Realiteti i errët që fshihet pas imazhit të Shqipërisë si një destinacion i virgjër dhe turistik ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare. Gazetarja spanjolle Núria Vila Masclans, e përditshmes katalanase ARA, ka udhëtuar drejt qytetit të Kuçovës për të hedhur dritë mbi ndotjen e thellë që vjen nga mbi 5 mijë puse nafte të braktisura, të cilat vijojnë të çlirojnë substanca të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.
Përmes një reportazhi të detajuar, ajo sjell dëshmi tronditëse nga terreni, ku nafta rrjedh mes arave dhe pompat e ndryshkura punojnë në oborret e banesave, ndërsa institucionet heshtin. Investigimi nënvizon mungesën e ndërhyrjes për mbylljen e puseve, kostot e larta që e pengojnë këtë proces, si dhe pasojat e ndotjes në tokat bujqësore, lumenjtë dhe vetë detin Adriatik.
Në reportazhin e publikuar nga e përditshmja katalanase ARA, gazetarja Núria Vila Masclans ngre akuza të forta ndaj institucioneve shqiptare, të cilat sipas saj po mbajnë të fshehur përmasat e ndotjes së shkaktuar nga industria e naftës. Ajo thekson se qeveria shqiptare ka porositur një studim për ndikimin e ndotjes në shëndetin e banorëve, por rezultatet nuk janë bërë publike.
Sipas saj, ka një mungesë të plotë të monitorimit zyrtar, ndërsa autoritetet nuk reagojnë as ndaj rreziqeve mjedisore dhe shëndetësore evidente. Vila Masclans thekson gjithashtu se as Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe as Albpetroli nuk kanë pranuar t’i përgjigjen pyetjeve të saj për këtë çështje. Në artikullin e saj, ajo sjell dëshmi që tregojnë se ndotja është e përhapur dhe e rrezikshme, por nuk ekziston asnjë institucion qeveritar apo i pavarur që e kontrollon situatën në terren. Kjo, sipas saj dhe aktivistëve lokalë, ka krijuar një klimë pandëshkueshmërie, ku kompanitë e naftës veprojnë pa përgjegjësi dhe llogaridhënie.
Në sfond, Shqipëria vijon të promovojë veten si një vend i gjelbër dhe i pastër, ndërsa komunitete të tëra jetojnë mes ndotjes, sëmundjeve dhe indiferencës shtetërore.
Artikulli i plotë:
Pajisjet e shpimit të naftës dominojnë peizazhin përreth Kuçovës, rreth 20 kilometra nga Berati, një nga qytetet më të vizituara turistike në Shqipëri — një vend që promovon veten si parajsë natyrore me male dhe plazhe të virgjëra. Era e rëndë e naftës është aq e fortë, edhe me dritaret e makinës të mbyllura, sa për ata që nuk janë mësuar, është e padurueshme. Në mes të një are me misër gjendet një pellg i madh me naftë bruto që lëshon një erë edhe më të rëndë. Madje, kulla dhe pompa nafte ndodhen edhe në oborret e shtëpive private.
Kuçova është fusha e dytë më e madhe e naftës në Shqipëri dhe është ende pjesërisht funksionale, ndonëse ka zona të tëra me puse të braktisura, tanka magazinimi dhe tuba të ndryshkur që rrjedhin dhe ndotin tokën. Kjo është zona më e vjetër e prodhimit të naftës në vend. Në vitin 1928, një kompani italiane shpimi pusin e parë në Shqipëri pikërisht këtu, dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, fusha u bë burim i rëndësishëm karburanti për Italinë e Musolinit që kishte pushtuar vendin.
Pak më vonë, filloi shfrytëzimi i zonave të tjera të pasura me hidrokarbure, si zona e Patos-Marinzës (rreth 30 kilometra larg), që është më e madhja në vend dhe njëkohësisht fusha më e madhe tokësore e naftës në kontinentin europian. Vlerësohet se përmban mbi 5 miliardë fuçi naftë, por projektet e reja të nxjerrjes nuk janë ndërmarrë prej afro gjysmë shekulli. Në vitet 1970, kur Shqipëria drejtohej nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, prodhimi i naftës arriti kulmin dhe u kthye në sektorin më të rëndësishëm ekonomik të vendit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, industria pësoi rënie, ndërsa mungesa e investimeve çoi në përkeqësimin e infrastrukturës.
Sot, kompania kryesore që merret me nxjerrjen është Bankers Petroleum, në pronësi kineze, ndërsa puset janë në pronësi të kompanisë shtetërore Albpetrol. Në total, Shqipëria ka rreth 6,000 puse të hapura, por vetëm 800 janë funksionale. “Pjesa tjetër, rreth 5,200 puse, nuk janë mbyllur siç duhet,” thekson Adriatik Golemaj, gazetar i lidhur me Shoqatën “Zharrëza”, një OJQ që lufton ndotjen në rajonin Patos-Marinzë. “Një pus është në thelb një vrimë 1,500 metra e thellë, dhe nëse nuk mbyllet sipas standardeve, vazhdon të ‘komunikojë’ me sipërfaqen. Nxjerr ujë të ndotur, gazra, naftë…”, shpjegon ai. “Por askush nuk kujdeset për t’i mbyllur siç duhet, sepse kushton shumë. Mbyllja e një pusi kap shifrën e 50,000 dollarëve.”
Pandëshkueshmëri institucionale
Autoritetet kanë kryer vetëm një inspektim në Kuçovë gjatë dy viteve të fundit, në verën e vitit 2023, pas një alarmi për derdhje nafte në një përrua lokal. Agjencia e mjedisit gjobiti Albpetrolin me 1 milion lekë (rreth 10,000 euro) dhe nisi procedura penale ndaj drejtuesve të kompanisë.
Sipas Balkan Insight, dy raporte të porositura në vitin 2019 nga vetë Albpetrol zbuluan ndotje të lartë në Kuçovë — përfshirë naftë, fenole dhe metale të rënda në tokat bujqësore dhe në ujërat sipërfaqësore. “Analiza e kampionit të ujit tregon se niveli i hidrokarbureve është më i lartë se standardet e direktivës europiane,” thuhej në raport. Edhe Agjencia Rajonale e Mjedisit konfirmoi se inspektimet kanë zbuluar ndotje në disa puse, duke shtuar se pajisjet si tubat, kolektorët dhe tanket janë shumë të vjetra – thuajse 100-vjeçare.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar situatën, veçanërisht për ndikimin që ndotja ka në shëndetin e banorëve, ndonëse mungojnë studime të thelluara për ta vërtetuar shkencërisht. “Kemi ndotje historike që nuk është menaxhuar kurrë, dhe ndotje të re që ka ardhur pas viteve ‘90,” deklaron Qani Rredhi, aktivist i Shoqatës “Zharrëza”, për gazetën ARA. Ai kritikon mungesën e monitorimit, analizave dhe transparencës, si nga kompanitë, ashtu edhe nga institucionet shtetërore.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi në vitin 2023 një raport për ndotjen nga hidrokarburet në Zharrëz, në zonën e Patos-Marinzës, ku vuri në dukje mungesën e masave mbrojtëse dhe të rehabilitimit në puset e vjetra, disa prej të cilëve ndodhen fare pranë banesave, serrave ose sipërfaqeve të kultivuara. Po ashtu, u kritikua mungesa e informacionit për publikun dhe “klima e mungesës së përgjegjësisë” nga operatorët.
Problemet shëndetësore
OJQ-të kanë biseduar me banorë që kanë konfirmuar se marrin medikamente të rregullta për çrregullime të gjakut, ndërsa disa kanë raportuar rritje të rasteve me kancer. Rredhi pohon se në zonat pranë puseve të naftës incidenca e kancerit është më e lartë se në pjesë të tjera të vendit. Ai tregon se njerëzit përdorin ujin e ndotur për të pirë dhe për gatim, dhe simptomat më të shpeshta janë marramendja, dhimbjet e kokës dhe alergjitë. “Është si të jesh i droguar gjatë gjithë ditës,” thotë ai.
“Banorët janë mësuar të jetojnë kështu sepse ndotja ka vijuar për breza me radhë, por situata është kritike,” thotë Golemaj. “Industria e naftës ishte dikur sektori më i rëndësishëm në vend, prandaj gërmonin kudo që kishte naftë — edhe në mes të lagjeve apo në oborret e shtëpive.”
Rredhi shton se “askush nuk është munduar të masë apo analizojë përmasat reale të ndotjes dhe ndikimin e saj në shëndetin e njerëzve.” Ai thotë se qeveria shqiptare i ka porositur një konsulence holandeze, Royal Haskoning, një studim mbi ndikimin në shëndet, por rezultatet nuk janë bërë publike. Kur u kontaktua nga ARA, kompania holandeze tha se të gjitha raportet janë konfidenciale. As Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe as Albpetroli nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetës.
Ndotja në lumenj dhe det
Sipas Rredhit, rreth 500,000 njerëz jetojnë në zona të prekura nga ndotja me hidrokarbure. Por aktivistët paralajmërojnë se ndotja prek edhe dy lumenj të mëdhenj – Semanin dhe Vjosën. Ky i fundit, lumi i dytë më i madh në vend, është ndër atraksionet kryesore turistike dhe konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë. Në vitin 2023, u shpall Park Kombëtar nga qeveria shqiptare.
Adriatik Golemaj shpjegon se Shqipëria prodhon rreth 600,000 tonë naftë në vit, por vetëm 10% e lëngut të nxjerrë është naftë, ndërsa 90% është ujë i ndotur — pra mbi 6 milionë tonë ujë të ndotur në vit. Një pjesë e këtij uji përfundon në lumenj ose përdoret për vaditje në bujqësi. “Ky ujë përmban kimikate që përdoren për të nxjerrë naftën,” thotë ai. “Kështu ndotja përfundon në pjatat tona.” Për më tepër, lumenjtë derdhen në detin Adriatik: “Shumë turistë vijnë nga e gjithë bota për të pushuar këtu dhe nuk e dinë se po notojnë në ujëra të ndotura.”/ ara – syri.net