INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ (IV)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Ka zëra që nuk mjaftohen me të treguarit e një historie, ata duan të ngulitin gjurmë në vetëdijen tonë. Një prej këtyre zërave është Vilhelme Vrana Haxhiraj, shkrimtarja që e ka kthyer letërsinë në një mënyrë për të ruajtur kujtesën, për të prekur plagët e së kaluarës dhe për të sfiduar harresën. E rritur mes legjendave të Kaninës së lashtë, ajo e ka ndërtuar identitetin e saj krijues mbi themele të forta: rrënjët, kujtimet, përjetimet dhe një dashuri të hershme për librin.
Në pjesën e katërt të intervistës sonë, Haxhiraj na kthen pas te hapat e parë të pasionit të saj për fjalën e shkruar, flet për autorët që e frymëzuan, për veprën e parë që i dha guximin të besojë në zërin e vet, për pengesat që nuk e ndalën, por e bënë më të fortë. Rrëfimi i saj zbulon se si realiteti shoqëror, historia dhe jeta e përditshme gërshetohen në krijimtarinë e saj, duke u shndërruar në dëshmi, protestë dhe thirrje për ndërgjegjësim.
Përmes kësaj bisede, autorja na kujton se letërsia nuk është vetëm art për t’u lexuar, por edhe një forcë që mund të ndihmojë në shërimin e plagëve historike, në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme dhe në ruajtjen e asaj që nuk duhet harruar kurrë.
GM: Si lindi pasioni juaj për letërsinë dhe cilët ishin hapat tuaj të parë në botën e shkrimit? A ka pasur libra apo autorë që ju kanë frymëzuar gjatë këtij rrugëtimi?
VVH: Së pari ju falenderoj përzemërsisht, që doni të njiheni me ecurinë time krijuese, por dëshira ime ishte që zhvillimet social-politike, ekonomiko-kulturore, të vendit tim, të ishin gërshetuar me jetën time joaktive dhe aktive në kijimtari. Veç një gjë e kam ditur qysh fëmijë, kur nisa të lexoja letërsi artistike, sidomos kur nisa të kuptoja. Dhuntia apo talenti lind bashkë me njeriun dhe trashëgohet si vazhdimësi e kulturës. Nëse nuk ke talent, kurrë nuk bëhesh shkrimtar, aktor, artist filmi, muzikant, piktor apo skulptor, madje as artizan i çdo profili. Këto degë të artit trashëgohen ndër breza, nxiten nga familja dhe marrin zhvillim tek fëmija me talent apo pasion artistik të lindur. Në familjen Vrana, kultura u trashëgua nga Gjyshi im Xheviti dhe djali i xhaxhait të tij, Mehmeti, të cilët pas shkollës Zosimea në Janinë, kishin kryer universitetin amerikan të Stambollit, në fundshek.XIX. Nga 6 vëllezërit bashkë me tim Atë, Skënderi, xhaxhai i dyt imi pas shkollës teknike “Harry Fultz”, kreu universitetin ‘Siena’, në Prato të Firences. Fal kulturës së tyre, ne, brezi i tretë kishim një nga tri bibliotekat më të mëdha të Vlorës. Edhe pse u sekuestrua, përsëri kishte ngelur nëpër raftet e dollapëve apo komodinave ndonjë libër. Isha 9 vjeçe kur mes të atyre pak plaçkave që morëm në internim, gjeta romanin e verdhë*policesk, anglez, “Dy të vdekur në një qivur”, të cilin e lexova me një frymë. Titulli i tij më futi në mendime dhe shpesh pyesja veten: “Pse apo si mund të varrosen dy persona në një varr?! Ky ishte libri i parë i huaj dhe i ndaluar si zanafilla e leximit për mua. Duheshin vite që ta kuptoja synimin e autorit. Në zhvillimin e intelektit të çdo fëmije, familja me rrethin familjar të arsimuar në universitete perëndimore është më i rëndësishmi. Kurrë nuk mund të harroj një thënie të gjyshit. Kur isha e vogël luaja mbi qilimin persian. Ai ashtu me fjalën e butë dhe të ëmbël, më merrte në gjunjë e më thoshte: –Vogëlushe, ruaje këtë hallì* (qilim), se ka ardhur nga Persia. Mbi të ka shkelur Omar Khajami.
Me pafajësinë e një 3-4 vjeçareje, e pyesja:
– Kush është ky Khajami (Omar Khayyam)*, o gjysh ?
-Omari ishte një burrë i madh, filozof i mençur dhe poet i shquar që ka lënë shumë mendime të çmuara për njerëzimin. Ai i moshuar dhe shëndetlig, i papërtuar, u çua, më mori për dore dhe hymë në një dhomë me rafte, plot me libra. Zgjati dorën dhe mori dy prej tyre.
– Mbesa ime e ëmbël, e shikon këtë libër,? quhet “Rubairat e Omar Khajamit”. Brenda tij janë poezitë më të bukura në botë. Është i njëjti libër, veçse ky është persisht, ndërsa tjetri është në gjuhën shqipe, të cilin e ka përkrthyer Fan Noli. E vogla e gjyshit, mos harro kurrë se gjuha shqipe është gjuha jonë ,më e bukura dhe më e vjetra në botë. Ndaj duhet at duash gjuhën e nënës dhe të babait, si sytë e ballit. Në fëmijërinë, adoleshencën dhe rininë time, të vjedhur, të mohuar, të plagosur, nuk ma ndalonte askush pasionin e leximit të romaneve të verdhë. Më ka pëlqyer letërsia shqiptare që nga Hasan Zyko Kamberi, Rilindja dhe ajo viteve ‘ 30. Kam lexuar letërsi Ruse (jo sovjetike), italiane, Angleze, Franceze, gjermane, austriake dhe ajo pak e lejuara letërsi amerikane. Ndoshta mes atyre qindra e mijëra faqeve, paragrafeve e rreshtave kërkoja të plotësoja atë që më mungonte, e cila më dukej një jetë boshe. Prej boshllëkut jo vetëm as merr, por dhe as jep gjë. Veçse mes leximit plotësoja dëshirat e mia fëmijënore dhe rinore, pa zënë në gojë kalvarin e vuajtjeve. Etja për lexim për mua të paditurën ishte si një enigmë që kërkonte zgjidhje. Por fatkeqësisht më ishte kufizuar, ose ndaluar njohja e botës. Këtë e mësova më vonë nga korifejtë e letërsisë shqipe në një ballafaqim. Ishte fund i vitit 1998. Mes rrezikut të bandave të revolucionit evgjito -fshatar të 1997, u nisa për në Tiranë me bashkëshortin tim, Fitim Haxhiraj.
Mbërritëm në ShB Toena, ku paraqita dorëshkrimin e një romani. Isha në ankth, nëse do e pranonte apo jo. Presidenti, z. Fatmir Toçi, jo vetëm na mirëpriti, po sa i hodhi një sy disa faqeve nëpër të, i kënaqur, u shpreh: –Do bëhemi një treshe vlonjate? -E pashë me vërejtje e me një shikim pyetës, kurse ai vazhdoi: –Unë, Ti dhe Prof Odhise Grillo. E lashë dorëshkrimin dhe mbi të shkrova NR. e telefonit. Prof.Grillon siç e parafytyroja kolos të letërsisë për fëmijë, ashtu besoja se do ishte edhe me trup. Po të madh njeriun e bën puna me mendjen dhe jo trupi. Në Nëntor, “Panairi i Librit Tirana 1999”, ku Shtëpia Botuese Toena, z. Fatmir me zonjën e tij Irena Toçi, të cilët i përshëndes, përuruan romanin tim të parë “Dhembje Nëne” në pallatin e kulturës. Ishte diçka e papritur, se një grua 55 vjeçare, e padëgjuar përuronte një roman, që u prit shumë mirë nga shkrimtarët më me emër, kritikë dhe artistë. Kjo më befasoi, se një grua në moshën që isha unë, e quajnë “plakë”. Mes diskutimeve, shkoi te mikrofoni shoku im i pedagogjikes,poeti brilant, Xhevahir Spahiu, i cili tha: “Hartimet e Vilhelmes shkonin klasë më klasë, kurse ne u bëmë poetë dhe shkrimtarë. Si mbiemri i saj Vrana, qielli ishte i vranët. Duheshin vite që qielli të hapej dhe shoqja ime, Vilhelme, ta thoshte fjalën e saj. Ajo sot ka ardhur si Antigona për të mjekuar dhe shëruar plagët e kahershme të kombit tonë.” Me Xhevon kisha 37 vite pa u takuar(1962-1999).I tillë ishte ai sistem që ndau shqiptarët në dy grupime armike, proparti dhe antiparti. Letërsia pas 1990 shkëputi telat me gjemba dhe barrierat e pakapërcyeshme, më takoi me miqtë e së shkuarës dhe më njohu me miq të rinj në të gjithë botën. Por asnjëherë nuk bëra aleancë me politikën, e cila njerëzit si unë i anashkalon dhe i përjashton pavarësisht nga vlerat që kanë. Vlerën e ka fundosur Antivlera, e cila matet me idealin komunist. Kurse Babai i Folklorit, Dionis Bubani, pasi i dëgjoi gjithë thëniet e tyre, njeriu i ditur u shpreh :“Vilhelmja nuk u bë sot shkrimtare. Ajo ka lindur shkrimtare, por ia mohuan këtë të drejtë legjitime për të shpalosur talentin e saj. Kurrë nuk është vonë për të thënë gjënë e duhur. Mirëseardhe në sofrën e shkrimtarëve, Zonja Vilhelme!”Në rrugën time krijuese, sa të bukur dhe po aq të vështirë, kam pasur dhe kam shumë miq. Shumicën i njoh virtulisht, por zërin ua dëgjoj, është ai zë që më çmon dhe më ringjallë shpresën për dilemën e së nesërmes dhe më shton jetën. Njeriu, miku i mirë që më zgjati dorën e tij të ngrohtë pa kurrfarë interesi dhe më çeli rrugën e një letërsie të mirëfilltë, ishte Prof. Odhise Grillo, redaktor i 11 librave të mi, për të cilin ruaj nderim dhe mirënjohje.
…………………………….
Ps:*roman i verdhë- kështu quhej çdo libër i ndaluar që ishte kundër idealeve të P.K.Shqiptare. *Rubairat” i Omer Khajamit. I shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi (pseudonim i Fan Nolit). O.Khajami ishte matemticien astronaut, filozof dhe poet.
GM: Në çfarë mase ka ndikuar origjina juaj nga Kanina e lashtë në formësimin e personalitetit tuaj krijues?
VVH: Në krijimtari, veç talentit, familjes, ndikojnë shumë faktorë të tjerë social,politik dhe ekonomik. Origjina ime nga Kanina kishte anën pozitive dhe atë negative, e cila ndikoi në gjithë jetën time. Me Kaninën kishte të drejtë të mburrej çdo bir apo bijë e saj, pasi kishte një histori të lavdishme për të cilën e vlerësonte bota qysh në miëvjeçarin I-Pr. Kr. Si dokument për shkëlqimin e saj vlen harta e Herodotit (shek.VI.Pr.Kr.) dhe hartat e Ptolemeut e shek I. Ishte qyteti i antiko-mesjetar ku lindi aristokracia feudale për herë të parë në Evropën jugëlindore. Familja Vrana Komneni ishte trashëgimtare e një fisi 3000 vjeçarë, që pas hartave të lashta ku ndodhet dhe Kanina, por Fisi Vrana themelues i Kaninës, i njohur në histori qysh në shek e VI,VII,VIII…. , Aristidh Kola përermnd 33 Vrana, si kapedanë, despotë në Mesina të Peloponezit, udhëheqës ushtarak, kryekështjellarë deri Perandor të Bizantit. *Paolo Petta, duke u ngritur kundër pretendimeve greke dokumenton: “Fisi Vrana është autokton shqiptar, themlues i Kaninës me 5-6 familje të tjera dhe vazhdojnë të jetojnë ende në këtë qytezë antike.” Por Partia Komuniste Shqiptare e urrente fisnikërinë. Ndaj Kanina nuk përmendej kurrë duke e lënë në harresë. Kjo urrejtje klasore vazhdoi për gjysmë shekulli diktaturë, deri në vitetb e fundit. Gjithë fisnikëria e Kaninës përfundoi burgjeve, internimeve apo i vranë pa mëshirë. Sot ky qytet historik që u ka rezistuar shekujve është tjetërsuar, me gërmadhat e një kështjellë pa vlerë. Edhe pse quhet si një vend i harruar, “Na ishte një herë Kanina madhështore”, unë përsëri e kam ngriur në piedestal historinë e saj, me librin studimor, “Kanina e Lashtësisë dhe Princi Gjergj Arianiti”, një vepër e pasur me artefakte, me dokumente, me harta, fotografi dhe me familjet themeluese të saj që u bënë mikpritëse të shekujve. Jam e lumtur që arrita ta përjetësojë Kaninën time me bukurinë e saj magjepsëse, me madhështinë si qendër strategjike, qëndresën e saj heroike e shndërruar në një fushë betejash të të gjithë pushtuesve. Kanina ime ngelet shembëlltyra, ose simboli idealizues i përpjekjeve të një populli për liri. E digjnin duke e bërë skrumb e hi dhe kaniniotët e mirë, përsëri e ngritën në origjinën e saj dhe ajo rilindej si sfniksi nga hiri i tij. Me pozitën e saj strategjike, ngadhënjyese dhe hijerëndë, thotë: “Kanina përmbi Vlorë, qiell, tokë dhe det i ka në dorë.” Mjafton një mbrëmje në Kaninë dhe s’ka kënaqësi më të madhe, kur shijon, çyrek* të ngrohtë me vaj e ullinjë, ëmbëltuar me mjaltë Kanine më i vlerësuari në botë për cilësi dhe vlera kurative. Ulliri kaniniot dhe mjalti i Kaninës ngjet me polifonitë e vendit tim, janë ilaç dhe janë shërim! Aty, mbi bedenat e kalasë së lashtë, me një gotë raki rrushi e pak djathë Shashice e ullinj, e shijon natyrën pafundësisht, sepse përballë ke Sazan, Triport dhe Karaburun, që kanë zilepsur të huajtë.Cili i huaj e vizitoi Kaninën dhe nuk u dashurua me të?! Dashuria për vendlindjen është një dashuri që nuk vdes kurrë. Është e vetmja një nga 6 kalatë më të vjetra në Shqipëri që ka vazhdimsi jete qysh nga themelimi si qendër urbane. Kalaja e Kaninës nuk mposhtej dhe pushtohej kollaj. Gjatë historisë ajo është pushtuar dy herë vetëm me tradhtinë e një gruaje pa moral, pa dinjitet, Marie Frëngu. Shumëkush më ka quajtur nacionaliste, për dashurinë që reflektoj ndaj kombit. Nacionalizmi për mua është thikë me dy presa. Unë e dua këtë vend të vuajtur, të sakatosur, të cunguar e të tjetësuar se është Mëmëdheu dhe Atdheu im, ku varret e të parëve tanë pellazgë-ilirë-arbër janë dëshmi e identitetit tonë kombëtar, për të cilin jemi krenar.
- Gëzim, a nuk kam të drejtë që më inspiron në artin e bukur të të shkruarit Kanina ime?!
GM: Cila ishte vepra juaj e parë, çfarë ju frymëzoi ta krijonit dhe cilat ishin ndjesitë tuaja kur ajo u botua?
VVH: Në fillimet e lëvizjes demokratike bashkë me bashkëshortin tim, Fitim Haxhiraj u anëtarësova në PD. Me shumë demokratë të tjerë, veçanërisht të persekutuar, pasi vramë frikën, nisëm lëvizjen për rrëzimin e pushtetit diktatorial dhe hedhjen e bazave të demokracisë në Vlorë. Ishte një rrugë e vështirë dhe e panjohur, por shumë fisnike për çdo shqiptar që kërkonte të ishte vetvetja. Të dyja familjet tona (Vrana dhe Haxhiraj) i takonin të djathtës, por mjerisht kjo shtresë e mohuar u shkatërrua gjatë gjysmë shekullit, aq keq ishte përçarë dhe leqendisur, sa nuk kishte më forcën e mendimit të pavaruar për t’u bërë faktor politik. Ndaj edhe tani pas 34 vitesh nuk u krijua një e djathtë e pastër, sepse ligji 7501, nuk ia ktheu pronarit legjitim pronën e trashëguar. Shkurt,shtresa e ishpronarëve, ende nuk kishte ndërgjegjen për t’u bërë faktor politik që të ballafaqohej me forcat e tjera, prej të cilave lindën partitë pluraliste si kërpudhat pas shiut, krerët e të cilave, pasi u shoshitën nga Ramiz Alia, dolën nga gjiri i PPSh. Gjithsesi dhe pse të inkuadruar te PD, ishte bukur, kur pa na imponuar askush kërkonim rrugët drejt një jete të re. Ishte instikti dhe dëshira e ethëshme për t’u shkëputur nga zinxhirët skllavërues të diktaturës gjysmëshekullore, ku na kishin trajtuar si inekzistentë. Dëshira për të fituar të gjitha të drejtat dhe liritë e mohuara na shtynte të ecnim përpara për një ndryshim të thellë politik, social dhe kulturor. Kjo rrugë e re e demokracisë ishte frymëzim për këdo dhe për mua që të shfrehja të pathënat e një jete të burgosur. Fillova të shkruaj publicistikë. U angazhova te gazeta lokale e PD Vlorë “Zgjimi”, te gaz. RD, Standart etj… Në vitin 1991, përmes mediave Zgjimi dhe RD, u bëra thirrje grave vlonjate për t’u anëtarësuar në një organizatë të pavarur, për të drejtat dhe liritë tona si segment i rëndësishëm në lëvizjen demokratike, për emigracionin si plagë e shpërbërjes kombëtare dhe për integrimin e kombit. Më pas në 5 numra të gazetës “Zgjimi”, shkrova:“Pse u la në harresë një qytet antik”, kushtuar lashtësisë, historisë dhe përballjes së Kaninës gjatë pushtimeve shekullore.Me sa e sa artikuj u bëra shpirti dhe zëri i gruas skllave, të ndrydhur, pa të drejta dhe pa barazi gjinore. Me artikujt e ndryshëm dhe krijimin e Lidhjes Demokratike të Gruas Vlorë,(6 shkurt 1992), ne gratë e harruara nga koha e egër, u bëmë faktor me një organizatë të fuqishme. S’kishim zyrë ku të mblidheshim. Takimet i bënim në shi, në borë e në ngricë, nën strehën apo shkallët e pallateve. Atëherë shtëpinë time, dhomë e kuzhinë, e shndërrova në zyrë të Gruas. Publicistika u bë iniciuesja e krijimtarisë sime letrare. Më 31 mars 1992, në Vlorë u bë mitingu i madh i fitores së PD në Shqipëri. Unë isha në tribunë para Monumentit të Pavarësisë në Sheshin e Flamurit bashkë me themeluesit e PD në çdo skaj të vendit. Në emër të gruas shqiptare përshëndeta me paralelizmin, “Ashtu si Ismail Bej Vlora ngriti Flamurin e Pavarësisë edhe sot Prof. dr. Sali Berisha ngriti Flamurin e Demokracisë në Vlorë.”Për herë të parë kjo ishte fitore e madhe për mua ,sepse shpreha mendimin tim të lirë. Këtë e quaj Sfidë të Kohës që shkëputi të djeshmen nga e sotmja. Ne si LDG Vlorë, arritëm të mbledhim Konferencën e parë të LDGSh, me pjesëmarrje nga e gjithë Shqipëria. Konferencën e nderonte Zv/ kryministri Bashkim Kopliku me zonjën,Kryesia e LDGSH me kryetaren e parë, zonjën Zana Malaj. Ky është një fakt historik i paharrueshëm që tregoi vitalitetin dhe forcën e segmentit “Grua” dhe çfarë është në gjendje të bëjë ajo kur i jepen të drejtat dhe liria e organizimit. Financimin e këtij takimi dhe të një organizimi të bujshëm e bëri z. Fitim Haxhiraj. Teatri “P. Marko ishte plot me zonja, sa nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës.
I pari që nisi të më nxiste ishte bashkëshorti im, me fjalët: –Pse nuk shkruan ti, sepse ke talent. Provoje, se nuk të bën keq, përkundrazi...Po kështu më tha dhe një ish nxënësi im, …………Në fund të tetorit shkova me një ekip mësuesish për këmbim përvoje në shkollat e binjakëzuara të Varezes, Itali. Më 26 Nëntor isha kthyer dhe para teatrit “P.Marko” më përshëndet shkrimtari për fëmijë, vlonjati dashamirës Ferhat Çakërri: Përshëndetje, Vilhelme dhe urime!
– Pse,… që isha në Itali?
-Jo, jo…, urime për këtë! E ashtu ngadalë nxori nga xhepi një librth të vogël dhe ma zgjati. E mora me duart që më dridheshin, kur mbi ballinë lexova emrin tim disi çuditshëm dhe titullin, “Loti nuk ka faj”. Ndërsa shijonim kafen, pranë godinës së Teatrit Vlorë, Ferhati ngriti gotën e më uroi me gjithë shpirt: -Mirëseardhe në sofrën letrare moj fisnikja e Kaninës! Nuk po u besoja veshëve dhe as syve.U befasova sepse aty, nën atë ballinë me portretin e një gruaje të trishtë, prej syve të së cilës rrëshqiste një pikë loti kristal, isha unë. Aq e shtrenjtë m’u duk ajo pikë loti, sikur kishte vlerën e një Rubini të kuq të kurorës mbretërore të Anglisë. Nën atë ballinë, nëpër faqet e atij libri, tashmë ishin qetuar dhe lëçisnin mendimet e mia, ndoshta të varfëra nga pikëpamja letrare, por plot dashuri e dhembje. Sot nuk i quaj poezi, porse kanë vlerën e veçantë të një fillimi të ri në jetën time të harruar në brazdat e kohës së djallit të kuq. Me atë libërth u thye akulli që kishte ngrirë jo vetëm qenien time, por kishte bllokuar mendimet të dilnin jashtë kores trunore. Mendoja se me këtë libër, ku kam shprehur dhembjen e pafundme mes pafajësisë së lotit, nuk do të shkruaja më, sepse loti është shprehje e dhembjes, e drejta e foshnjës, veçanti e zemrave të dashuruara, po të pa realizuara. Atë që nuk e thotë goja, e thotë loti. Para shprehjes tragjike të lotit, fjala nuk ka asnjë vlerë. Loti flet në një heshtje varri e aq tronditëse, madje më shumë se mijëra fjalë dhe shprehje filozofike.
GM: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në fillimet e krijimtarisë suaj letrare?
VVH: Sfida e parë ishte kurajua ime që fillova të shkruaja ese dhe publicistikë. Duhet të më besoni se duke bërë një punë të rëndomtë, që nuk nxirrja dot as bukën e fëmijëve, harrova veten se cila isha. Unë me arsim të lartë pas 27 vitesh shkëputur nga puna, nuk isha në gjendje të formuloja diçka të thjeshtë, një kërkesë zyrtare. Ishte kjo arsyeja që nuk fillova të shkruaja menjëherë pas ndryshimeve të vitit 1990. Pas disa vitesh rastisa në një takim me Ismail Kadarenë në Vlorë, për librin “Lulet e ftohta të marsit” i cili nuk më la asnjë mbresë, veç shijes së athët. Drejtoresha e Toenës, Irena Toçi më prezantoi si konkurente me Elena Kadaren. Kjo e përkëdhelura e fatit, kur nënat tona dhe ne nuk gjenim një pikë qumësht për fëmijët tanë të uritur, ajo bënte banjë me qumësht si Monika Sianuku. Duke më parë me shpërfillje e me paturpësi, më pyeti gjithë fodullëk: –pse nuk shkruajte qysh në 1990?
Unë jam tip i përmbajtur, por ajo më bëri t’i përgjigjesha ashpër dhe me zë të lartë: -E kupton dot ti se ç’do të thotë LUFTË KLASE? Ajo ishte gjëma më vrastare e njerëzimit, se të bënte të harroje vetveten, madje nuk përgjigjeshe kur të thërrisnin në emër. Të harrosh emrin tënd është fatalitet i mosekzistencës si qenie humane. Ndërkohë u largova gjithë neveri për një grua që nuk e meriton këtë epitet të nderuar. Si kundërpërgjigje e asaj gruaje pa tru, është fljala e mençur e “shkrimtarit të shquar,dramaturgut, Teodor Laço, i cili flet me shpirt: “Një grua troket te porta e letërsisë. Porta është e rëndë. Trokitja e saj është e vonuar. Megjithatë ajo është këmbëngulëse. Pasioni i rinisë ka mbetur i pashuar…Ka trokitur në këtë portë që herët, në atë moshë kur të gjithë janë të dehur nga pak prej poezisë. Por një rrethanë e jetës, i është bërë prag dhe më pas mal i pakapërcyeshëm. Për shkak të prejardhjes së saj – nga një familje me emër fisnikësh që në një sistem tjetër shqoqëror do të shërbente dhe si pasaportë identiteti, atë e përfshin vala e luftës së klasave të sistemit komunist. Kështu ia presin krahët, ia plagosn ëndrrën. Por nuk mund t’ia vrasin përfundimisht. Ëndrra ringjalle, prirja fillon të ngacmojë pasionin, ethen letrare.”-T.Laço-parathënie e romanit“Jetë në udhëkryq” Toena,Tiranë,2001.
Më sipër theksova se nuk do të shkruaja më. Por koha që është aq tinëzare dhe e pabesë, të troket kur nuk e pret. Është e çalë dhe vjen ngadalë, pse jo edhe kur je në gjumë. Nisi revolucioni evgjito fshatar i rënies së piramidave, 1997. U dogjën vlerat kombëtare, u shkatërrua e u hodh poshtë puna dhe djersa e një populli të vuajtur. Shkollat u mbyllën. Ekonomia shkoi në zero. Unë, gjithë ankth e frikë prisja, tim shoq dhe djalin, që mes plumbave shkonin tek biznesi i vogël, (zdrukthtaria) të cilën e dogjën bandat. Jo pak po dy objekte me një dëm që shkonte në dhjetëra miliona para të humbura, ku ushqeheshin dhjetra familje. Megjithatë bashkëshorti me djalin dhe anëtarë të rezistencës, kundër bandave anti demokratike, më 17 korrik 1997, rihapën Selinë e PD Vlorë. Ishin këta që e pritën në Urën e Mifolit dhe në stadiumin “Flamurtari Dr. Berishën. Zhozefinën e ngriti në krah im bir Vladi, se desh e shqyen në Pallatin e Sportit. Nga telefoni i Zdrukthtarisë “Perlat Rexhepi”Dr.Berisha foli shumë gjatë me personalitetet politike të SHBA. Edhe pse i shkoi shuma e bisedës telefonike, 1200 000 lek, Fitim Haxhiraj nuk kërkoi kurrë dëmshpërblim. Mes frikës për njerëzit që po humbisnin jetën, të nxitur nga Partia Socialiste e Greqia që nxorën të burgosurit, rrebelët dhe kriminelët nga burgjet, ata rezistuan me armë në dorë në mbrojtje të vlerave të Vlorës. Shqipëria digjej në tym dhe flakë. Mes atij tmerri, me dyqane të boshatisur, me gjak të ngrirë, burrat kërkonin miell që gratë të gatuanin pak bukë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Kurse turmat në rrugë duke goditur me gurë ku të mundeshin, bërtisnin e çirreshin: duam paratë tona! Në 23 shkurt 1997, kishim takim në zyrën e Prefektit Afrim Haçi ku ishim ne të dy si çift, Nexhat Veipi dy të tjerë të policisë dhe i dërguari PDSH, Ferdinand Xhaferi. Mezi kemi dalë nga turmat që kishin rrethuar universitetin “I. Qemali”, se studentët ishin futur në grevë urie. Mes turmës u fut djali , Ladi me makinë që na nxori larg protestuesve. Kurse më 26 shkurt në drejtorinë e tatimeve kishim takim të përzgjedhurit e PD, anëtarë të Kryesisë së PD, të LDG, të Forumit Rinor, anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të grupseksioneve, që bëheshim 47 persona. Turmat na sulmuan me hunjë, me sopata dhe me gurë. Të mos na kishte lajmëruar në kohë Kryetari i grupseksionit të lagjes “29 Nëntori”, bashkëshorti im Fitim Haxhiraj, asnjëri nga ne nuk do kishte shpëtuar i gjallë. Në realitet atë katrahurë e bënin, për të marrë pushtetin. Kurrë nuk kam për të harruar kur më erdhën tri zonja, anëtare të Kryesisë së LDGSh, me në krye znj.Ilmie Mara. Ishin aq të tmerruara, të lodhura dhe të uritura, por unë nuk kisha asgjë për të ngrënë në shtëpi. U bëra vetëm një kafe e ujë dhe shkuam në zyrën e PD. Unë gjithë ditën e kaloja aty me Z. Ali Spahia dhe Albina Karamitro, ku prisnim udhëzime dhe lajme nga Tirana. Mes pasigurisë së jetës dhe kallashëve që m’i drejtonin huliganët nga rruga drejt ballkonit të shtëpisë në katine tretë, unë strukturova dhe përfundova romanin “Dhembje Nëne”, për të cilin kam folur më sipër. Botimi i një romani modern, bashkëkohor që paraqet Realitetin Real shqiptar, ishte jo vetëm surprizë e asaj periudhe të tmerrshme, e një lufte civile, por ishte një risi për letërsinë shqipe. Kurse për mua ishte një sfidë e mrekullueshme, sepse nga një vëllim poetik, kalova në gjininë më të vështirë, në roman që kërkon punë, njohuri dhe vullnet letrar. Dola para lexuesit me romanin “Dhembje Nëne”. E përuruam së pari në Vlorë në Pallatin e Kulturës, bashkë me novelën “Mamaja”. I paharruari Prof. Odhise Grilloe çeli takimin me fjalët e tij: “U nisa nga Shkupi mbrëmë në darkë, në Tiranë më priste Ladi, djali i Vilhelmes me makinë. Tani jemi këtu. Nuk bëra gjithë këtë rrugë se Vilhelmja shkroi në moshën 54 vjeçe, por romani “Dhembje Nëne” po të kishte një tjetër emër mbi ballinë, do kishte marrë çmimin e vitit. Është realiteti shqiptar që kemi përjetuar dhimbshëm. Në këtë roman, autorja ka ardhur si një kirurg i mirë me bisturi në dorë për të operuar plagët e vjetra dhe të reja të kombit shqiptar. Znj. Vranari me këtë vepër që s’lëshohet nga dora, është ulur këmbëkryq në sofrën e shkrimtarëve të talentuar. Mirë se erdhe znj. shkrimtare! Pas këtij romani fillova të shkruaj në vazhdimësi, ese publicistikë, letërsi për fëmijë, tregime, novela, por gjinia e romanit më pëlqen më shumë, ndaj kam botuar 24 romane. Kam vazhduar me studime – hisoriko-sociale dhe filozofike. Madje kritika profesionale, Adriatik Kallulli, Teodor Laço, Mujo Buçpapa, Fatmir Terziu, Eshref Ymeri, Lejla Gorishti, Fatmir Minguli, Kadri Tarelli, Shpend Topollaj, më quajnë romanciere moderne dhe bashkëkohore.
GM: Çfarë ju frymëzon më së shumti për të shkruar? Si kanë ndikuar përjetimet personale, ngjarjet historike dhe realiteti shoqëror në tematikën, stilin dhe mesazhet e veprave tuaja?
VVH: Do ta nis me një thënie shprese…Një fjalë e mirë vlen sa një kuvend, apo më shumë se një thesar. Në vitin 2008 kritiku i shquar shqiptar, i përzgjedhur nga Oksfordi, njëri nga tre kritikët më të shquar botëror, Prof. Dr. Fatmir Terziu sot “Mjeshtër i Madh”, me banim në Londër për çerek shekulli, kishte bërë në media një analizë të Trilogjisë sime. Mes një analize, historike,-psiko-sociale, shkruan:“Kur shoqet e saj ngjitnin shkallët e politikës në Parlament, në Qeveri apo në institucionet me ajër të kondicionuar, Vilhelmja zgjodhi rrugën e ëndrrës, krijimtarinë letrare. Dhe kjo i dha mundësi të gjejë vetveten e humbur në honet e pluhurosura të kohës”.Një fjalë e mirë e një kritiku të mirëfilltë, jo vetëm vlen si frymëzim për të bërë gjënë e duhur, por të rrit besimin në vetevete.
Frymëzimi për cilindo që ka prirje, apo muza vjen papritur e pakujtuar. Gjithmonë ndodh një pretekst që bëhet shkak për nismën e një krijimtari të ndjeshme. Krijimtaria e më e mirë, më pëlqyer dhe e dashur për lexuesin, është ajo që buron nga dhimbja.
Habitem nga disa shkrimtarë që thonë, se mbyllen në dhomë apo në studio që t’u vijë muza.Për mua kjo mënyrë është e huaj dhe qesharake. Frymëzimin e marrë nga përditësia e jetës shqiptare. Sa hapim televizorin, teleshikuesit e nisin ditën me kronikë të zezë, që vazhdon me reklama të shpifura që nuk përfaqësojnë realitetin shqiptar dhe jo që nuk edukojnë,por çedukojnë. Ç’mund të presësh që të kesh një shtet me nivel kulturor, kur një kryetar shteti, për të fituar zgjedhjet i porosit nga ekrani adoleshentët dhe të rinjtë, të shohin fotot e tij Nudo. Jo turp, por kjo është çmenduri e një njeriu pa moral, pa familje, pa personalitet, pa dinjitet dhe pa kulturë. Problemet sociale, si trafiqet e armëve, të drogës dhe i qenieve njerëzore, për prostitucion, për pedofili, pederasti, të futur në kurthin e korrupsionit, kanë deformuar shoqërinë. Kanë shkatërruar traditën e bukur familjare duke krijuar familje të një seksi. Prindërit janë cilësuar me numra: Nr-1 dhe Nr-2-. Po si janë bërë prindër këta të pafytyrë? A nuk shërbejnë këto fakte të shëmtuara që reklamohen në televizor, si tema romanesh policeske, ku personazhi negativ të varet në litar?Për Realitetin Real, flet vetëm jeta që bënë çdo person dhe çdo familje shqiptare me punë, me mund, me djersë dhe me të gjitha normat e moralit. Më jep krah e më frymëzon historia e kombit tonë të vuajtur. Jeta është e dhembshur, kur e vlerëson atë si duhet. Nëse nuk do veten, s’mund të dhurosh dashuri tek të tjerët. Po nuk njohe veten, nuk njeh askënd tej hundës tënde të ndotur dhe pa nuhatje. Muza e një kriimtarie të bukur, nuk kërkohet, se ajo të shfaqet ashtu papritur dhe pakujtuar.dhe ngacmon nervin krijues. Mjafton të kujtoj se, vendi ynë ka një bukuri të rrallë përrallore. Një ecje sportive gjatë bregdetit në orën 5 të mëngjesit, është aq joshëse dhe e paparashikueshme për cilindo, e cila shërben si muzë për të shkruar një triptik të bukur apo fillimin e një romani. Shëtitja në mal, në luginë, në pyll, në breg të një lagune, pranë liqenit, është magjepsëse për gjithçka kap syri dhe mendja e njeriut. I shtrirë mbi barin mbi bulëzat kristalore të vesës që shkëlqejnë nën rrezet e diellit si smeralde, dëgjon simfonitë e pashkruara në asnjë pentagram të vendit tim. Ajo është muzika e shpirtit që bëhet njësh me natyrën, janë zërat që krijojnë meloditë e pakrahasueshme të kësaj natyre të përkryer. Kur je në pyllë është ninulla e ujëvarës, ajo që të ledhaton e të vë në gjumë ëndërrimtarë. Pse duhet ta kërkosh muzën i ngujuar brenda katër mureve?! Përsa i përket psqyrimit të jetës, stilit, realitetit, tematikës dhe mesazheve që jep letërsia ime, po ia lë botuesit të krijimtarisë sime, poetit me përmasa botërore,shkrimtarit, analistit të shquar, përkthyesit dhe njërit mes 20 gazetarëve të shquar të botës, për vitin 2025, Dr.Mujë Buçpapa, i cili e përcakton si më poshtë:
“Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtërat e humbur njerëzorë dhe kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë sonë dje dhe sot.
*Shkrimtarja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka lëvruar disa gjini letrare : poezi, skicë, novelë, tregim, roman, letërsi pjesë teatrale për fëmijë.
*Si publiciste në mediat brenda dhe jashtë vendit, është paraqitur me analiza, opinione, histori, përshkrime dhe intervista. Publicistika e saj botohet në Shqipëri, Kosovë, Angli, Itali, Arbreshët e Italisë, Rumani, Francë, ShBA, Kanada, Suedi, Gjermani, Zvicër, Greqi, Mal i Zi , Maqedoni etje…
*Ka përkthyer 3(tri) libra nga gjuha italiane.
*Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u përkthye në gjuhën rumune, kurse tani u përkthye edhe në Greqi.
*Duke i dhuruar lexuesit mbi 50 vepra letrare, ese- publicistikë, studime të reklamuara në mediat e vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, renditet mes emrave të shquar të letërsisë shqipe.
*Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj.
Ajo i bëri disa shërbime të rëndësishme letërsisë shqipe:
* Së pari: prishi hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre nga kritika e oientuar politikisht.
*Së dyti: solli një një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës, gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standarte gati 50 vjeçare.
*Së treti: ajo shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë
*Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit.
*“Nëse vepra e Vilhelme Vranari (Haxhiraj)do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare, atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë mund të them se proza e saj është e një niveli europian dhe botëror. Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare Vranari si Herta Mulerin, e cila fitoi çmimin Nobël për letërsinë 2009. Të dyja këto shkrimtare që e kaluan jetën në “Perandorinë e së Keqes”, siç ka deklaruar Presidenti Regan, kanë të përbashkët jo vetëm persekutimin e gjatë komunist, përndjekjet, burgosjet dhe internimet, por edhe artin e të shkruarit, tematikat dhe personazhet. Dallimi ekziston vetëm në faktin se Herta shkruan në një gjuhë të madhe si gjermanishtja dhe ka pas vetes një shtet si Gjermania. Ndërsa Vranari dallon se vuajtjet e saj janë të tmerrshme, të vazhdueshme dhe rrënuese. Vranarit nuk iu lejua nga regjimi komunist të ushtronte profesionin dhe as të botonte asgjë deri në rënien e tij në dhjetor,1990.”
Për fat të keq unë vazhdojë të jem e shpërfillur nga institucionet kulturore të vendit, se përpjekjet për demokraci dështuan, kurse ne që u ngritëm në 1990, u zhgënjyem, se u përballëm me neokomunizmin antikombëtar.
GM: A keni një rutinë të caktuar për të shkruar? Çfarë ju ndihmon të hyni në gjendjen e duhur krijuese?
VVH: Në fillimet e demokracisë, kërkoja dritare apo hapësira të lira për krijimtarinë. Ju kujtoj se isha rikthyer në profesionin e bukur dhe fisnik, por të vështirë të mësuesisë, pas një shkëputjeje prej mëse 2 dekada e gjysmë. Më duhej shumë punë që të përvetësoja dhe aplikoja të rejat e shekncës dhe metodologjinë e bashkëkohore. Isha Kryetare e LDG dhe kisha impenjimet dhe detyrat e mia si anëtare e Kryesisë së LDGSh, në Tiranë, por dhe anëtare e Kryesisë së PD. Vlorë: Njëkohësisht dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të PD.pa ndihmën e bashkëshortit dhe të djalit që m’i lehtësonin punët, nuk do t’ia kisha dalë dot. Vajza Ermelinda me bashkëshortin e saj, trompist virtuoz, muzikantë të talentuar, emigruan në vitin 1993, duke më lënë edhe djalin e tyre 1 vjeçar, nipin tim të ëmbël që sot është 33 vjeç dhe ka krijuar familjen e tij. Me gjithë ngarkesën, unë me një sakrificë sublime deri në vitin 1998, pasi dhashë dorëheqjen si Kryetare e LDG, fillova punë sistematike në krijimtari. Rutinë quhet profesioni, puna si sipërmarrje a si mjet jetese është puna, me të cilën jeton. Kurse të shkruarit nuk është profesion, është pasion apo dhunti e veçantë që shkrihet me jetën e individit. Kënaqësia që i jep vënia në jetë apo realizimi i talentit të lindur, dëshirës për të pasqyruar të mirat dhe të këqijat e kësaj bote të përdalë, krijuesi për të qenë dikush shndërrohet në vlerë intelektuale. Unë lumturohem kur vë në dukje problemet sociale, padrejtësitë shoqërore, dhembjet e njerëzimit që janë unike në të gjithë botën, sado e kulturuar dhe e zhvilluar të jetë. Korrupsioni dhe dhuna janë të pranishme dhe në ato vende të lakmuara nga ne. Vetëm gjatë Realizmit Socialist shkrimtari ishte profesionist i emëruar nga Partia-shtet dhe tematikën, madje dhe kohëne daljes nga botimi e kishte të planifikuar sipas planit socialist për kulturën. Kurse unë shkruaj atë që më ngacmon, që lëndon shoqërinë, tjetërson traditën dhe pa pikë morali mohon ndërgjegjen kombëtare, Shqiptarizmin. Ata nuk janë shkrimtarë, por mëditës, skllevër që i servilosen skllavopronarit, i cili i heq për hunde, sepse shpërblehen si puthadoras, për shërbimin antikombëtar që kryejnë. Ata bëjnë një punë të detyruar dhe të planifikuar nga Partia mëmë. Kurse mua më shërben edhe një thënie, një rrëfim i së shkuarës apo i ditëve tona, një kujtesë fëmijërie që për mua janë të pashlyeshme nga kujtesa, sepse dhe vuajtjet shpirtërore kanë qenë jashtëzakonisht të pakrahasueshme. Më gëzojnë mëngjeset plot diell në Vlorën time, më madhëron Kanina me kalanë dhe pozicionin e saj krenar e të paepur. Më pëlqejnë mëngjeset e praruara të Vlorës, kur eci në bregdet, më duket sikur zgjas duart dhe përqafohem me Karaburunin, Mesokanalin,Sazanin dhe Triportin,tri këmbët e urës mburoje që na mbron e na ndanë nga ujërat detare italiane.Gjithçka është aq e bukur, ngjet si buzëqeshja e pafajshme e fëmijëve, por e pafat për politikanë mendjefreskët. E si mund të më diktojnë se ç’duhet të shkruaj, kur Vlora e dy deteve që s’heshtin kurrë, Kanina, fushat me malet jugperëndimore që rrethojnë gjirin më të bukur, më enigmatik të Vlorës dhe të mbojtur të Vlorës.Në brigjet e Karaburunit, të shpellave magjepsëse bregdetare miliona vjeçare, të cilët njëzëri, më thonë: Ne jemi këtu. Përshkruaji dertet dhe hallet tona që janë rrënjosur në shekuj bashkë me historinë e shqiptarëve të vuajtur. E si bekim Flladi apo Briza detare, që bashkë me këngën e Sirenave, më sjell përshëndetjet e ujërave të kristalta si askund në botë, të Jonit blu dhe Ariatikut të kaltër! Janë pikërisht këto ndijime që më japin forcën dhe qetësinë e moshës së tretë, duke më nxitur të shkruaj.
GM: Cili është mesazhi apo tema kryesore që synoni t’u përcillni lexuesve në mënyrë të vazhdueshme përmes veprave tuaja?
VVH: Unë kam 27 vite që shkruaj dhe kam lëvruar thuajse në të gjitha gjinitë letrare. E nisa ashtu pa ndonjë synim për të ardhmen me një vëllim të vogël poetik. Por trazirat e kohës, sollën ngjarjet tragjike të vitit 1997, i cili si analogji e diktaturës me aktualitetin e luftës civile,që u nxit nga Partia e Punës, që ngriti në këmb të përkrahurit e saj që e brohorisnin me barkun bosh dhe nxori kriminelët e burgjeve, ku vëllai vrau vëllanë, shiti motrën apo vajzën për prostitucion, vranë gratë për t’u rrëmbyer stolitë prej ari, një barbarizëm prej huliganësh, u bë frymëzim që unë të rikujtoja një ngjarje të dhimbshme reale. Kujtoj se unë vija nga një shtresë e pasur, e cila u përmbys atëherë kur u çlirua vendi nga i huaji. Në 50 vite ndodhën aq shumë tragjedi dhe ndryshime të karakterit të shqiptarit
Në vend që shtresa e varfër të ngrihej në nivelin e shtresës së mesme, e pranuan diktaturën duke rritur mllefin dhe urrejtjen ndaj gjysmës që s’ kishte asgjë, as përkrahjen e pushtetit dhe as pasurinë. Vuajtjet e një populli nga krimet monstruoze të Partisë kishin hapur aq shumë varre dhe plagë, sa nuk numërohen. Asnjë krim nuk i ngjante tjetrit, por të përbashkët kishin pasojat e rënda ekonomike, politike e morale që shprehjen e gjente te Lufta e Klasave, e cila as shuhej dhe as pakësohej. Kjo luftë u ngrit në një sistem ideologjik ku baza e çdo të drejte apo lirie, fillonte se kujt race, fisi dhe familjeje i përkisje, për arsimim, për marrë strehim, apo një fletë pune. Një luftë e tillë shtazarake fillonte nga origjina e stërgjyshit, gjyshit, babait, te djali apo vajza deri te fëmijët e tyre. Kjo luftë ishte aq vrastare, sa vriste nënën me fëmijën në barkë, familjen e hidhte në humnerë, apo në rrugën e madhe, shkatërronte dhe vriste dashuritë e pafajshme mes dy të rinjve me prejardhje klasore të ndryshme. Vdekja tragjike e një vajze të re, intelektuale dhe mësuese tronditi qytetin bregdetar, në janarin e vitit 1985. Cili vallë ishte shkaku i kësaj jete të humbur? -Lufta e Klasave, më egra në të gjithë rruzullin tokësor. Pas një suksesi të admirueshëm, të romanit “Dhembje Nëne”,paralel me publicistikën, fillova të shkruaj novela, tregime, skica letrare, romane dhe letërsi për fëmijë. Pavarësisht se letërsia ime sipas kritikës profesionale është një Letërsi Ndryshe, e Realizmit Real, e para e këtij lloji që nuk është trajtuar asnjëherë kaq transparente. Sipas analistëve, kjo rrymë e kundërt letrare me letërsinë e diktuar të Realizmi Soicialist, bën radiografinë dhe autopsinë e një regjimi që tjetërsoi kombin dhe bashkëkombësit. Por çdo temë ka rrjedhën e saj autentike, shkaqet dhe pasojat e tragjedive të një kombi të lashtë si rezultat i ndarjes klasore në dy klasa armike deri në vdekje. Çdo vepër ka natyrën e vet të trajtimit të problematikës, e cila varet nga botkuptimi apo këndvështrimi i personazheve, negative apo pozitive. Po marrë novelën “Mamaja” (ShB.Toena, 2000) Nënë apo Mama, nuk është vetëm gruaja që ka lindur fëmijën, por është dhe ajo që e ka rritur me dashurinë e nënës, me përkëdhelinë e shpirtit, me dorën e ngrohtë, me fjalën e ëmbël dhe drithëruese të një gruaje që fati nuk i dha fëmijë, por i fali kujdesin për edukimin dhe bujarinë për mirërritjen e atij fëmije që bëhet njësh me jetën e saj. Këtë e kupton çdo njeri, kur shikon sakrificën e asaj nëne shpirtëore apo dhembjen e pakufishme që ndjen kur ia rrëmbejnë nga kraharori i ngrohtë, këtë dhuratë të paçmuar, fëmijën e saj dhe për çudi ajo nuk duron dot këtë humbje njëlloj si nëna biologjike e fatkqësisht ajo nënë i dorëzohet vdekjes. Çdo vepër ka një temë më vehte,por ka dhe misionin e saj edukativ. Asnjëherë veprat e një autori nuk krahasohen dhe as përgjithësohen në fushën e edukimit me njëra -tjetrën. Secila ka rolin e vet dhe të gjitha veprat e një autori të marra së bashku luajnë rolin e edukimit të një shoqërie të plagosur. Unë u kam bërë thirrje të rinjve: Duajeni dhe jetojeni jetën ashtu si vjen, se ajo është e bukur! Jeta është dhurata më e bukur që vjen vetëm njëherë! Ju të rinj të shek XXI, mos lejoni tragjeditë të përsëriten!(Trilogji-Vështroni Mediuzën”, Toena, 2005,2006,2007.
GM: Çfarë roli ka letërsia në dokumentimin e dhimbjeve të së kaluarës dhe në formësimin e shoqërisë? A besoni se ajo ka fuqinë për të ndikuar në shërimin e plagëve historike dhe në ndryshimin e mendësisë e sjelljes së njerëzve?
VVH: Roli që luan letërsia tek një individ është shumë më e madhe se ndikimi i saj në një shoqëri. Shoqëria në çdo vend të rruzullit tokësor është heterogjene, sepse jo të gjithë qytetarët janë të së njëjtës prejardhje klasore. Ata vijnë nga shtresa klasore dhe familje të ndryshme. Si të tillë kanë botkuptim të ndryshëm, interesa të veçanta, kulturë të ndryshme edhe pse janë bijë të një nëne e një babai. Klasat shoqërore janë në vartësi të sistemit politiko-shoqëror, i cili ka politikat e tij ekonomike dhe kulturore. Jo të gjithë njerëzit i përvetësojnë në të njëjtën masë dhe nivel këto norma të diktuara, sepse ata janë të ndryshëm me njëri-tjetrin. Letërsia nuk mund të quhet dokument, pasi ky ka vlera ligjore. Kurse letërsia luan një rol humanitar dhe edukativ shumë të madh, karahasuar me organet e drejtësisë. Shpesh herë letërsia reale, që nuk i bën hosana askujt, por i bën hije të vërtetës apo trillit imagjinar, ose fantazisë së bukur dhe edukative, mendoj se, si e tillë është në oponencë me ligjet e shkruara apo të pashkruara që janë kundër lirisë vetjake, apo të drejtave individuale. Letërsia atdhetare e mirfilltë që i bën shërbim pozitiv individit, i bën edhe shoqërisë, pa diskutim edhe kombit. A ka forcë letërsia që ta arrijë këtë evolucion kulturor në një konglomeratë njerëzish me nivel kulturor të ndryshëm? Shkrimtari duke evidentuar problemet apo fenomenet negative që në këtë kohë globalizmi kanë marrë përmasa të frikshme, kërkon zbutjen apo eliminimin e tyre, sepse sjellin zhdukjen e ndërgjegjjes kombëtare. Psh: Nëse do të ngrihej me forcë një zë kundër dhunës së gruas, do të ngjasonte si shkrepja e pushkës në shkretëtirë, e cila shuhet pa bërë asnjë efekt, madje pa lëvizur asnjë kokërr rëre. Nuk vjen behari me një lule. Plagët që ka marrë Kombi ynë, janë aq të thella, sa nuk gjendet asnjë melhem që t’i shërojë. Virtyti i shqiptarit që ka qenë si yll drite për t’i ndriçuar skutat e errëta të shpirtit dhe llagëmet e ndotura të jetës, ka harruar rrugën e Zotit. Për fat të keq ato cilësi të bukura, janë zëvendësuar nga smira, mllefi, urrejtja, servilizmi, mashtrimi që janë veset e mbijetesës së të paaftit. Kujtoj se teknologjia e avancuar, dixhitalizimi, si interneti është një ndihmesë e madhe, për të realizuar ritmet e jetës sa më shpejt. Kjo teknologji, krahas të mirave ke dhe të meta. Po marrë vetëm një pasojë negative: Ka shkaktuar dembelizmin e individit, duke hequr dorë nga libri. Mund ta lexosh një libër në internet, por shijen që të jep libri në letër, kur sheh çdo detaj, kur e prek me dorë, i ledhaton faqet, e lexon me sy, i kthehesh për të kujtuar një detaj dhe të duket sikur personazhet janë ulur në çdo faqe edhe kuvendojnë me lexuesin. Këtë kënaqësi nuk ta jep kurrë interneti. Librat vajtojnë të pluhurosura nëpër biblioteka se lexuesit i kanë harruar dhe mohuar. Ai që nuk e ka jetuar dhembjen e një sistemi vrastar, nuk e imagjinon dot. Më e keqja është se historia duhet të flasë për vuajtjet e një kombi,sepse brenda territorit të tij jetonin dy grupime: Njëri i anatemuar dhe i varur në një hon qafëthyes,apo vdiste nga spazmat brenda qelive më të ngushta se varret dhe më të ftohta se vdekja, kurse gjysma tjetër kishte çdo të drejtë dhe liri legjitime.A nuk i bënë pyetje vetes ky brez “fatlum” : Pse kjo ndarje drastike?! A nuk ishin të gjithë shqiptarë?! Nuk bëhen, ndopak kurioz që ta njohin jetën e tyre çnjerëzore, vrasjet pa gjyq, apo të pyesin se si u rrit fëmija jetim me baba gjallë?!Pse ky vend i pasur mbi tokë dhe nën tokë është kaq i varfër dhe i përçmuar nga poltika rajonale dhe kontinentale? Pse u ndoq genocidi më i paparë ndër shqiptarët etnik dhe brenda trojeve të Shqipërisë Londineze?! Pse ky vend autokton në trojet e veta u shndërrua në një burg gjigand , ku kishte vetëm rojtarë dhe të burgosur. Pse Shqipëria e bukur si një ëndërr është shndërruar në një varrezë gjigande, plot me varre pa emër? Kaq pak humanizëm ka ngelur ndër shqiptarët që nuk ia edukojnë brezit të ri të vërtetën e hidhur të një kombi që e çmon lirinë baraz me jetën?! Përgjigjja e këtyre pyetjeve enigmë, është:
Mungesa e leximit apo mospërfillja politike e futjes së letërsisë bashkëkohore të pas viteve ‘90, nëpër shkolla, është mëkati më i madh i qeverisë, të cilin unë e quaj krim ndaj kulturës kombëtare. Duhet të jemi kundër përçarjes me njëri- tjetrin, mllefit, smirës, urrejtjes, dhe hakmarrjes se këto cilësi nuk na nderojnë. Ne kemi nevojë të falim dhe të marrim dashuri njerëzore, të jemi tolerantë, të kemi vëllazërim dh tëjemi model i mirësisë.. Këto i jep me tepëri një letërsi që pasqyron realitetin e kombit shqiptar me të mirat dhe të këqijat e tij.