Kandidati për deputet i PD, Arjan Hoxha ka folur ditën e sotme lidhur me krimin e organizuar dhe Policinë e Shtetit. Hoxha ka deklarur në intervistën për Syri Tv se lidhjet e grupeve të krimit të organizuar arrijnë deri aty sa të emërojnë efektivë në Policinë e Shtetit. Ai u shpreh se një pjesë dërrmuese e drejtuesve policorë kanë lidhur më krimin e organizuar.
Ndërkohë më tej, Hoxha tha se politika ka ndërhyrë në çdo qelizë të Policisë së Shtetit dhe tha se kjo ndërhyrje ul dhe parametrat e sigurisë në vend. Ai komentoi aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, ku tha se nëse politika nuk do t’i kishte lejuar, policia nuk do të përdorej për tu përballur me qytetarët për këtë çështje.
Hoxha: Elbasani është një nyje e rëndësishme ku operojnë grupet e rëndësishme të krimit të organizuar me ndikim kombëtar e ndërkombëtar. Organizatat kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, kanë lidhje të forta politike, ku arrijnë deri sa të nxjerrin me 20 e ca mijë vota një deputet apo deputete në parlamentin shqiptar.
Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, pra nuk është se është vetëm tani, është në mënyrë permanente dhe absolutisht ndikimi, lidhjet e tyre dhe mundësia që ata të emërojnë drejtues të tillë në policinë vendore. Pra, kanë akumuluar një ekonomi në duart e tyre nga aktiviteti i tyre kriminal. Është e parashikuar në ligj: nëse ke vetëm kontakte me pjesëtarët e krimit të organizuar, ti nuk mund të marrësh çertifikatë sigurie.
Për fat të keq në Policinë e Shtetit, një pjesë dërrmuese e drejtuesve kanë lidhje me krimin e organizuar. Nuk mund të kërkojmë përmirësim të sigurisë publike, apo goditje të krimit kur kemi drejtues të tillë në policinë e shtetit. Konkursi për policinë ishte totalisht politik. Politika ndërhyn në çdo qelizë të Policisë së Shtetit. Ka humbur besueshmëria e publikut të drejtuesit e policisë. Politika sa më tepër ndërhyn aq më tepër ul parametrat e sigurisë në vend. Nëse politika nuk do të kishte lejuar ndërtimet pa leje, nuk do të përdorej policia si mashë për t’i goditur këto ndërtime.