Prokuroria e Shkodrës i përgjigjet Ramës: Vendimi për rastin në Theth, në përputhje me ligjin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi prokuroren Elsa Gjeli për mosveprim lidhur me ndërtimin e një kompleksi pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.

Në një reagim zyrtar, Prokuroria sqaron se vendimi për mosfillimin e procedimit penal, i marrë më 30 maj 2025 nga prokurorja Gjeli, është bazuar në nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se hetimi penal nuk mund të nisë nëse fakti i referuar nuk përbën vepër penale ose kur fakti “nuk ekziston”.

Sipas Prokurorisë, strukturat e konstatuara nga Policia në Theth kanë qenë kontenierë të përkohshëm pa themele, të vendosur mbi pllaka guri, dhe nuk përmbushin kriteret ligjore për t’u cilësuar si objekte ndërtimi sipas ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Prokuroria thekson se vendimi i marrë është akt ligjor dhe jo vullnet personal, i mbështetur në analizën juridike të fakteve dhe provave të administruara. “Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin të veprojë vetëm në përputhje me ligjin dhe të mos ndikohet nga faktorë të jashtëm, përfshirë edhe deklaratat politike,” thuhet në reagim.

Institucioni shton se çdo përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorit, qoftë përmes deklaratave publike apo presionit politik, cënon ndarjen e pushteteve dhe dëmton besimin e qytetarëve tek drejtësia.

About Redaksia

Check Also

Dredha nuk pranon të shkojë në burg për 831 hektaret që i kërkon Rama të firmosë për oligarkun e tij

Kryebashkiaku i Vlorës, Dredha nuk është i gatshëm që të shkojë në burg për të …