Analisti Andi Bushati, në një intervistë të dhënë së fundmi u shpreh se Task Forca e ngritur për garantimin e zgjedhjeve rezultoi një dështim total. Sipas tij, ajo u ngrit thjesht për të krijuar ndjesinë e një barazie që në fakt nuk ekzistonte, pasi në realitet, zgjedhjet ishin thellësisht të pabarabarta dhe të manipuluara nëpërmjet përdorimit të administratës publike, blerjes së votës dhe shkeljeve të tjera të rënda.
Bushati theksoi se, SPAK ka vepruar në mënyrë selektive, duke goditur vetëm kundërshtarët e kryeministrit Edi Rama, dhe duke injoruar qëllimisht prova të qarta për krime zgjedhore, si vjedhja e të dhënave të qytetarëve apo blerja e votave në Elbasan.
Pjesë nga intervista
Task Forca e famshme ishte një dështim, për të shkuar paralel me një sensacion publik që këto zgjedhje ishin të pabarabarta, u përdor administrata, u ble dhe manipulua vota. SPAK-u ka goditur në këto zgjedhje në një farë mënyre vetëm kundërshtarët e Ramës. Nëse ka pasur njerëz, idiotë të dobishëm që deri dje kanë besuar te SPAK-u, pas 11 majit SPAK-u ua hoqi mundësinë edhe këtyre të vazhdojnë e të besojnë te një prokurori e pavarur.
S’është çështje statistike dhe numri. SPAK-u ka prova që krimet zgjedhore i ka çuar në prokuroritë e tjera. Ka prova që vjedhjen e të dhënave personale të 900 mijë qytetarëve nga PS, s’e ka hetuar. E ka me prova që blerjen e votave në Elbasan, me karta identiteti dhe para të gjetura në makinë, e ka anashkaluar.
E shkuara e SPAK-ut na tregon edhe të tashmen që asnjë krim zgjedhor real nuk hetohet. Ka pasur dhjetëra akuza për Elvis Roshin, vetëm kur Roshi tradhtoi Ramën dhe kaloi me opozitën, atëherë u bë subjekt.
SPAK-u në këto zgjedhje ka qenë një mashë e qeverisë dhe për ata që kishin një iluzion, ky iluzion është shuar. Më 11 maj s’ka pasur zgjedhje, por ka pasur votime. Deklaratat e Celibashit s’e provojnë atë që them unë, janë shkeljet më të vogla, apo maja e ajsbergut.
Pavarësisht se është një krim i rëndë, përdorimi i administratës është një nga fenomenet më të lehta të zgjedhjeve. Këtu është manipuluar vota. Fakti që SPAK-u kishte dosjen e troplinëve dhe vendosi t’i hetojë pas zgjedhjeve, është treguesi më i mirë i asaj që ka ndodhur.
Kur kritikohen zgjedhjet për reformën zgjedhore, është refreni më qesharak që e dëgjoj prej 30 vjetësh. Ne s’e kemi problemin te reforma. Me këtë Kod Zgjedhor që kemi sot kemi prodhuar rotacion. E keqja s’është te formulimi i ligjit, por te shkelja e tij”.