Drejtori ekzekutiv i Qendrës Martens, Tomi Huhtanen, reagoi me një analizë për situatën në Shqipëri. Analiza e tij vjen pas konferencës që organizoi kjo qendër në Shqipëri para pak ditësh. Qendra Martens është një think-tank zyrtar i Partisë Popullore Europiane. Huhtanen është një publicist dhe personalitet i shquar i PPE. Në analizën e tij, ai thekson se, në Shqipëri ka një erozion të vazhdueshëm parimeve demokratike
Nga Tomi Huhtanen
Konferenca jonë e përbashkët me Qendrën ‘Wilfried Martens’ për Studime Evropiane dhe Fondacionin për Liri dhe Demokraci ishte për mua një përvojë e vërtetë mësimore.
Për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, rëndësia e një roli të përforcuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor është rritur ndjeshëm.
Shumë pyesin: a duhet të vazhdojmë me procedurat e lodhshme të anëtarësimit, kapitull pas kapitulli, apo të ndjekim një vendim politik “big bang” për të stabilizuar shpejt rajonin përmes anëtarësimit të menjëhershëm në BE?
Përgjigjja është e qartë – si nga qytetarët e BE-së, ashtu edhe nga vendet kandidate. Studimi i Qendrës Martens tregon se 91% e qytetarëve të BE-së duan që vendet kandidate të përmbushin standardet që lidhen me sundimin e ligjit dhe përputhshmërinë e sistemeve ligjore, mbi 80% duan të informohen ngushtësisht dhe më shumë se 60% duan të jenë pjesëmarrës aktivë në procesin vendimmarrës. Me pak fjalë, një rrugë drejt anëtarësimit bazuar në meritë është e vetmja rrugë, sipas këtij studimi.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka një mendim të qartë për këtë çështje. Për të, një qasje e bazuar në meritë është me rëndësi jetike për qytetarët në vendet kandidate, pa asnjë kompromis mbi sundimin e ligjit. Kjo filozofi e sheh procesin e negociatave për anëtarësim në BE si një mundësi për të transformuar vendet në demokraci më dinamike.
Megjithatë, në rastin e Shqipërisë, mbeten shqetësime serioze. Ka një erozion të vazhdueshëm të parimeve demokratike, përfshirë abuzimin me pushtetin shtetëror, manipulimin e gjerë të zgjedhjeve dhe frikësimin, mungesën e reformave zgjedhore thelbësore dhe shtypjen sistematike të zërave të opozitës dhe lirisë së medias. Gjithashtu, fuqia e krimit të organizuar mbetet një shqetësim madhor.
Në aspektin ekonomik, ndonëse rritja mbetet e fortë, ekzistojnë paradokse. Prodhimi industrial është në rënie, ndërsa sektori i ndërtimit ka njohur një bum dhe përbën 17% të PBB-së, megjithatë vetëm në Tiranë ka 50.000 apartamente bosh, dhe burimi i financimit për këto projekte mbetet i paqartë.
Rruga e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian, por ka ende shumë punë për të bërë. Mbështetja më e mirë që mund t’i japim Shqipërisë është ta ndihmojmë të përmbushë ambiciet e saj përmes kapitujve të ndryshëm të negociatave me BE-në. Ky është një përpjekje e përbashkët.