Nga Alba KEPI
Me një postim “zemrash dhe flamujsh” që lajmëron: “787 aplikime për Paketën e Maleve në vetëm 5 ditë!” KM fton emigrantët dhe qytetarët të ndërtojnë bujtina, agroturizëm apo ferma në zonat kodrinore të braktisura. E gjitha me leje, mbështetje shtetërore dhe kredi të buta nga Banka e Shqipërisë.
“Paketa e Maleve” përdoret si parfum institucional mbi plagët e thella të braktisjes, mungesës së shërbimeve, shkollave, qendrave shëndetësore, emigrimit masiv dhe infrastrukturës.
Në thelb, ky projekt favorizon një elitë të vogël, të lidhur me pushtetin lokal apo qendror.
Nga 787 aplikime, vetëm një pjesë fare e vogël do të përzgjidhet, dhe kjo zakonisht ndodh jo në bazë të meritës, por në bazë Partie.
Në vend të një plani të drejtë e gjithëpërfshirës për zhvillim rural, kemi një tjetër formë të re të kapjes së territorit — të ligjëruar dhe të zbukuruar me fjalë si”paketë”, “agroturizëm” apo “vlerësim i trashëgimisë.”
Fshatrat malorë të Shqipërisë janë shndërruar në zona fantazmë: pa transport, pa internet, pa ndihmë mjekësore, me banesa të rrënuara dhe me të moshuar që presin të mbyllin sytë, të vetëm.
Në vend që të hartohet një politikë integruese, që garanton jetesë, shërbime publike, mbështetje reale për bujqësinë dhe fermerin, qeveria prodhon fushata marketingu që nuk kanë lidhje me hallet reale të banorëve.
“Me leje” – një tjetër mit institucional.
Postimi i Unipushtetit nënvizon me krenari që ndërtimi bëhet “me leje”. Por çfarë do të thotë në një vend ku:
• Pronësia mbi tokën është ende e paqartë?
• Malet janë zona të mbrojtura nga ligji?
• Zhvillimi i turizmit shpesh bëhet në kurriz të biodiversitetit dhe burimeve natyrore?
Në realitet, lejet u jepen atyre që dinë si të blejnë heshtje dhe ndikim, ndërsa njerëzit e zakonshëm, banorët vendas, nuk dinë ku të trokasim për të rindërtuar shtëpitë e tyre
Male me letra. Shqipëri pa njerëz.
“Paketat e Maleve” nuk janë zgjidhje. Janë një mbulesë propagandistike mbi një politikë të dështuar territoriale.
Janë një mashtrim për emigrantët, një legalizim për spekulatorët, një shkëputje e plotë nga realiteti rural.
Fshatrat nuk rilindin me status Facebook-u.
Ato rilindin me shkolla të hapura, rrugë të mirëmbajtura, shërbime shëndetësore funksionale, dhe mbi të gjitha — me njerëz që jetojnë aty jo nga marketingu, por nga dinjiteti dhe siguria e jetesës.
Nëse duam male të gjalla dhe jo vetëm letra zhvillimi, duhet të fillojmë me të vërtetën