Vjosa Osmani i përgjigjet Grenellit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim që e ka bërë edhe në Uashington ditë më parë, e ka bazuar në informatat e vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Mes tjerash, presidentja Osmani ka thënë se është habitur kur ka dëgjuar raportime se qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të informuar më parë për rreziqet nga Serbia, meqë, sipas saj, “kjo çështje është trajtuar në dhjetëra deklarata të Presidencës së Kosovës” dhe që për rrezikun e majit ka folur edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

“I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë përmes një postimi në X, se presidentja Osmani “nuk ka thënë asgjë me kuptim, përveç sulmeve tjera ndaj Beogradit”.

“Nuk i kam interpretuar deklaratat e Trumpit”

Kur është pyetur për akuzat e Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, se Osmani po manipulon me deklaratat e Trumpit, presidentja ka thënë se ajo vetëm e ka falënderuar presidentin Trump për rolin e tij në botë, në përgjithësi, dhe në rajonin e Ballkanit, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Unë jam përgjigjur në pyetje dhe i ftoj vetë qytetarët e Kosovës që t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat unë jam pyetur. Ndër të tjera është deklarata e datës 25 qershor 2025, mund t’i dëgjoni vetë. Thuhet se ‘në javën e fundit u kujdesëm për Indinë e Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë‘”, ka deklaruar Osmani duke cituar deklarimet e Trumpit në javët e fundit.

“Nuk kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por kam treguar se si i kam kuptuar unë si presidente e Republikës së Kosovës. Nëse qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është ndryshe, besoj që mund t’iu drejtoheni, mirëpo ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës ditë e natë për paqe në botë. E vlerësojmë jashtëzakonisht këtë kontribut. Nuk dua të deklaroj si e kanë komentuar tjerët deklaratën time”./REL

About Krye Redaktor

Check Also

Shefi i tregtisë së BE shkon në Uashington, ndërsa blloku përgatit hakmarrje kundër tarifave të Trump

Shefi i tregtisë i BE, Maroš Šefčovič, do të fluturojë për në Uashington DC të …