Tragjedia në Liqenin e Shkodrës/ Spahia: Të hetohen shkeljet e Institucioneve shtetërore

Nga Bardh SPAHIA

Tragjedia e 8 Korrikut në ujërat e Liqenit të Shkodrës, është një ngjarje që na ka tronditur të gjithëve, shkaqet e së cilës nuk duhet të kalojnë në heshtje. Kapiten Arben Anamali, punonjës i Bashkisë Shkodër, humbi jetën heroikisht duke shpëtuar dy turistë izraelitë në liqen. A ishte thjeshtë një aksident, apo ishte pasojë e shkeljeve, papërgjegjshmërisë dhe moszbatimit të ligjit nga institucionet e veçanërisht nga Bashkia Shkodër?

Bashkia nuk mund të fshihet pas vendimit të qeverisë për ta shpallur kapitenin e ndjerë Arben Anamali, “Dëshmor i Atdheut”, por duhet të përgjigjet publikisht për shumë dritëhije mbi shkaqet që sollën këtë ngjarje:

Institucionet kanë detyrimin të bëjnë transparencë të plotë për opinionin publik, si dhe organet e drejtësisë hetim të thellë në mënyrë që akti heroik i këtij Dëshmori të shërbejë për të garantuar sigurinë dhe jetën e qytetarëve edhe në të ardhmen.

▪A kanë mjetet e Skodrinon licenca zyrtare lundrimi? Nëse po, cilat janë numrat e tyre?

▪A janë vendet e ankorimit të tyre të kolauduara?

▪A ekziston një hartë zyrtare lundrimi për Liqenin e Shkodrës, me itinerar të miratuar? Nëse po nga kush dhe të zbardhet ajo!

▪A kishte anija ku ndodhi tragjedia edhe ndihmës kapiten, siç kërkohet për anijet me mbi 12 pasagjerë?

▪A është “Skodrinon” i certifikuar si operator turistik detar sipas ligjit?

Sipas VKM nr. 845, dt. 28.10.2020 dhe Udhëzimit nr. 4, dt. 31.12.2020, asnjë aktivitet turistik me mjete lundruese nuk mund të kryhet pa licenca, kolaudim teknik, certifikim operatori dhe itinerar të miratuar.

Si janë kaluar këto anije nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në pronësi të Bashkisë? Me çfarë procedure ia ka kaluar Bashkia më pas “Biostrajcës, sot Skodrinon”?

Transparenca është ZERO deri më tani.

Kjo tragjedi nuk duhet dhe nuk mund të mbulohet me heshtje pa asnjë transparencë. Institucionet shtetërore nuk duhet të fshihen pas aktit sublim të Dëshmorit Arben Anamali, sakrifica e tij nuk duhet të kalojë në heshtje për të mbuluar përgjegjësitë e pushtetit lokal, ministrive apo çdo zyre shtetërore.

Prandaj i kërkoj Prokurorisë së Shkodrës dhe Organeve Ligjzbatuese hetim të plotë penal dhe publikim të menjëhershëm të dokumentacionit që ka lidhje me këtë tragjedi.

Fajtorët duhet të marrin ndëshkimin ligjor dhe ky aktivitet dukshëm me shkelje ligjore të ndërpritet, që të mos kemi tragjedi të tjera në ujërat e Liqenit të Shkodrës, nga paaftësia dhe babëzia e ndonjë titullari që ka zaptuar karrigen e  zyrave të shtetit në Shkodër dhe Tiranë!

About Redaksia

Check Also

Gjenden 200 milion lekë në shtëpinë e biznesmenit për blerje votash të një kandidati të PS

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka zbuluar se në shtëpinë e …