Kur injoranca drejton arsimin e lartë! Truku i radhës me ligjin për “hapjen” ndaj studentëve të huaj

Nga Luçiano BOÇI

Edi Rama ka shpallur së fundmi një tjetër “reformë” në arsim: ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë për të mundësuar, sipas tij, ardhjen e studentëve të huaj për të studiuar në Shqipëri.

Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si një përpjekje e mirë për ndërkombëtarizimin e universiteteve tona.

Por në thelb, është thjesht një kamuflim mediokër për të fshehur dështimin e tij të thellë në fushën e arsimit.

Sepse për të ardhur studentë nga jashtë, nuk mjafton të ndryshosh një nen në ligj, por duhet të ndryshosh gjithë realitetin mjeran që vetë Rama dhe politikat e tij e kanë prodhuar në universitetet tona.

Kush do të vijë të studiojë në universitete ku:

Pedagogët janë të nënshtruar politikisht dhe të papaguar denjësisht.

Auditorët janë të rrënuar dhe librat bashkëkohorë janë luks.

Kërkimi shkencor është formal, ndërsa plagiatura është normë e toleruar.

Qeveria ka shndërruar autonominë universitare në karikaturë klienteliste.

E gjithë klima akademike është mbushur me frikë, mediokritet dhe largim masiv të trurit.

Ky nuk është vizion ndërkombëtarizimi, por fantazi propagandistike e një njeriu që s’e kupton as arsimin, as nevojat e tij reale.

Ndryshimi i ligjit për të lejuar studentët e huaj të vijnë në Shqipëri është një letër bosh, një fasadë ligjore që nuk mund të mbulojë boshllëkun profesional, shkencor dhe etik që ka kapluar sistemin universitar shqiptar.

Për më tepër, kjo “nismë” vjen nga i njëjti Kryeministër që nuk ulej kurrë në tryezë me universitetet, që i trajtoi pedagogët si militantë të padëgjueshëm, që uli buxhetin për arsimin në nivele qesharake dhe që krijoi një model privatizimi të kamufluar, ku universiteti është thjesht një biznes që shet diploma, jo një hapësirë dijesh që prodhon mendim dhe shërben kombit.

A mendon Rama se do të sjellë studentë nga rajoni e më gjerë për të studiuar në Shqipëri, ndërkohë që rinia shqiptare ikën masivisht nga vendi, përfshi nga universitetet tona publike dhe private?

Apo ndoshta kjo është një mënyrë për të justifikuar importin e ndonjë “studenti” të paguar, që do të vijë me një marrëveshje të errët për të mbushur xhepat e universiteteve klienteliste?

E vërteta është se asnjë student i huaj serioz nuk vjen për të studiuar në një sistem ku vlera e diplomës është më e ulët se çmimi i një kafeje në Tiranë, ku profesorët punojnë me paga qesharake dhe ku politika shkel mbi çdo normë të dijes së lirë.

Nëse Rama vërtet dëshiron ndërkombëtarizim, le të fillojë me financimin real të arsimit të lartë, me ngritjen e standardeve akademike, me garantimin e meritës dhe ndëshkimin e plagjiaturës.

Pa këto, çdo ligj është thjesht një mashtrim i radhës, një poster bosh propagande, një përpjekje për të shitur dështimin si sukses.

Sepse kur injoranca harton ligjin për arsimin e lartë, ai ligj nuk prodhon dije, por prodhon vetëm alibi për pushtetin.

About Redaksia

Check Also

Gjenden 200 milion lekë në shtëpinë e biznesmenit për blerje votash të një kandidati të PS

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka zbuluar se në shtëpinë e …