Ish-kryebashkiaku i Shkodrës dhe deputeti i sapozgjedhur nga radhët e opozitës, Bardh Spahia, ka reaguar ashpër nga Thethi, ku po vijon aksioni i IKMT për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Spahia e ka cilësuar situatën si një akt të pastër terrori shtetëror dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mashtrim dhe hakmarrje politike ndaj banorëve të zonës, të cilët, sipas tij, e refuzuan qartazi në zgjedhjet vendore të 11 majit.
“Ndodhemi përballë një terrori të vërtetë shtetëror ndaj banorëve të Thethit dhe Dukagjinit. Kjo zonë nuk i ka provuar këto pamje që nga koha e hordhive serbe,” u shpreh Spahia para mediave.
Ai theksoi se qeveria po shkatërron investimet dhe kursimet e një jete të emigrantëve dhe banorëve të zonës, të cilëve më herët, sipas tij, u ishte premtuar mbështetje dhe legalizim i objekteve.
“Rama u dha fjalën emigrantëve që të investonin këtu. Sot po i dhunon, duke u hedhur në lumë mundin e tyre. Ky është një akt i pastër besprerjeje dhe tradhtie ndaj qytetarëve që kërkojnë vetëm të jetojnë e të punojnë në tokën e tyre.”
Spahia e cilësoi këtë aksion si një hakmarrje politike ndaj zonave që nuk votuan për mazhorancën, duke e konsideruar mungesën e titujve të pronësisë si një dështim të qeverisë në zgjidhjen e problemit të legalizimeve.
Grupi i opozitës në Shkodër dhe zërat kritikë në opinion publik kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të operacionit, ndërsa tensionet në zonë vijojnë të jenë të larta.