Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, njoftoi se po paraqiste prova që ekipi i Presidentit të atëhershëm Barack Obama hodhi themelet për “grushtin e shtetit” të lidhur me Rusinë kundër Trump.
Dokumentet, të cilat përfshijnë përmbledhje ditore të siguruara për presidentin Obama nga CIA, FBI, NSA, DHS dhe agjenci të tjera, tregojnë se përpara dhe pas zgjedhjeve të vitit 2016, agjencitë kryesore të sigurisë amerikane kishin vlerësuar se Rusia “nuk kishte ndërmarrë sulme të suksesshme kibernetike” ndaj infrastrukturës zgjedhore amerikane dhe se çdo përpjekje për të kompromentuar sistemin zgjedhor kishte qenë e pasuksesshme dhe e papërfillshme në efektin përfundimtar mbi rezultatin.
Një dokument i datës 8 dhjetor 2016 nga Përmbledhja Ditore Presidenciale deklaron se “aktorët rusë nuk kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit përmes aktiviteteve kibernetike dashakeqe”. Megjithatë, vetëm një ditë më pas, më 9 dhjetor, një takim në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e figurave të larta të administratës Obama – përfshirë John Brennan, James Clapper, Susan Rice, John Kerry dhe Loretta Lynch – vendosi të nisë një hetim të ri mbi ndërhyrjen ruse.
Sipas procesverbalit të takimit të deklasifikuar, zyrtarët ranë dakord të hartonin një vlerësim të ri të komunitetit të inteligjencës, të udhëhequr nga ODNI (Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare), që do të përfshinte CIA-n, FBI-në, NSA-në dhe DHS-në, për të paraqitur përfundimisht një raport të ri që do të dilte në 6 janar 2017 – raport ky që përmbante konkluzione krejtësisht të ndryshme nga vlerësimet e mëparshme.
Dokumentet e siguruara nga Fox News Digital tregojnë gjithashtu se FBI-ja fillimisht kishte hartuar një “mospajtim” të qartë me përmbajtjen e raportit të ri dhe kishte shprehur rezerva të forta për përfshirjen në të të të dhënave të pakonfirmuara – përfshirë famëkeqen Dosje Steele, e cila në atë kohë tashmë kishte filluar të kontestohej publikisht si burim i pabesueshëm dhe i përbërë nga “thashetheme interneti”.
Në fakt, Drejtori i CIA-s i atëhershëm John Brennan – i cili aktualisht është nën hetim penal – ka shtyrë personalisht që dosja Steele të përfshihej në raportin përfundimtar, pavarësisht se analistët e inteligjencës në CIA kishin refuzuar saktësinë e saj. Fox News Digital raporton gjithashtu se hetimet penale janë duke u zhvilluar edhe ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, për rolin e tij në këtë skemë.
Drejtoresha aktuale e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, në një deklaratë të fortë për Fox News, e quajti situatën “një komplot tradhtar” i nisur nga zyrtarë të lartë të qeverisë së Obamës për të delegjitimuar fitoren e Presidentit Trump dhe për të nisur një hetim të pajustifikuar, që u bë më vonë themeli i procesit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, i cili zgjati disa vite dhe rezultoi në dy përpjekje për shkarkimin e Trump nga Kongresi.