Miku i Ramës rrezikon deri në 5 vite burg në Zvicër, ja për çfarë akuzohet

E diela nisi me një lajm të bujshëm, reperi i njohur shqiptar Noizy është arrestuar sapo ka mbërritur në aeroportin e Cyrihut.

Ai ishte planifikuar të performonte në Zvicër, por u ndalua menjëherë nga autoritetet zvicerane, në një kthesë të papritur për karrierën e tij ndërkombëtare.

Sipas burimeve pranë artistit, Noizy nuk kishte dijeni se konflikti i tij i mëhershëm me Medi Hysenin, një incident i ndodhur në Kosovë, ishte denoncuar edhe në Zvicër nga pala tjetër. Ky zhvillim ka hapur diskutime mbi natyrën ndërkombëtare të drejtësisë dhe pasojat që mund të pasojnë.

Sipas ekspertëve ligjorë në Zvicër, rasti konsiderohet serioz. Thuhet se viktima është sulmuar nga disa persona në të njëjtën kohë, dhe një sulm i tillë mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Edhe pse incidenti ka ndodhur jashtë Zvicrës, mundësia për ndjekje penale në këtë vend nuk përjashtohet.

Nëse Kosova ka shpallur reperin në kërkim, ajo mund t’i kërkojë Zvicrës ekstradimin e tij. Në rast se kjo nuk realizohet, legjislacioni zviceran parashikon që në disa raste, një gjykatë zvicerane mund të gjykojë edhe për vepra të kryera jashtë vendit, duke iu referuar nenit 7 të Kodit Penal Zviceran.

Një faktor vendimtar do të jetë edhe e kaluara penale e të dyshuarit. Nëse rezulton se ai ka pasur precedentë, dënimi mund të jetë më i ashpër.

Situata e krijuar mund të ketë pasoja të ndjeshme për karrierën e Noizyt, veçanërisht në tregun ndërkombëtar të muzikës. Zvicra ka qenë një nga destinacionet kryesore të koncerteve të tij, dhe përballja me ligjin atje mund të ndikojë jo vetëm në aktivitetin e tij në këtë vend, por edhe në shtetet e tjera që bashkëpunojnë ngushtë me sistemin zviceran të drejtësisë.

Për momentin, priten deklaratat zyrtare nga autoritetet dhe vetë artisti, për të kuptuar më qartë rrjedhën e këtij rasti që ka marrë vëmendje të madhe publike dhe mediatike.

Kujtojmë se reperi Noizy ka qenë i pranishëm edhe në jetën politike shqiptare, ku u shfaq si mbështetës i Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit, duke u përdorur nga vetë kryeministri Edi Rama si një element i rëndësishëm për të tërhequr të rinjtë. Arrestimi i tij në Zvicër ngre pikëpyetje jo vetëm mbi sjelljen personale të artistit, por edhe mbi mënyrën se si figura të ekspozuara publikisht promovohen nga pushteti, pavarësisht problematikave që mund të kenë me ligjin.

About Redaksia

Check Also

PD: Asnjë urdhër për bojkotin e mitingut në mbështetje të UÇK-së! Kauza e saj është krenari kombëtare

Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës …