Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si është implementuar Reforma në Drejtësi në Shqipëri dhe përdorimi i fondeve të dhëna nga SHBA dhe BE.
Në një deklaratë për shtyp, Kalaja tha se, në Kongresin Amerikan ka nisur një debat mbi shpenzimin e 270 milionë dollarëve nga USAID dhe Fondacioni Soros, përmes të cilëve, sipas PD-së, është kapur sistemi i drejtësisë në Shqipëri për të goditur opozitën. Kalaja deklaroi se një pjesë e këtyre fondeve janë kanalizuar përmes projektit “Justice for All”, në kuadër të të cilit është firmosur një memorandum mes USAID dhe KLGJ.
Deklarata e Kryetares së Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja:
Partia Demokratike ne vijimësi ka shprehur shqetësimin legjitim, për mënyrën e implementimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri si dhe për mënyrën sesi është shpenzuar mbështetja financiare nga SHBA dhe BE.
Në Senatin dhe Kongresin Amerikan të SHBA-ve, pas zgjedhjes së Presidentit Trump, është kthyer në debat çështja e parave të taksapaguesve amerikanë, lidhur me mbështetjen e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Më datë 16.07.2025, në Kongresin Amerikan u be temë debati, se si 270 milionë USD të taksapaguesve amerikanë, janë shpenzuar nga USAID dhe Fondacioni Soros (dhe OJF të lidhura me partinë në pushtet), që nëpërmjet ‘Reformës në Drejtësi’ të mbështetur nga SHBA, të kapej Sistemi i Drejtësisë, dhe nëpërmjet kësaj kapje, të sulmohej Opozita, Partia Demokratikë, Z. Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të partive opozitare, fakte për të cilat tashmë ka shumë.
Raportimet në Kongres përmendin se fondet janë kanalizuar nëpërmjet projektit ‘Justice For All’, në kuadër të të cilit institucioni juaj ka firmosur një Memorandum Mirëkuptimi me USAID, i cili më parë na është vënë në dispozicion nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Faktet e botuara janë një tregues shqetësues jo vetëm për kapjen e sistemit të drejtësisë, por së pari për nevojën që ka për të bërë transparencën e pjesës prej270 milionë USD të përfituar nga subjekte të së drejtësisë shqiptare, për aktivitet të zhvilluar në territorin e RSH. Kjo transparencë përfshin jo vetëm publikimin e instrumentave ligjorë që janë ndërtuar me këto fonde, por edhe analizën financiare të vetë fondeve.
Duke vlerësuar:
– transparencën mbi 270 milionë USD, një pjesë e të cilave sipas raportimeve kanë shkuar për sistemin gjyqësor në Shqipëri, të rëndësishme për detyrimin për llogaridhënie të institucioneve shqiptare, përfshirë KLGJ si pale në memorandumin e lidhur me këtë projekt,
– të drejtën kushtetuese dhe ligjore të informimit si qytetarë dhe përfaqësues të një subjekti politik,
– më mënyrë të bazuar në ligje dhe kushtetutë se ky memorandum përbën një shkelje të rëndë të ligjeve themelore të organizimit dhe funksionimit të organeve të gjyqësorit në RSH si dhe mbrojtjes së të dhënave personale të shtetasve shqiptarë,
ne i jemi drejtuar KLGJ-së, me një kërkesë me pyetje, plot 70 të tilla, mbi Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur midis United States Agency For International Development (USAID) dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLGJ), më datë 29 prill 2020, shoqëruar me dokumentacion të plotë e justifikues për secilën përgjigje.
Të bindur se përgjigjet e shoqëruara me dokumente të plota e justifikues, do zbardhë një nga aferat më të rënda në Sistemin e Drejtësisë, si një mënyrë për të sulmuar Opozitën, PD, Z. Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të saj, në vëmendje të publikut në po sjellim një pjesë të këtyre pyetjeve:
- Cilat kanë qenë mekanizmat dhe procedurat që janë ngritur për zvogëlimin e stokut të dosjeve dhe administrimit të kalimit të dosjeve, në bazë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, seksioni 1.1?
- Bazuar në seksionin 1 dhe 3.1, Cili ka qenë roli i parashikuar dhe produkti i realizuar nga EËMI?
- Sa persona staf të përhershëm dhe të përkohshëm ka angazhuar EËMI për këtë qëllim dhe çfarë aksesi kanë pasur ata në dosjet gjyqësore?
- A ka qenë stafi i EËMI i angazhuar në vlerësimin e dosjeve gjyqësore në Gjykatën e Lartë?
- Nisur dhe nga gjuha e nenit 3.2.B.7, cili ka qenë statusi i tyre ligjor në raport me Gjykatën e Lartë?
- Nëse ata janë kategorizuar si ndihmësa/këshilltarë ligjorë, në cilën kategori nga ato të parashikuar në ligjin 98/2016, janë klasifikuar këta persona?
- Sa nga këto dosje janë përpunuar nga NUNÇP, dhe cilat janë vendimmarrjet në këto dosje?
- Kush ka mbikëqyrur procedurën e rekrutimit të tyre dhe cila ka qenë procedura e aksesit të tyre në dosjet e Gjykatës së Lartë?
- A kanë pasur ata akses mbi identitetin e palëve dhe të dhëna që për shkak të natyrës publike, i bënin palët lehtësisht të identifikueshëm për ta?
- Cilat kanë qenë procedurat dhe mekanizmat e ngritur për realizimin e qëllimit tjetër të memorandumit (§1.2), mbi krijimin e metodave të raportimit, monitorimit, vlerësimit për aktivitetet e eficencës së gjykatës, si dhe parandalimit të krijimit të stokut.
- A është krijuar dhe shpërndarë në të gjithë gjykatat e vendit pozicioni i ri, që nuk ka ekzistuar më parë, i quajtur në këtë memorandum BRO në tekstin anglisht pika 3.1. pika 2, (në shqip nuk është përkthyer saktë), dhe nëse po si është bërë rekrutimi dhe nga kush?
- Cilat kanë qenë vendimet që ka marrë KLGJ nëpër mbushje të detyrimeve, përfshi dhe përgjegjësinë e përbashkët, që rrjedhin nga seksioni 3.1 i këtij memorandum?
- Nisur nga §3.1.15 dhe §3.2A.8, cilët kanë qenë anëtarët e Gjykatës së Lartë të angazhuar në këtë projekt dhe çfarë detyrash konkrete kanë realizuar ata? Nëse ata kanë qenë gjyqtarë, a kanë marrë autorizim të posaçëm nga KLGJ për angazhimin në këtë projekt dhe cilat kanë qenë detyrat e tyre?
- Në vijim të pyetjes së mësipërme, deri në çfarë pike sigurohej aksesi nga NUNÇP në këto dosje, dhe cili ishte roli i tyre lidhur me këto dosje (në kuptim të vendimmarrjes), në raport me Gjyqtarët dhe Ndihmësit Ligjorë?
- Sa është buxheti i planifikuar lidhur me këtë projekt dhe sa është shuma e shpenzuar brenda afateve të kohëzgjatjes së tij?
- A është ky memorandum ende në fuqi dhe nëse jo kur ka përfunduar ai?
- Nëse po, me cilin akt është bërë zgjatja e afatit të tij të tij?
- Nëse po, kush është burimi i financimit të tij që prej ndërprerjes së fondeve për projektet e USAID?
- Referuar të dhënave që dispononi të raportuara nga Komisioni i Përkohshëm por edhe nga GJL dhe EËMI, a janë përmbushur objektivat minimalë dhe maksimalë lidhur me qëllimin kryesor të lidhjes së këtij memorandum?
- Sa është numri i dosjeve të prapambetura të cilat janë evidentuar para memorandumit dhe sa është numri i tyre në përfundim të tij?
Në pritje të përgjigjes së KLGJ, PD deklaron se është e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj afere kundër drejtësisë, demokracisë dhe pluralizmit si dhe rikthimin e Shtetit Ligjor të së Drejtës.