Lideri i opozitës, Sali Berisha ka dënuar me ashpërsinë më të madhe, krimin shtetëror, siç e cilësoi ai, aksionin e Policisë dhe IKMT-së ndaj banorëve të Thethit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të këtij terrori.
Në konferencën e fillim javës nga selia blu, Berisha tha se lidhur me akisioni, banorët duhet të dëmshpërblehen për të gjitha ndërtesat e prishura, duke shtuar se sjellja e Ramës ndaj banorëve, është e njëjtë me ato të malazezëve, turqve, serbëve dhe Mehmet Shehut.
“Terrori shtetëror, dhuna dhe shkatërrimi i ekonomive të banorëve të Thethit është një nga aktet më të rënda, më të paprecedentë në historinë e një vendi.
Edi Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu.
Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër.
Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre.
Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, pafytyrësinë dhe pabesinë më të madhe për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një projekt antishqiptar, një projekt hakmarrës, primitiv.
Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston absolutisht asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike.
Pra, kreu një aksion urrejtje të papërmbajtur ndaj njerëzve që kishin shfrytëzuar pronën e vet për të ndërtuar pasi i kishte autorizuar, pasi ai dhe kreu i Bashkisë së Shkodrës, në një seri deklaratash i kishin garantuar se do legalizoheshin dhe do marrin lejet e legalizimit.
Pasi u kishte kërkuar që të ftojnë njerëzit e tyre në emigracion të vijnë dhe të investojnë në Theth, Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar.
E thashë edhe njëherë, shfrytëzoi pabesinë, mashtrimin dhe ka dëmtuar më shumë se çdo pushtues tjetër atë zonë.
Armik i shpallur i veriut. Në 12 vite të qeverisjes së tij, në qarqet e veriut po të heqim Rrugën e Arbrit, e përfunduar më shumë se gjysma gjatë qeverisjes sonë, por në fakt investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë në zonat e tjera të vendit.
Shikoni ç’ndodh me autostradën Lezhë-Shkodër, autostradë e vdekjes. Çdo tre ditë aty ndodhin aksident pas aksidenti.
Ajo është rruga, pas Rrugës së Kombit, rruga me trafikun më intensiv në vend. Dhe investohet kudo tjetër, por jo në atë rrugë, sepse ky e urren veriun, e urren Shkodrën, e urren zonën dhe ka dy vjet që inauguron dhe çinauguron 10 kilometra rrugë me projekt të bërë nga ne, jo nga Shëngjini në Velipojë, por thjesht nga Shëngjini në Rrjoll.
Kjo në një kohë kur të vish nga Shkodra në Tiranë është më gjatë se të shkosh dhe kthehesh nga Tirana në Gjirokastër.
Dënoj me forcën më të madhe aktet e terrorit shtetëror, krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori.
Dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen nga Edi Rama.
Merrini, i ka me zë dhe figurë premtimet e tij, inkurajimin, mashtrimin e tyre.
Çdo gjë bëhet për të mbuluar funeralin elektoral të 11 Majit apo farsën elektorale të 11 Majit 2025”, u shpreh Berisha.