CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Arkitektura si alibi: Roli i Boerit dhe maskimi i interesave oligarkike në Shqipëri

Nga Alba KEPI

Historia e shkatërrimit urban dhe korrupsionit që tronditi Milanon nisi me shembjen e një vile historike në Piazza Aspromonte — një akt që nxori në pah një rrjet të thellë lidhjesh mes politikës, kapitalit të errët dhe arkitekturës. Hetimet e mëtejshme zbuluan emra të fuqishëm dhe lidhje të ngushta që vunë në rrezik integritetin urban të qytetit.

Por në Tiranë, ky proces shkatërrues duket të jetë në një shkallë shumë më të madhe.

Sa vila historike janë shembur në kryeqytet?

Sa ndërtesa kulture e arti janë rrafshuar?

Dhe sa prej tyre duhet të shemben për të ndezur alarmin e hapur hetimet për të ndalur këtë spirale destruktive?

Ndryshe nga Milano, ku institucione dhe media reaguan shpejt dhe fuqishëm, në Tiranë proceset hetimore mungojnë ose janë shume të ngadalta, ndërsa kapitalet e errëta dhe klientelizmi politik dominojnë zhvillimin urban.

Kjo bën që Tirana të jetë shëmbëlltyra më tragjike e modelit Milano — një shembull i keq i një sistemi që përmbys hapësirën publike, grabit pronën private dhe shkatërron identitetin qytetar.

Sa vila të tjera duhet të shemben në Tiranë që ky sistem të ekspozohet?

Sa kohë do të kalojë pa u hapur një proces hetimor?

Në Tiranë, transformimi urban që ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit nuk është vetëm një ndryshim fizik, por një shpërfytyrim i thellë i identitetit dhe funksionit të qytetit. Ky transformim vjen si rezultat i një modeli zhvillimi që në thelb është i kapur nga kapitale të errëta dhe interesa klienteliste, ku politika dhe ekonomia bashkëpunojnë për të siguruar përfitime të shpejta dhe personale.

Sa vila historike janë shkatërruar në Tiranë? Askush nuk e di saktësisht, por përmes një procesi sistematik dhe të pandalshëm, qindra ndërtesa të trashëgimisë kulturore janë rrafshuar, duke lënë pas vetëm një zbrazëti të hapësirave urbane dhe një peizazh i betonizuar. Këto shkatërrime shpesh justifikohen me plane urbanistike të paqarta, të cilat në fakt janë mbështetje formale për projekte të zhvilluara nga grupe interesi të lidhura me qeverinë.

Kapitalet e errëta që financojnë këto projekte krijuan një ekosistem korruptiv ku ligji dhe rregullat janë vetëm një pengesë formale që tejkalohet lehtë, në dëm të qytetit, të cilësisë së jetës së banorëve dhe mjedisin urban.

Në këtë skenar, figura si Stefano Boeri, arkitekti i njohur që ka marrë pjesë në projekte madhore në Tiranë dhe më gjerë në Shqipëri, përfaqëson një model ku arkitektura shërben si fasadë për projekte me interesa politike dhe ekonomike, shpesh duke censuruar media dhe zërat kritikë.

Arkitektura si alibi: Roli i Boerit dhe maskimi i interesave oligarkike në Shqipëri

Përfshirja e arkitektit Stefano Boeri në projekte të rëndësishme urbane në Tiranë është përdorur nga autoritetet shqiptare jo vetëm si element prestigji ndërkombëtar, por edhe si një instrument për të legjitimuar një model zhvillimi thellësisht të politizuar dhe të kontrolluar nga kapitali oligarkik. Nën petkun e inovacionit dhe vizionit modern urban, shpesh fshihet një realitet shumë më kompleks dhe problematik: zhvendosja e kontrollit mbi hapësirën publike nga interesat qytetare tek një sistem klientelist dhe ekonomikisht i mbyllur.

Në vend që arkitektura të shërbejë si mjet i transparencës, gjithëpërfshirjes dhe vizionit afatgjatë, ajo është transformuar në një mjet komunikimi që mbulon mungesën e proceseve demokratike në planifikimin urban. Në këtë kontekst, Boeri, me peshën e tij profesionale, ka funksionuar — me vetëdije apo jo — si një garanci estetike për projekte që përndryshe do të ishin objekt kritikash publike dhe shqyrtimi institucional.

Ajo që ndodh realisht është instrumentalizimi i autoritetit profesional për të fshehur konfliktin e interesit, mungesën e transparencës në vendimmarrje dhe përfitimet e drejtpërdrejta të një rrethi të ngushtë oligarkik, i lidhur ngushtë me pushtetin vendor dhe qendror. Përmes kësaj skeme, zhvillimi urban shndërrohet në një proces të kontrolluar nga lart, ku qytetari humb fuqinë e tij dhe hapësira publike i nënshtrohet logjikës së kapitalit të errët.

Kjo është një prirje që nuk i përket vetëm Tiranës, por e gjejmë edhe në raste të ngjashme si në Milano. Por në Tiranë, ku mungon një sistem i fortë kontrolli institucional dhe ku media përballet me kufizime të rënda, ky model shfaqet në formën e tij më të zhveshur: një paradigmë e zhvillimit të kapur, ku arkitektura përdoret jo për të ndërtuar qytetari, por për të mbrojtur interesat e pushteti.

About Redaksia

Check Also

Gjenden 200 milion lekë në shtëpinë e biznesmenit për blerje votash të një kandidati të PS

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka zbuluar se në shtëpinë e …