Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK, ka komentuar procesin për dosjen ‘Partizani’.
Berisha theksoi se nuk kishte marrë ende një njoftim zyrtar për datën e gjyqit, duke sqaruar se arsyeja e mungesës së këtij njoftimi ishte udhëtimi i tij jashtë vendit.
Ai bëri të ditur se megjithatë, ishte njoftuar për shtyrjen e procesit për në datën 21, por tha se nuk kishte marrë asnjë shkresë zyrtare në lidhje me këtë çështje.
“Dy gjëra.
Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja.
Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh.
Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur.
Unë iu kam dhënë një përgjigje, mos përsërisni pyetjet.
Janë avoketërit e mi ata të cilët përcaktojnë vendimet.
Unë gjer tani njoftim zyrtar nuk kam marrë, por unë nuk mund të them se nuk kam marrë, se ajo është dhënë në media që është shtyrë gjyqi për datën 21. Por, shkresë nuk kam marrë”, tha Berisha.
Gazeta RD