Një shpërthim me tritol është regjistruar në Tiranë.
Sipas policisë, rreth orës 03:45, në ‘Rrugën e Durrësit’, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar.
Pronari i lokalit, të cilit iu vu tritol mëngjesin e sotëm, Arbër Sinani, ka deklaruar në polici se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që i kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse në lokalin e tij. Sipas tij, ai nuk ka konflikte me persona të tjerë.
Dy kamera që ka lokali, nuk kanë DVR ç’ka e bën të vështirë punën për hetuesit për identifikimin e aktorëve të dyshuar.
Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e bizneseve të tjera për t’i ndihmuar grupin hetimor.