Nga Ilda ZHULALI
Zoti Erion Braçe ka zbritur deputet në Tiranë dhe ka zbuluar se në Liqenin e Tiranës po ndodh një krim mjedisor, pasi ujërat e zeza derdhen aty.
Një vit më parë, ky krim jo vetëm nuhatej, por edhe shihej me sy, pasi shtresat fekale të algezuara notonin mbi ujë. Po të kish qenë deputet i Tiranës vitin e kaluar, z. Braçe do thoshte se ky është jo vetëm krim mjedisor, por edhe krim shëndetësor, pasi ekspertët paralajmëruan për praninë e baktereve që rrezikojnë jetën e njerëzve, nëse ndonjë syresh binte në kontakt me ujin e qelbur.
Por, po të kthehesh me shpinë nga liqeni, sheh po aq qartë edhe krimin urbanistik. Dhe nuk ka nevojë hiç të jesh ekspert për të kuptuar se mbindërtimi pa plan ka zhdukur çdo hapësirë, ndërsa pallatet janë ngjitur me njëri-tjetrin si sardele. Dhe fundja janë të gjitha këto ndërtesa që zbrazin ujërat e zeza aty, në liqen.
Po atje shfaqet edhe krimi arsimor – zona nuk ka as shkollë, kopsht apo çerdhe publike për banorët, pikërisht për shkak të mbindërtimit pa plan.
E madje edhe krimi financiar, pasi banorët dhe bizneset e Tiranës paguajnë edhe taksën jo-dhe-aq-të përkohëshme të arsimit që do të duhet të përkthehej në ndërtimin e kësaj infrastrukture arsimore publike.
Meqenëse zoti Braçe është zgjedhur deputet i Tiranës (pa kufij zonalë) dhe mund t’i qëllojë të marrë pjesë në ndonjë varrim, le të kundrojë edhe një tjetër megakrim mjedisoro-shëndetësoro-financiar te Hambari i Mbetjeve në Sharrë.
Madje, mund t’i qëllojë që gjatë rrugës të ndeshë edhe ndonjë kamion që sapo ka hedhur dherat e më shumë se 1.9 milion metër katror leje ndërtimi të dhënë gjatë 2024 – dhe le t’i kërkojë faturën. Ndoshta do të habitet që nuk ka.
E sigurt është se do të ngrejë zërin më fort për ujërat e zeza “pa autorë”, sesa për këto.
Po aq e sigurtë është se Erioni (Veliaj) përsëri nuk do ta japë dorëheqjen, ndërsa drejtorët e tij s’kanë nevojë – sepse tashmë i ka ndryshuar Edi Rama.
Poshtë rigoni, rroftë EdRioni!