të ndryshëm të PD-së.
Kandidatët të cilët kanë kërkuar me të drejtë, në një pjesë të rasteve ku i kishin të dokumentuara me pamje filmike, kërkuan të drejtën e tyre për të parë se si kishin lëvizur votat e tyre.
Kjo gjë i shërbente edhe PD-së për të faktuar lëvizjen e votave, parregullsitë e ndryshme që kishin ndodhur më 11 maj, edhe pse kjo ishte maja e ajsbergut dhe ne e kemi thënë që procesi apo farsa elektorale e 11 majit nuk e kishte zanafillën e saj atë ditë, por më përpara.
Pra, vota ka ‘vdekur’ më para se të hidhej në kutinë e votimit, për shkak të makinerisë së pushtetit apo propagandës, si dhe manovrave financiare ku shteti shqiptar ka vënë në dispozicion dhe ka bërë përpjekjen të tij për të tjetërësuar vullnetin e shqiptarëve.
Unë dhashë dhe një shembull dje në Kolegjin Zgjedhor, ku isha përfaqësues i PD-së për dy çështje, atë të qarkut të Vlorës apo Beratit, ku dhe gjyqtarët sillen sikur nuk jetojnë në Shqipëri.
Sillen sikur po t’u japësh një bonus 100 euro çdo pensionisti, kanë një impakt të jashtëzakonshëm, por nuk është kështu.
Është njësoj sikur në Francë apo Gjermani të dalë qeveria para zgjedhjeve e të thotë: “Do ju japim nga 400-500 euro”, sepse aq janë. Pasi nëse në Shqipëri një pensionist që e ka pensionin 200 euro maksimumi, t’i japësh 100 euro i bie gjysma e pensionit.
Është njësoj sikur të dalë presidenti francez e të thotë, “do t’iu jap nga 500 euro” sepse atje është 1200 euro pensioni. Pra, llogariteni vetë se çfarë impakti do ketë në publik.
A quhen zgjedhje të rregullta ato në një shtet demokratik, nëse qeveria e vadit me para publike disa javë para zgjedhjeve?!”, tha Nuri.