Berisha: Duke bllokuar kërkimin shkencor, Ramaduro po ia kalon edhe Enver Hoxhës! Studentët dhe pedagogët të ngrihen në protesta

Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi rilindjen gjatë një konferencë shtypi se, duke bllokuar kërkimin shkencor, Ramaduro po ia kalon edhe Enver Hoxhës! Ai u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve që të ngrihen në protesta.

“Sot unë gjithashtu dua të denoncoj një deklaratë të Ramaduros me të cilën ai de facto ka tejkaluar çdo diktator në planetin Tokë, ka tejkaluar në mënyrë totale paraardhësin e tij, Enver Hoxha, ka tejkaluar Kim Jong-un, ka tejkaluar Maduron.

Dje, Ramaduro deklaroi para pedagogëve, të quajtur pedagogë, se mbyllëm doktoraturat se ishin kot.

Siç jeni në dijeni, unë kam denoncuar gjatë këtyre viteve në mënyrën më të përsëritur ndalimin e doktoraturave në universitetet publike dhe lejimin e tyre në universitetet private, çka krijoi një biznes doktoraturash të jashtëzakonshme me fitime kolosale për Edi Ramën dhe ata që përfituan nga ky vendim absolutisht antikushtetues, antiligjor.

Por Edi Rama hoqi maskën dhe u mburr dje para një këshilli që ai tha se janë pedagogë, se mbyllëm doktoraturat sepse ato ishin kot.

Nuk ka deklaratë që në rrafshin e injorancës mund të tejkalojë.

Nuk ka akt dëshmi më flagrante të një urrejtje ky person zhgarravitës me një kulturë mizerabël socialiste të tregojë për kërkimin shkencor dhe universitetet, por nuk ka goditje më të rëndë për mendimin intelektual, mendimin akademik, mendimin universitar se sa ky vendim.

T’u heqësh universiteteve të drejtën e kërkimit shkencor, doktoraturave pra, do të thotë t’i sterilizosh ato nga mendimi akademik, nga mendimi shkencor.

Do të thotë në mënyrë absolute t’i shkatërrosh në mënyrë përfundimtare dhe këtë nuk e ka bërë njeri në botë.

Kjo ndodh për herë të parë që nga themelimi i tij i Universitetit të Tiranës.

Diktatura hoxhiste, as në periudhën e revolucionit kulturor kinez, periudhën më të zezë ideologjike që ka njohur Shqipëria, periudhë në të cilën u sulmua Rilindja shqiptare si dekadente, nuk bllokoi kërkimin shkencor.

Të bllokosh kërkimin shkencor do të thotë të vrasësh që në ngjizje ëndrrat shkencore të mijëra e mijëra të rinjve, të cilët nga laboratorët dhe klinikat dhe auditoret e këtij universiteti kanë publikuar, kanë realizuar punimet shkencore origjinale nga më seriozet, të publikuara në revistat më serioze të Europës dhe botës si punime origjinale.

Të mburresh se mbyllëm doktoraturat se ishin kot, do të thotë jo vetëm se je një injorant kongjenital, një urrejtës i universiteteve dhe mendimit akademik, por je një armik i egër i mendimit kombëtar, i mendimit shkencor dhe iu bëj thirrje studentëve, pedagogëve të universiteteve të ngrihen me forcën më të madhe kundër këtij injoranti urrejtës të tyre që me përroin e tij të shkatërruar psikik, kërkon të censurojë, të bllokojë ëndrrën e tyre shkencore, kërkimin shkencor, formimin e tyre shkencor si shtyllë kryesore e përparimit akademik.

Nuk mund të ketë… u them atyre pedagogëve që e kanë dëgjuar aty, unë nuk e pashë, se pashë vetëm Korbën e Kovidit, u them atyre pedagogëve që kanë qenë dhe kanë heshtur, kanë kryer një turp kombëtar intelektual.

Ata duhet të braktisnin sallën, jo të heshtnin para një deklarate të tillë.

Ndaj dhe ftoj studentë, pedagogë të marrin në dorë fatin e universiteteve të tyre.

Të ngrihen kundër një grupi lakejsh që i lëpijnë këpucët Edi Ramës për një favor apo një tjetër dhe e lejojnë të lavdërohet me mbylljen e doktoraturave, akt i padëgjuar në botë.

Preteksti se Shqipëria është dheu i plagjiaturave, Edi Rama, Shqipëria është dheu i narkozyrtarëve, i zyrtarëve kriminelë, vrasës, i kryeministrit më hajdut në historinë e saj dhe në planet.

Pa diskutim që ka plagjiaturë, por në kushtet e sotme të programeve të shumta për diktimin e plagjiaturave, krijimi i sektorëve pranë universitetit anti-plagjiaturë është zgjidhja më e thjeshtë.

Po plagjiatura nuk është vetëm e Universitetit të Tiranës. Kanë dalë ministra, kanë dalë kryeministra, kanë dalë persona të njohura të vendeve më të zhvilluara që kanë kryer plagjiatura dhe është mbajtur qëndrim ndaj tyre.

Por as Kim Jong-un, as diktatorët më mizorë nuk kanë ndërmarrë një akt të tillë që të mbyllin doktoraturat që janë edhe praktika kryesore e kërkimeve shkencore”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Paloka: O “mret”, kush ka thënë që je frikacak ja ka fut kot! Edhe unë bashkë me ta…!

Deputeti i PD, Edi Paloka ka reaguar me ironi në lidhje me vendimet skandaloze të …