Boçi përplaset me policinë në Theth: Rama, terror ndaj banorëve

Prej disa ditësh situata në Theth është përshkallëzuar pas nisjes së aksionit të IKMT-së për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike. Banorët lokalë kanë kundërshtuar ndërhyrjen e shtetit, duke argumentuar se mungesa e certifikatave të pronësisë i pengon të pajisen me leje ndërtimi, pavarësisht se kanë ndërtuar në tokat e tyre.

Tensionet u rindezën sërish këtë të shtunë, kur në zonë vijoi aksioni i IKMT-së, i shoqëruar nga forca të shumta policie. Në terren shkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë drejtuesin politik të qarkut Shkodër, Luçiano Boçi, dhe deputetin Bardh Spahia.

Në një deklaratë për mediat, Boçi u shpreh se turizmi familjar në Theth ka pësuar goditjen përfundimtare dhe akuzoi qeverinë për selektivitet në veprimet e IKMT-së. Ai theksoi se aksioni është i pajustifikuar dhe se do të ketë reagim të organizuar nga opozita.

Sipas tij, banorët janë të pambrojtur përballë një shteti që, në vend të ndihmojë zhvillimin e zonës dhe formalizimin e turizmit vendas, po ushtron presion dhe po shkatërron ekonominë familjare.

“Të gjithë drejtuesit e IKMT-së thonë se kanë urdhër, por askush nuk thotë nga kush. Kjo është një valë terrori ndaj banorëve. Thirrja ime është që të gjithë burrat e malësisë të bashkohen për ta ndalur këtë padrejtësi,” u shpreh Boçi.

Nga ana tjetër, autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar lidhur me pretendimet e banorëve dhe të opozitës, ndërsa aksioni për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në Theth pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.

About Krye Redaktor

Check Also

Drejton aksionin e IKMT në Theth, gazetari: Fatmir Metaj, i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit

Gazetari Basir Çollaku ka deklaruar se Fatmir Metaj, i cili po drejton aksionin e IKMT-së …